Published On: 23 Tetor, 2016

Viti 1919: Tetova 82% shqiptarë, 9% bullgarë, 8% serbë

Nga Mr. sc. Fitim RIFATI/

Në dy dekadat e para të shek. XX në Kosovë, e cila deri në vitin 1912 kishte statusin administrativ të vilajetit me kryeqendër Shkupin, në kuadër të Perandorisë Osmane, u përpunuan statistika të popullsisë nga provenienca të ndryshme. Pos organeve administrative osmane, që bënë regjistrimin e popullsisë së Vilajetit të Kosovës, edhe organet administrative serbe, malazeze, bullgare e austro-hungareze hartuan statistika të popullsisë së Kosovës në harkun kohor të viteve 1913-1918.

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili u formua më 1 maj të vitit 1918 në Shkodër, ishte një organizatë shqiptare në gjirin e së cilës u mblodhën intelektualë e prijës të shquar shqiptarë nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare. Qëllimi i këtij Komiteti ishte çlirimi dhe bashkimi i Kosovës (Shkupit, Kumanovës, Preshevës, Tetovës, Gostivarit, Kaçanikut, Ferizajt, Gjilanit, Prishtinës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Pazarit të Ri, Rozhajës, Pejës, Plavës, Gucisë, Gjakovës, Prizrenit) me Shqipërinë. Me të përfunduar Lufta e Parë Botërore (nëntor 1918), në janar të vitit 1919 Fuqitë Aleate (SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Italia) u mblodhën në Paris për të vendosur mbi paqen në Evropë e rrjedhimisht edhe ndryshimin e kufijve të saj.

Gjatë kësaj kohe, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me kryetar Hoxhë Kadri Prishtinën, u tregua mjaft aktiv që Konferencës së Paqes në Paris t’i ofronte prova të pa kontestueshme për shqiptarësinë e Kosovës, mizoritë serbo-malazeze e bullgare, që ishin ushtruar ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1918 si pasojë e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913, të cilat copëtuan Kosovën dhe vise të tjera shqiptare në kurriz të monarkive pushtuese ballkanike. Në këtë kontekst, ky Komitet i dërgoi kësaj Konference edhe statistika të popullsisë, të cilat argumentonin se popullsia e përgjithshme e Kosovës dominohej nga shqiptarët. Sipas një statistike të popullsisë së Kosovës, të hartuar nga ky Komitet, e cila është e përafërt me regjistrimet e mëparshme dhe konsiderohet e besueshme, sepse tregon për zvogëlimin e popullsisë së përgjithshme të kësaj treve shqiptare si pasojë e kolonizimit serb, vrasjeve dhe emigrimit të shqiptarëve e popujve të tjerë gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, Kosova kishte një popullsi të përgjithshme prej 1.065.960 banorë, nga e cila 881.989 (82.74%) ishin shqiptarë, 99.952 (9.37%) serbë, 47.781 (4.48%) bullgarë, 30.462 (2.85%) boshnjakë, 3.955 (0.37%) turq, 1.115 (0.10%) hebrenj, 650 (0.06%) grekë dhe 56 (0.005%) vlleh.

 Në këtë statistikë të popullsisë, pos 18 qendrave administrative, përfshihej edhe numri i përgjithshëm i popullsisë së Tetovës dhe rrethinës. Sipas kësaj statistike në Tetovë dhe viset përreth kishte 58.750 banorë, prej të cilëve 48.460 frymë ose 82.48% ishin shqiptarë, 5.340 frymë ose 9.08% ishin bullgarë dhe 4.950 frymë ose 8.42% ishin serbë. Pra, në këtë qendër të Kosovës banonin vetëm tri komunitete kryesore etnike: shqiptarët, bullgarët dhe serbët. Duhet theksuar se statistika në fjalë u përdor nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, për t’i tërhequr vëmendjen Konferencës së Paqes në Paris, që Fuqitë Aleate të gjykonin objektivisht ndaj shqiptarëve të Kosovës e viseve të tjera shqiptare dhe të vendosnin e njihnin bashkimin e kësaj treve (përfshi edhe Tetovën) me Shqipërinë.
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...