Published On: 1 Nëntor, 2016

Veseli prek cakun: Me marrëveshje politike mund të shkohet në zgjedhje

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se vendi ynë ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për procesin e liberalizimit të vizave.

Veseli në pjesën e dytë të intervistës dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka thënë se tani vendi është në një situatë kur na është vënë kriter edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi.

 Ai ka theksuar se ky kriter ka qenë i panevojshëm pasi, sipas tij, ka shumë vende të BE-së të cilat nuk e kanë përfunduar demarkacionin. “Po i përmendi vetëm dy prej tyre, Sllovenia dhe Kroacia”, është shprehur ai.

Veseli ka thënë se pret vendimin e drejtë të BE-së, që kosovarët të lëvizin lirshëm në BE. “Izolimi është i padrejtë dhe bie krejtësisht në kundërshtim me vetë frymën e Bashkimit Evropian, me vlerat themelore të tij”, ka deklaruar kryeparlamentari Veseli.

I pyetur nëse do të kalojë këtë vit demarkacioni me Malin e Zi në Kuvend, Veseli ka thënë se nuk praktikon të lëshohet në parashikime. Megjithatë, ai për këtë çështje kërkon konsensus të gjithë spektrit politik.

“Unë nuk dua të lëshohem në parashikime se kur do të kalojë demarkacioni. Kjo çështje do të duhej kaluar shumë kohë më parë, për arsye se është interes strategjik i Kosovës. Që nga dita e parë kam kërkuar të ketë konsensus nacional sa i përket demarkacionit me Malin e Zi. Një është e sigurt, se çdo vonesë në kalimin e demarkacionit do t’i kushtojë negativisht vetëm Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar Veseli.

Duke folur rreth riformatimit të Qeverisë, Veseli ka bërë me dije se PDK-ja është e gatshme për një proces të tillë.

Ai ka thënë se janë në pritje të kryeministrit Isa Mustafa. “Ne jemi të gatshëm të kryhet riformatimi i Qeverisë. Ne jemi duke e pritur drejtuesin e Qeverisë në lidhje me këtë. Riformatimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës në rend të parë është obligim institucional dhe kushtetues i kryeministrit. Ne do t’i japim përkrahje të fuqishme qeverisjes në vend, në mënyrë që të kemi një qeverisje e cila do të jetë më e prekshme për qytetarët tanë për përmirësimin e jetës së tyre dhe forcimit të shtetit ligjor”, është shprehur Veseli, duke shtuar se, nëse nuk ndërmerr hapa në këtë drejtim kryeministri Mustafa, PDK-ja do të vendosë brenda javës për bartësit e rinj të dy ministrive në Qeveri dhe disa ndryshime të zëvendësministrave.

“Në kuadër të riformatimit të Qeverisë nuk do të kufizohesha vetëm në ndërrimin e disa emrave të ministrave, apo ndryshimin e numrit të ministrive. Çështje fundamentale në një qeverisje është programi qeverisës, politikat zhvillimore. Kosova ka nevojë urgjente për një ambient që sjell investitorët e huaj. Kosova ka nevojë të ketë më shumë prodhim vendor. Kosova ka nevojë që të rinjtë e saj të kenë vende pune. Ky është fokusi im politik dhe, konsideroj, edhe interesi më primar i qytetarëve të vendit”, ka thënë Veseli.

Ai thotë se kjo Qeveri duhet të bëjë edhe më shumë punë. “Edhe po të isha drejtues i Qeverisë nuk do të isha i kënaqur me punën që do ta bëja, sepse do të bëja përpjekje mos të kënaqem vetëm me atë që kemi arritur. Qytetarët duhet të kenë jetë më të dinjitetshme, më të sigurt. Këtu flas për sigurinë shëndetësore, nivelin e edukimit, sigurinë e vendeve të punës”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se koalicioni qeverisës lirisht mund ta çojë mandatin deri në fund. “Ne kemi një koalicion qeverisës i cili është stabil, në të njëjtën kohë kemi një dinamikë të cilën po përpiqemi ta ndërtojmë bashkërisht, një konsensus për çështjet nacionale si demarkacioni dhe Forcat e Armatosura të Kosovës”, është shprehur Veseli.

Ai i është përgjigjur edhe kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme. Sipas Veselit, kërkesa e opozitës për zgjedhje është legjitime pasi, sipas tij, ky është roli i opozitës. “Në qoftë se kemi marrëveshje politike dhe është në interesin e vendit shkuarja në zgjedhje, askush nuk i ndal partitë politike t’i mbajnë zgjedhjet”, ka thënë ai.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se ajo çfarë i nevojitet Kosovës është komunikimi i hapur politik, fryma e marrëveshjes politike për interesat vitale të vendit. Në këtë intervistë, Veseli ka folur edhe për debatin që ka ndodhur ditët e fundit në Kosovë dhe Shqipëri sa i përket vizitës së Edi Ramës në Beograd dhe debatit për identitetin shqiptar.

“S’ka largësi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ka afërsi vëllazërore. Si i thonë një fjale, çfarë ka bashkuar shpirtërisht natyra, nuk mund ta ndajë asnjë njeri. Ne po flasim për dy realitete politike të cilat duhet strategjikisht t’i zhvillojmë, si entitete të pavarura dhe sovrane, por në raporte të shkëlqyeshme me njëra-tjetrën. Identiteti im shqiptar mbetet i njëjtë dhe i pacenuar prej këtij realiteti. Dhe nuk e di pse dikush mund të mendojë se je më shumë apo më pak shqiptar varësisht se je këndej apo andej. Unë jam fanatik i shtetit të Kosovës, në kuptimin e angazhimit të plotë dhe jetësor për zhvillimin e tij, për fuqizimin e tij, për dinjitetin e simboleve të tij, për integrimin në NATO dhe Bashkim Evropian. Shqipëria me disa hapa është para neve, por mos të harrojmë se kemi për t’ua kaluar edhe në futboll, në ekonomi dhe në eurointegrime”, ka theksuar Veseli.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...