Kosova

Zyrtari i Vetëvendosjes: Të dështojë Haradinaj pastaj flasim me LDK’në

Dallimet ndërmjet LDK’së e Vetëvendosjes po thellohen. Kjo për shkak të deklaratave të Avdullah Hotit se nuk bëhen bashkë me Partinë e Albin Kurtit pasi ndihmoi PDK’në në rrëzimin e Qeverisë. Mirëpo, Rexhep Selimi thotë se duhet pritur dështimi i Ramush Haradinaj që të bëhet Shef i Qeverisë për të nisur negociatat me LDK’në.

Vetëvendosjes nuk po i pëlqen fort qëndrimi i LDK’së se po bëhet gati të rrijë në opozitë pasi nuk bën koalicion me partitë që rrëzuan Isa Mustafën nga Qeveria.

Avdullah Hoti tha se s’ka koalicion me PDK e as me Vetëvendosjen e cila ndihmoi Kadri Veselin në rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr prej LDK’së.

Tash, ka ardhur edhe përgjigja e Vetëvendosjes. Zyrtarët e Partisë së Albin Kurtit po i kërkojnë Avdullah Hotit të presë derisa të dështon Ramush Haradinaj në përpjekjen e parë për formimin e Qeverisë.

Këtë po e thotë njëri prej udhëheqësve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili pas luftës kishte shërbyer si Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Përkohshme të Hashim Thaçit.

“Ne po i presim procedurat. Nuk po flasim për numrat e mandatarit të Vetëvendosjes, para se të kryhen procedurat e mandatarit të parë, pra PAN-it”, ka thënë Selimi, për lajmi.net, të dielën.

Lëvizja Vetëvendosje është renditur e dyta në zgjedhjet e fundit pas koalicionit PAN derisa ka numrin më të madh të deputetëve si parti politike.

Para zgjedhjeve kishte negociuar me Behgjet Pacollit për një koalicion parazgjedhor por kishin dështuar pasi AKR hyri në zgjedhje me LDK’në. Vetëvendosje kishte negociuar edhe me LDK’në por s’kishin arritur të bënin kurrfarë marrëveshjesh për koalicion parazgjedhor dhe as për të shkuar me një listë të përbashkët.

Sidoqoftë, Behgjet Pacolli e ka lënë të hapur mundësinë e koalicioneve paszgjedhore, duke thënë se AKR nuk do të lejojë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të reja.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *