Published On: 24 Gusht, 2017

Veprimtarët vriteshin para gruas e fëmijëve – liria me bishta

Gani Mehmetaj: Kujtime (48)

 

Ata e donin një parti, një lider, një televizion, një gazetë dhe një mënyrë të të menduarit. Ata nisën të përpilojnë lista likuidimi, të cilave pastaj u përmbaheshin. Në përpilimin e listave u ndihmonin gazetarë, bashkëpunëtorë të UDB-së. Nuk e fshihnin fare se nuk do të lejonin të menduarit ndryshe, se do ta marrin pushtetin me çdo çmim. Luftën e pronësuan, shtetin e pronësuan, sikur grupi i tyre na çliruan, ndërsa nuk ishin të zotët të mbanin asnjë katund apo rajon gjatë luftimeve. Po të mos futeshin trupat e Aleancës Veriatlantike, ne do të përpëliteshim për jetë a vdekje. Grupet e militarizuara pas luftës e bënë atdheun pronë private, e zhvatnin e rrëmbenin si të ishte pronë e Serbisë e jo e kombit tonë, femrave u bënin shantazhe, burrat i frikësonin.

Historia po përsëritej.   

Ishte atmosferë të cilën mund ta kesh parë nëpër filma, ose mund ta kesh dëgjuar nëpër oda burrash, kur tregonin se si u fut partizani serb e malazez në Kosovë.

Nisën festa pa pushim, zjarre natën e ditën, pakkush punonte, nxënësit i nxorën në rrugë herë për një festë, herë për një protestë. Kishte rrezik të mbesnin në rrugë. Me të vdekurit bënin kapital politik, e përgatisnin terrenin për pushtet. E vetmja pengesë qe KFOR-i e policia ndërkombëtare. KFOR-i i ndiqte vetëm kur tregtonin armë apo kur ndërmjetësonin në drogë, kurse policia ndërkombëtare ishte e flashkët dhe e ngatërruar. Vinin nga vende të ndryshme me tradita të ndryshme. Bota në miniaturë.

SHIK-u i Fatos Klosit me ekzekutorët e vet e shpërfytyroi luftën çlirimtare në Kosovë. Frymën e tolerancës e shndërroi në frymën e likuidimeve të kundërshtarit politik si në vitin 1944-45 , dialogun e motos e kishin ai që nuk është me mua, është armiku im, kurse parullën funksionale të gjithë shqiptarët janë vëllezërit tanë, e deformuan në- armiku më i keq është armiku i radhëve tona. Nisën të kultivonin dyshimin e vazhdueshëm.

Në vend se të merreshin me zbutjen e pasojave të luftës, e bënë vendin rrëmujë, krijuan pasiguri. Në rrethana të tjera do të çmendeshim nga gëzimi, sepse u çliruam, por na pengonte kjo atmosferë e pasigurisë që t’i gëzoheshim lirisë.

Ëndrra e madhe nisi të shndërrohej në makth të madh.  

 

Asnjë njeri në Kosovë nuk ishte i sigurt. Askush nuk e kishte menduar se gjërat do të zhvilloheshin në këtë mënyrë. Tmerrin e policisë serbe, e zëvendësuan hijet e natës  me çorape në fytyrë, që futeshin në shtëpi, shkrehnin breshëri armësh, duke e lënë top në vend viktimën. Ende rrëqethem kur e kujtoj rrëfimin e shoqes sime të klasës, Agime Kotorit nga Peja. Në njërën nga këto net të errëta, ia beh në shtëpinë e saj njeriu me maskë, përleshet me burrin e saj, Shkëlzenin, shkrep disa plumba mbi të, ndërsa ajo me djalin shikojnë të lemerisur. Vrasësi ia mbath pa ferrë në këmbë. “Në atë gjendje tmerri e mora burrin e plagosur e futa në makinë dhe e dërguam në spital që të mos vdiste nga gjakderdhja”.

Sh. Hyseni ishte veprimtar shumëvjeçar i LDK-së dhe kuvendar i zgjedhur me votat e pejanëve. Ajo ishte mjeke që diti ta ndihmonte në çastet kritike, kështu që burri i shpëtoi, por nuk e patën fatin e mirë gratë e tjera t’u shpëtonin burrat.

Nuk ishin këto vrasje nga pasioni, as vrasje për motive të ulëta, ishin likuidime të tipit partizan, pra heqje qafe e kundërshtarëve politikë, që morën votat, por nuk i takonin grupit të caktuar politik.

 

Nesër: Kronika e vrasjeve të paralajmëruara

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...