Published On: 28 Gusht, 2017

Zyrtarët shqiptarë e heshtën krimin, nuk e ngushëlluan familjen as Rugovën

Gani Mehmetaj: Kujtime (52)

 

Kështu, në orën 15.00, kur ende ishte ditë, u vra njëra ndër personalitetet më të rëndësishme të politikës shqiptare, një intelektual i majave, i cili u qëndroi besnik parimeve të veta, duke mos kalkuluar në asnjë çast. Themelues të tjerë, pos Rugovës, nuk mbetën në Kryesinë e LDK-së e as në Presidencë. E lanë të vetëm presidentin Rugova, të rrethuar nga shumë njerëz që intrigën e ambicien e sëmurë e kishin motiv kryesor pse rrinin në parti.

E vranë kohën e idealeve, po vinte koha e intrigave e likuidimeve.

Ishte bestseller libri i tij, “Një lutje për Prishtinën”, rrëfim tronditës për tmerret e qytetarëve të kryeqytetit ato ditë lemerie, kur mbetën peng në banesat e tyre, duke pritur me ankth a do t’i vrasin e torturojnë tash a më vonë. Xhemailin fati e zgjodhi dëshmitar në rrethimin e hekurt të kryeqytetit tonë. Jetoi për të na rrëfyer, por nuk arriti ta gëzonte lirinë e shumëpritur. Përjetoi situata të rënda,  por i shpëtoi policisë serbe që ndiqnin intelektualë shqiptarë, ndërsa kur i zinin i vrisnin pa gjyq. Ra nga plumbat e grupeve kriminale shqiptare që nuk ia falën pse u qëndroi besnik parimeve të veta dhe pse nuk u largua nga Rugova sikurse bënë shumë nga shokët e tij.

Zot, çfarë kohe na solle, iu drejtova në mënyrë të pavetëdijshme qiellit, megjithëse kurrë nuk iu kisha drejtuar më parë as më vonë.

Në vend se t’i gëzoheshim lirisë, ne i frikësoheshim jo vetëm muzgut të parë, por qemë të pasigurt në pikë të ditës. Vrasin dhe askush nuk i kap. Sa pak vlerësohej njeriu e intelektuali në këtë milenium të ri, në atdheun tonë të sfilitur.

Më vonë nisën spekulimet pse u vra, kush e vrau, cili qe shkasi etj. U tha se Xhema e paska shkruar një shkrim kritik në gazetën “Bota sot” për opozitarët e UÇK-së, se Zenun Çelaj, kryeredaktori i gazetës së përditshme “Zëri” ditor të B. Shalës, paska përpiluar një listë për likuidimin e intelektualëve, sikurse shkruante analisti i njohur, Sylejman Aliu. Aliu në “Bota sot” ia kujtonte kërcënimet  kolegut të vjetër të “Rilindjes”. Sërish ma kujtoi kërcënimin e Adem Demaçit për ngrënien e gazetave, apo ndëshkimin për tekstin ku e parodizoja Komitetin Krahinor për traktorin socialist. Shumë e komentonin këtë shkrim, kërcënim, sikurse shkruante edhe  Sylejman Aliu në “Bota sot” paralajmërim për diçka të kobshme. Athua qe këtu shkaku, apo vrasja qe planifikuar shumë kohë më parë (në fillim të verës 1999 shtypi perëndimor shkruante se KFOR-i ua paska zënë grupeve të UÇK-së një listë prej 2.000 intelektualësh shqiptarë). Askush nuk e përgënjeshtroi, por askush nuk e pohoi më vonë këtë lajm.

Xh. Mustafa kohë më parë shkroi tekstin “Mallkimi i popullit nga “të mallkuarit e popullit”, ku u referohej atyre që hidhnin gur e dru mbi shqiptarët pse nuk ua dhanë votat. Jakup Krasniqi, i deprimuar që nuk mori vota ai e partia e tij, fyente shqiptarët. “LDK-në e votuan ata që e ndiejnë më afër Beogradin se Tiranën”, shkruante në kolumnen e rregullt të “Zërit” ditor.  Krasniqi mallkonte e fyente popullin pse nuk e votuan.  Në të njëjtën mënyrë shkruante edhe fallxhori tjetër: “A ka votuar Kosova kundër luftës?”. Ndërkaq, ne jetonim në paqe, jo në luftë. Ai donte t’i jepe zjarr luftës vëllavrasëse. Ky qe qëllimi i tij.

Grupet kriminale të së kaluarës e të së tashmes, janë bërë njësh. Titistë e enveristë, UDB-ashë e SHIK-istë, në dukje të parë të papajtueshëm, krijuan aleancë të fuqishme kundër shqiptarëve të Kosovës e kundër demokracisë së brishtë.

Për vrasjen e Xh. Mustafës nuk u dha asnjë fjalë nga shteti shqiptar. Nuk e tha asnjë fjalë as kryeministri i Shqipërisë, as ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Disa rreshta tekst u dhanë nga Shoqata e Shkrimtarëve e Kosovës. Shkroi gjerë e gjatë “Bota sot”, aty ku Xhemaili shkruante kolumnen javore.  “Rilindja” e uzurpuar me dhunë nga grupet marksiste po ashtu gati heshti, ndërsa Xhemaili punoi në të mbi njëzet vjet. Vrasja e Xhemail Mustafës qe porosi e qartë për shumicën e intelektualëve shqiptarë.. Nisën edhe spekulime të ndryshme.

Mbi varrin e Xhemail Mustafës foli presidenti Ibrahim Rugova, i cili e pati bashkëpunëtorin më të afërt dhe njeriun më të besuar. Ai foli me pikëllim dhe i deprimuar. Në një çast Rugova i mallkoi vrasësit, i pafuqishëm të bënte diçka më shumë. Njerëzit e presidentit po vriteshin, të tjerët i shmangeshin, sepse mund t’i gjente i njëjti fat, ose i detyronin të flisnin keq nëpër medie. Mbi varrin e Xhemës foli edhe Adem Demaçi, meqë kishte një lidhje familjare me të ndjerin. Edhe ai tha se Xhemën e vranë ata që duan ta marrin pushtetin me dhunë. Athua e dinte kush janë vrasësit?

Nderime te varri i Xhemës bënë me mijëra shqiptarë. Më dhimbseshin gruaja e fëmijët. Fëmijët do të rriteshin pa baba, kurse gruaja që i përkushtohej aq shumë, do të mbetej e vetmuar. Babai i tij shikonte i përhumbur.

Mjerë ne, çfarë kohe erdhi!

Ajo që më ra në sy, në atë ditë pikëllimi, qe fakti se në varrimin e tij shumë nga ata që do të duhej të vinin, sepse të gjithë e patëm shok e mik në ditët më të vështira të jetës sonë dhe të jetës së shqiptarëve, nuk erdhën. Më shtrëngoi diçka në gjoks nga pikëllimi. M’u bë se bota u zvogëlua e u tëhuajësua sa s’ka ku shkonte më shumë. E dija, pse nuk erdhën miqtë tanë, por nuk i arsyetoja. Dikur ne shkonim në varrimet e viktimave të policisë serbe, ndërsa gjatë rrugës na dilnin para policë të tërbuar nga urrejtja. Shpeshherë na kërcënonin me vdekje, por ne ua bënim nderimet e fundit të njohurve tanë. E kundërt me këtë frikë të pashpjegueshme në shikim të parë, ishte guximi në kohën kur për një fjalë goje të dërmonin me dajak, ose të vrisnin. Ne dikur nuk i frikësoheshim regjimit mizor të Milosheviqit, sepse e patëm vrarë frikën. Reagonim për gjëra edhe më të vogla, u nisnim letra e thirrje të gjitha shteteve e personaliteteve të njohura, u kërkonim mbështetje të gjitha institucioneve ndërkombëtare me peshë. Sot asnjëri nga ata nuk e shkroi asnjë letër ngushëllimi a pikëllimi. Ndërkaq, duhej të shkruanin, pse jo të vajtonim, sepse kështu nuk e menduam lirinë as shtetin tonë.

Ëndrra jonë po përgjakej. Ne u përpoqëm për një shtet human, të dashur për të gjithë. Kurrë s’më shkonte nëpër mend se një grup shqiptarësh do të vriste miqtë e mi, madje s’mendoja fare se do të vriteshin shqiptarët nga shqiptarët. Mendoja se jemi populli më i shëndosh e më human në botë. Isha idealist naiv si Kandidi i Zhan-Zhak Rusosë.

Intelektualët e shtresa e arsimuar e shqiptarëve e mbajti barrën kryesore të kombit për mbi dymbëdhjetë vjet me radhë. Xhemail Mustafa ishte në kreun e këtyre intelektualëve, herë në funksionin e këshilltarit të presidentit Rugova, herë me shkrimet e angazhuara politike, herë me esetë letrare.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...