Debate Lajmi Levizes

Vetëvendosje “kërcënon” Thaçin me Gjykatë kushtetuese

Presidenti i Kosovës tashmë ka caktuar datën e mbajtjes së seancës konstituive me 3 gusht. Por Lëvizja Vetëvendosje e cila nuk iu përgjigj ftesës së takimit, thotë se detyrë e presidentit është vetëm ta caktojë datën, e jo të bëjë lojëra politike, ashtu siç po vazhdon të bëjë.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosje thotë se Thaçi, po sillet si president vetëm i PAN-it, të cilit i dhuroi edhe dhjetë ditë peshqesh që të mund t’i bëjnë numrat, të cilët sipas tij siç po duken nuk i kanë.

“Presidenti i Kosovës e ka vetëm një kompetencë. Kompetencën e thirrjes së seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nuk i takon atij të bëjë lojëra politike, me të gjitha subjektet kinse ai po i thërret, kinse ai është garantues i stabilitetit institucional. Në momentin kur rolin e tij po e kryen vetëm si një president partiak, si një president i PAN-it. Ai qëllimisht e zvarriti gjithë këtë kohë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve duhet të shpallet data e konstituimit të Parlamentit të Kosovës. Pastaj vjen radha e krijimit të Qeverisë dhe e të gjitha fazave tjera. Presidenti nuk ishte në krye të detyrës kushtetuese për të caktuar datë konstituive për themelimin e Kuvendit. Përveç kësaj tash edhe 10 ditë tjera ua dha si dhuratë koalicionit PAN. Kjo është simptomë që ata nuk i kanë numrat për krijimin e Qeverisë dhe e morën një peshqesh nga presidenti Thaçi, që t’i kenë edhe dhjetë ditë, derisa të mund t’i bëjnë numrat me ato procedurat e tyre të shitblerjeve të posteve publike e kështu me radhë. Pra presidenti po na tregon që nuk është president i Kosovës dhe i kushtetutës, është president i koalicionit PAN”, tha Konjufca për KosovaPress.

 Sa i përket seancës së 3 gushtit dhe votimit të kryeparlamentarit, Konjufca thotë se VV-ja nuk do ta votojë Veselin si kryetar i Kuvendit, pasi që siç thotë ai “ai është në krye të krimit të organizuar, sa i përket politikës e po ashtu dhe kapjes së shtetit”.

“Ne nuk e votojmë Kadri Veselin për kryeparlamentar të Kosovës. Kadri Veseli është figura kyçe e të ashtuquajturit, proces i kapjes së shtetit, të cilin aq shumë e ka shpjeguar dhe Ramush Haradinaj. Tash ai është bërë bashkë me Kadri Veselin në kapje të shtetit. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon qëndrimin e saj të palëkundur konsistent që Kadri Veseli përbën shkelësin kryesor të interesit të qytetarëve dhe ai që në mënyrë konsistente e ka dhunu interesin e qytetarëve të Kosovës, ka tjetërsuar drejtësinë, e ka kapur gjyqësorin, e ka ngufatë Kosovën ekonomikisht. Institucionet e pavarura i ka kthyer në institucione partiake dhe mbrojtjes së interesave klanore dhe është një njeri, i cili është në krye të krimit të organizuar sa i përket politikës. Kështu që në asnjë mënyrë Kadri Veseli që të votohet. Lëvizja Vetëvendosje në këtë mënyrë po vazhdon t’i mbajë vlerat e veta. Kurse Ramush Haradinaj vetëm se Kadri Veseli po e bën kryeministër, ai i shiti të gjitha vlerat, të cilat i mbronte deri në momentin kur u propozua kryeministër nga koalicioni PAN”, tha ai.

Ndërsa, sipas Konjufcës, metoda përmes së cilës po mundohen ta konstituojnë Kuvendin dhe të krijojnë mazhorancën parlamentare, e dëmton shtetësinë dhe e dëmton demokracinë, pasi që vota e qytetarit nuk shitet dhe as nuk blihet. Sipas tij koalicioni më i shëndetshëm për Kosovën, do të ishte një shumicë parlamentare e cila nuk varet nga Beogradi dhe nga kushtëzimet e Listës Serbe.

Konjufca thotë se në rast se dështon koalicioni PAN në krijimin e Qeverisë dhe presidenti nuk i jep mundësi mandatarit të dytë, atëherë do ta çojnë në Kushtetuese.

“Ne do ta qojmë Thaçin në kushtetuese. Tashmë të gjithë ekspertët edhe ata që kanë qenë kryetarë të Gjykatës Kushtetuese po edhe kryetarja aktuale e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama, me interpretimet e tyre kanë thënë qartë se, nëse herën e parë koalicioni PAN nuk mund ta krijojë shumicën parlamentare, të krijojë numrat për Qeverinë dhe nëse presidenti refuzon t’ia jap mandatarit të dytë mundësinë për ta krijuar Qeverinë, kurse mandatari i dytë e argumenton që i ka shumicën parlamentare, atëherë të gjithë ekspertët e Gjykatës Kushtetuese deri tash e kanë bërë fare të qartë, se kjo do të ishte një shkelje e vullnetshme e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ky do të ishte një veprim i rëndë dhe presidenti Thaçi do të duhej të jepte përgjegjësi nëse e bënë një veprim të tillë, një shkelje të tillë, atëherë me siguri se do të shkarkohet si president i republikës së Kosovës”, tha ai.

Sot presidenti Hashim Thaçi ka caktuar për 3 gusht mbajtjen e seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës. Thaçi kishte ftuar për të caktuar datën e seancës të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare, por takimin e bojkotuan Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni LDK-AKR dhe Alternativa si dhe Lista Serbe.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *