Published On: 22 Tetor, 2016

Vetëvendosje, kriminelë gjyqtarët që liruan Nuhi Ukën

Lëvizja Vetëvendosje mbajti sot konferencë për shtyp në lidhje me vendimet e fundit të sistemit të drejtësisë. Deputetja Albulena Haxhiu dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi, i quajtën këto vendime skandaloze dhe të padrejta.

Deputetja Haxhiu përmendi fillimisht aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për mbylljen e seancave ndaj ish kreut të Gjykatës së Apelit, Sali Mekajt, i cili nga afera “Pronto” dëshmohet të jetë njeri i këtij klani brenda drejtësisë, transmeton Koha.net.

“Gjykata vendosi që të përjashtojë mediet dhe publikun në seancat gjyqësore edhe përkundër faktit se edhe me Kushtetutën e Republikës, por edhe me Kodin e procedurës penale garantohet transparenca dhe publiciteti i seancave gjyqësore. Duke keqpërdorur Kodin e procedurës penale, ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, po fshihen prapa seancave te mbyllura”, tha Haxhiu në lidhje me këtë rast.

Kurse, më pas nga deputetja u përmend rasti i Nuhi Ukës, të cilin Gjykata Themelore e Prizrenit e shpalli të pafajshëm. E për këtë, ajo tha se sistemi i drejtësisë ka marrë rolin e mbrojtësve të krimit.

“Ky sistem është dëshmia më e mirë e përmbysjes së brendshme të këtij sistemi në veçanti, por edhe aparatit shtetëror në përgjithësi si kuptim i shtetit të së drejtës. Kjo përmbysje vjen nga vetë antagonizmi i brendshëm i cili është vënë në shërbim të krimit të organizuar dhe grupeve kriminale që veprojnë në Kosovë dhe janë instrumente të drejtpërdrejta të subjekteve politike në pushtet”, shtoi më tutje Haxhiu.

Haxhiu tha më pas se janë dy përbërës që e përkufizojnë morfologjinë e krimit të kryer dje nga Gjykata Themelore ne Prizren.

“Përbërësi i parë përfaqëson standardin e dyfishtë të gjyqësisë, me ç’rast kur vije puna te njerëzit e sojit të Nuhi Ukës, Adem Grabovcit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Isa Mustafës, drejtësia merr petkun e provës së drejtpërdrejt në bazë të pohimit, ndërkaq në rastet e kundërshtarëve politik ai ka tipar interpretues dhe sugjestiv”, deklaroi ajo.

Ndërkaq, më pas tha se përbërësi i dytë përfaqëson një sistem të kurdisur i cili pushon se vepruari nga rasti në rast.

“Kur trajton rastet e Nuhi Ukës, Xhabir Zharkut, Ramadan Mujës, të tjerëve si këta, pushon së vepruari deri sa gjendja juridike dhe faktike nuk kthehet në favor të kriminelëve, ndërsa është tejet aktiv dhe azhur tek përndjekja e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kujdeset maksimalisht që për veprimet politike, lënda të mos parashkruhet, në rastin konkret tek aksioni politik ndaj EULEX-it në vitin 2009”, theksoi deputetja Albulena Haxhiu.

“Lirimi i Nuhi Ukës dhe shokëve të grupit kriminal në mungesë të provave dhe parashkrimi i veprave të tjera që janë kryer në shërbim të veprës kryesore, është sabotim i dyanshëm. Në njërën anë prokuroria saboton Gjykatën duke bërë ndjekjen penale sa për sy e faqe, dhe në anën tjetër sabotimi i gjykatës ndaj prokurorisë me pasivitet të qëllimshëm të gjykatës për mos të vepruar brenda afateve të arsyeshme e bie procesin gjyqësor në gjendje të parashkrimit të veprave penale për shkak të parashkrimit absolut”, tha ndër të tjera Haxhiu.

E në fjalën e tij, Sami Kurteshi përmendi Nuhi Ukën, Sali Mekajn e Nazmi Mustafin, të cilët kanë pasur pozicione të ndryshme në sistemin e drejtësisë, e për të cilët tha se këta janë vetëm disa shembuj, por s’janë as fillimi e as fundi i sistemit të drejtësisë.

Kurteshi tha se me rastin “Uka” ka një dëm që është konstatuar nga vetë gjykata dhe ekspertët e kësaj fushe, mbi 60 milionë euro, dhe konsekuencat qesharake në këto raste janë dëshmia me e mirë për gjendjen e tërësishme të drejtësisë në Kosovë.

Ai tha se ky pushtet ka kapur çdo institucion, fillimisht drejtësinë, e përfshirë edhe institucionet e pavarura, gjë që ka shkaktuar humbjen gati totale të besueshmërisë në drejtësinë institucionale.

“Si pasojë e mëtutjeshme e humbjes së besimit në drejtësinë institucionale, që do të duhej të ishte edhe drejtësi shoqërore, kemi një pasiguri pothuajse totale që për pasojë të radhës do të kishte tendencën për siguri personale të njerëzve. Dhe kjo tendencë nuk çon askund tjetër, veçse në krijimin e ligjit të fortit”, tha Kurteshi, për të shtuar se në Kosovë drejtësia e të fortit po krijohet duke kriminalizuar institucionet shtetërore.

Dhe për këtë, Kurteshi tha se nuk është fare e rastësishme që institucioni i gjyqësorit ka besimin me të ulët në mesin e institucioneve të Kosovës, sipas shumë hulumtimeve, me ç’rast përmendi një raport të vitit të kaluar, sipas të cilit besimi në gjyqësor është vetëm 17%. E nivel jo shumë më i mirë i besimit është edhe në Prokurori sipas të njëjtave hulumtime, të cilat po ashtu e nxjerrin si rrezikun më të madh të brendshëm të Kosovës krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Besimi në drejtësinë institucionale dhe shoqërore ka një rënie lineare të përhershme. Kjo nuk është veç opinion i publikut të brendshëm, por kjo rrjedh edhe nëse i shohim edhe raportet e progresit të BE-së”, deklaroi Kurteshi.

Më tej ai shtoi, se këto raporte për 6 vite rresht konstatojnë se sistemi i drejtësisë është në stadin fillestar dhe se nuk ka as minimalisht progres, duke thënë poashtu se derisa të kemi konstatime të tilla në këto raporte, nuk do të ketë asgjë në lidhje me liberalizimin e vizave.

Si përfundim, nga të dy u konstatua se qytetari i Republikës së Kosovës e ka për model të drejtësisë, modelin e një sistemi të kapur i cili është në shërbim të mafisë politike dhe të tjerëve që janë të lidhur me ta, duke shtuar se qytetarët nuk mund të presin drejtësi pa ndryshimin rrënjësor të sistemit politik.

“Me këtë sistem politik, drejtësi do te kenë vetëm grupet e krimit të organizuar dhe shërbëtoret e klanit Pronto. Ndërsa qytetarët do të jenë lubrifikanti për mirëmbajtjen e këtij sistemi, i cili mund te jetë çdo gjë përveç ai i drejtësisë”, u përfundua në këtë konferencë.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...