Published On: 15 Gusht, 2017

Zgjedhjet lokale po afrohen

Shkruan: Nazmi Musa

Viti 2017  është viti i  zgjedhjeve lokale, ndoshta edhe ato parlamentare të cilat qytetarët po i presin me trishtim, jo pse vijnë kundër dëshirës sonë, por trishtimi e gërditja po u vjen  nga të  njëjtit politikanë që pa merita e zotërim dijeje tani e 17 vite nuk zbriten nga majat e piramidës udhëheqëse.

Përveç njerëzve në majat e politikës  të qeverive lokale e asaj qendrore, elektoratin nëse mund të thuhet se e kanë, nuk e mbanë optimizmi se me këto zgjedhje do të përmirësohet gjendja e rëndë sociale dhe ekonomike e shumicës së qytetareve, përjashto familjaret e klanet e tyre që me kohë i rehatuan dhe  iu shkojnë prapa…

Nuk di se si mund të flitet për rritje të zhvillimit ekonomik e shkallën e punësimit kur  papunësia në Kosovë ka shkallë më të e lartë në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Shumica qytetarët të Republikës së Kosovës, mund të thuhet, se nuk panë asnjë ditë të bardhë po vetëm frikë, trishtim, protesta, gaz lotsjellës,  korrupsion e krim të organizuar për këto 17 vite.

Nga një udhëheqje e këtillë politike, aty-këtu me përjashtime ,s’ka se si të shpresohet për një të ardhme të mirë. Nuk mund të pritet mirë nga këta “përfaqësues “ të popullit, pagat e të cilëve janë më të lartat në rajon, me korrupsionin në vazhdimësi e me skandale të ndryshme politike, duk mos vënë re gjendjen dhe pakënaqësitë e qytetareve të vet nga të cilët morën votat dhe i bënë zotërues të pushtetit.

Shumica e qytetarëve  të  Kosovës jetojnë  në zhgënjim, shpresë thyer dhe të dëshpëruar. Prandaj, Kosovës urgjentisht i duhet ndryshimi e ndryshimin mund ta bëjnë vetëm një klasë e re intelektualësh të dijshëm, të drejtë dhe të guximshëm për veprim në të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare.

Koha  për ndryshime,  tani o kurrë!  Të mësojmë nga shtetet mike, nga ato që na mundësuan të dalim nga robëria, errësira e vuajtjet shekullore. Zgjedhjet bëhet për të zgjedhur, për ndryshime, për të mirën e përgjithshme e, jo për vazhdim të mandateve të zgjedhësve këtu e 17 vite në vazhdim! Iku koha e “ komandantëve” Lirojuni  vendin të rinjve, intelektualeve disa nga ju që morët grada akademike vetëm pasi morët pushtetin dhe pushtuat majat e politikës!.

Ecim përpara, pa harruar të kaluarën, gjakun e derdhur të djemve e vajzave të popullit tonë për të sotmen. Ata ranë dëshmorë dhe u bënë të pavdekshëm për lirinë e Kosovës  e jo për përfitues në emër të luftës, e patriotizmit të kamufluar.

Patriotizëm sot është të zhvillosh shtetin e Kosovës, të krijosh të mira për qytetarët e saj, të zbatosh kushtetutën e vendit e të jesh në mbrojtje të saj… Patriotet e këtillë do t’i dojë e votojë populli dhe do t’u qëndrojë gjithnjë prapa vendimeve të tyre ( n.m )

 

Gjilan,  13 gusht 2017

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...