Published On: 30 Tetor, 2016

Veteranët kërkojnë ndryshim të ligjit për statusin e tyre

Organizata e Veteranëve të UÇK-së do të kërkojë ndryshimin e Ligjit për statusin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati ka thënë se ligji aktual ka shumë mangësi andaj duhet të ndryshohet. Megjithatë, ende kërkesën nuk ia kanë prezantuar ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, ndonëse janë takuar me të. Por, ndryshimi i ligjit, nuk do të thotë se do të ndikojë në ndryshimin e numrin e veteranëve.

Udhëheqja e re e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka marrë detyrën në kohë kur Qeveria shprehet e shqetësuar për numrin e madh të veteranëve, krahasuar me mjetet parpara për pensione për këtë kategori.

Duke pasë parasysh këtë, udhëheqja e re e Organizatës së Veteranëve ka paralajmëruar ndryshimin e Ligjit për verifikimin e statusit të veteranit, invalidit dhe dëshmorit të UÇK-së. Kreu i kësaj shoqate, Hysni Gucati thotë se ligji duhet të ndryshojë, ngase ka dhënë mundësi për shtimin e numrit të veteranëve.

“Gjithqysh do ta kërkojmë. Do të kërkojmë rishikim të ligjit, sepse nuk është ligji tamam i mirëfilltë”, tha Gucati, për Radio Kosovën.

Se duhet të ndryshohet ky ligj, pajtohet edhe anëtari i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit dhe veteranit të UÇK-së, Sadik Halitjaha. Por, ndryshimi i ligjit, sipas tij, nuk do të ndikojë në numrin e veteranëve.

“Por, ndryshimet në ligj, nuk do të thotë se ndryshojnë në numër të veteranëve, ndryshojnë në vlerësimë të veteranëve, në kategori të veteranëve, sepse duhet të kategorizohen veteranët sikur që i ka Kroacia, që i ka të artë, të agjendtë dhe të bronztë. Ne duhet t’i kemi qoftë ashtu, qoftë me numra apo A, B, C, D dhe kategorizimi i veteranëve dhe përshtatshmëria e ligjit për vlerësim është më e drejtë nëse edhe njëherë rikorrigjohet ligji”, tha Halitjaha, për Radio Kosovën.

Kryetari i veteranëve të UÇK-së, konsideron se fryerja e listave është bërë nga Qeveria për të paktën 3 mijë vetë. Sidoqoftë, edhe nëse ndryshohet ligji dhe kërkohet rishikimi i listave, sipas asaj që thotë anëtari i Komisionit për verifikim, Sadik Halitjaha, nuk priten ndryshime në lista.

“Edhe nëse do të ketë rishikim do të jenë të njëjtit njerëz që do ta rishikojnë për shkak se nuk ka njerëz të tjerë në zinxhirin komandues”, tha Halitjaha.

Në takimin e parë që drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, kanë pasur me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, nuk e kanë përmendur kërkesën e tyre për ndryshimin e ligjit. Ministri Abrashi ka thënë për Radio Kosovën se gjatë këtij takimi është biseduar më shumë për kërkesat e veteranëve, ndërsa nuk ka dhënë përgjigje nëse do ta marrë parasysh kërkesën për ndryshim të ligjit.

Numri i veteranëve sipas Komisionit për verifikim, është rreth 46 mijë, ndërsa prej tyre, siç bën të ditur Qeveria, 28 mijë tashmë përfitojnë nga pensionet dhe deri në fund të vitit numri i përfituesve konsiderohet se mund të arrijë deri në 36 mijë.

Për numrin e madh të veteranëve të luftës ka shprehur shqetësimin edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Nëse në këtë proces nuk ndodhin reforma, FMN thotë se shpenzimet vitin e ardhshëm do të tejkalojnë shifrën prej 100 milionë euro.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...