Published On: 20 Gusht, 2017

“Vendimet e mëdha” të PAN-it, SNS-i i Vuçiqit dhe “zgjidhja e çështjes së Kosovës”

Shkruan: Nehat Hyseni

Qeveria Mustafa, e koalicionit qeverisës LDK-PDK u rrëzua më 10 maj 2017, me “arsyetimin” krtetarit tē PDK-së, Kadri Veselit se “nuk ishte e aftë për marrje” të të ashtuquajturave “vendime të mëdha”. Deri në këto momente askush në Republikën e Kosovës, mbase, nuk e din se çka kishte menduar z. Veseli me këtë shpikje të tij, edhepse u stërpërsërit shumë herë nga bashkëpartiakët e tij si “argument” për domosdoshmërinë e shpërbërjes së Kuvendit dhe Qeverisë Mustafa dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare më 11 qershor 2017. “Dashakeqët” dhe analistët e pabindur politik sqaruan se qëllimi i Kadri Veselit dhe partisë së tij kishte të bënte me faktin se LDK ishte “shtrydhur si limoni” dhe nuk i nevoitej më Kosovës (lexo: PDK-së), meqë me votën e saj, Hashim Thaçi tanimë ishte bërë President në mbledhjen e 26 shkurtit 2016, në kushte të protestave gjithëpopullore, të cilave u doli zot “politikisht” Lëvizja Vetëvendosje. Nga ky moment, sa duket, PDK e Kadri Veselit mendoi se e “kaloi lumin” dhe i tha publikisht LDK-së, si i thotë fjala popullore, ta “dh..fsha atin”! Prandaj, u bë shpikja “gjeniale” kinse Qeveria Mustafa nuk është e aftë për marrje të “vendimeve të mëdha”?! Por, dorën në zemër, askush në Kosovë dhe më gjërë, as nga shqiptarët e as nga ndërkombëtarët nuk e kuptoi fare se për çfarë saktësisht e kishte fjalën Kadri Veseli? Prandaj, në raste të tilla, kur askush nuk kupton asgjë, atëherë zakonisht ndodhë që, meqë u vie turp të mos kuptojnë dhe ta vëjnë në pikëpyetje aftësinë e tyre personale e institucionale për ta kuptuar “të vërtetën” e thënë publikisht, zyrtarisht e institucionalisht nga lideri i këtillë, atëherë secilit nuk i mbetet tjetër, pos që të “nënkuptoj” gjithçka. Kështu, disa nënkuptuan” demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke e fajësuar LDK-në dhe Isa Mustafën se “nuk është i aftë për vendime të mëdha”. Por, dreq o punë, akoma pa e formuluar qartë “dyshimin” e këtillë, atyre iu kujtua e vërteta e hidhur se kjo vlente realisht më shumë për PDK-në se se sa për LDK-në! Disa të tjerë ishin të prirur t’i besonin Hashim Thaçit dhe betimit të tij publik se “do ta transformoj FSK-në dhe do ta formoj Ushtrinë e Kosovës me çdo kusht”. Në të kundërtën, ai u betua publikisht se “do të jap dorëheqje nga posti i Presidentit dhe nga politika”! Obobooo! Natyrisht se të gjithë kosovarët, pa dallim partiak e ideologjik, i kapi paniku i dyfishtë: Vallë, si do t’ia dalim pa Hashim Thaçin President? Kurse, të tjerët ishin tmerruar se si i bëhet halli që të vendosim kundër ShBA-ve dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për formimin e Ushtrisë, apo Forcave të armatosura të Kosovës (FAK) pa ndryshimet përkatëse në Kushtetutën e Kosovës?! Si do t’ia dalim të vetëm kundër Amerikës dhe partnerëve të tjerë strategjik e miqëve ndërkombëtarë? Pra, edhepse të gjithë e dinin realitetin e kaçikut politik dhe fatin e këtyre “betimeve ultimative”, megjithatë pak a shumë të gjithë heshtën. Edhe ata që i besuan dhe ata që nuk i besuan sinqeritetit të tij. Aq më pak i besuanmundësisë reale të realizimit të atyre “premtimeve”. Ndërkaq, rastësisht ose jo, në radhët e politikbërjes së “fqinjit tonë verior”, Serbisë, Presidenti Aleksandar Vuçiq, me rastin e fjalimit të tij inaugurues më 31 maj 2017, solemnisht deklaroi se “ka ardhur koha e vendimeve të mëdha për zgjidhjen e problemit të Kosovës”! Meqë Partia Përparimtare Serbe (Srpska Napredna Stranka – SNS), kryetar i së cilës është edhe si President, sepse ia lejon Kushtetuta e Serbisë, ka shumicën absolute të Parlamentit, shumicën e ministrive dhe kryeministrin, fuqia politike e tij realisht është e madhe. Mbase, ai është politikani më i fuqishishëm i Serbisë pas Sllobodan Millosheviqit. Prandaj edhe besueshmëria ndaj deklaratave të tia politike është e madhe, sidomos kur deklaron se “ka ardhur koha për vendime të mëdha për Kosovën”, pikërisht në kohën e kulmit të fushatës parazgjedhore, 11 ditë para mbajtjes së tyre në Kosovë! Por, edhepse PDK për herë të parë pa Hashim Thaçin, me Kadri Veselin në krye, sipas tyre u përgatitën mirë me koalicionin parazgjedhor PAN (PDK-AAK-Nisma), si “krah i luftës” dhe “i aftë për marrje të vendimeve të mëdha” dhe llogaritej se në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit 2014 të kishte mbi 50% të votave, që do i mjaftonin për ta fituar postin edhe postin e kryeministrit në Kosovë, ashtu si SNS-i i Vuçiqit në Serbi, megjithatë ndodhi “çudia” e pabesueshme dhe PAN fitoi vetëm 39 deputetë shqiptarë, kundrejt VV me 32 dhe koalicionit LAA (LDK-AKR-Alternativa) me 29 deputetë shqiptarë, dmth 39 përkundrejt 61 deputetëve shqiptarë. Natyrisht, kjo u kuptua si “katastrofë e vërtetë” e PDK-së. Por, zotërinjtë e PAN-it edhe përkundrejt kësaj humbje katastrofale e deklarojnë veten paturpësisht dhe sillen si “fitues” të zgjedhjeve të 11 qershorit dhe kanë bllokuar zgjedhjen e instituciove të Kosovës. Duke i falemnderuar aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës të vitit 2014 dhe “meritave” të veçanta të ishkryetarit të saj, Enver Hasanit, e drejta ekskluzive e propozimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës u është siguruar si monopol politik dhe rrjedhimisht edhe si mundësi shtetbllokimi të vendit. E gjithë kjo anomali është duke ndodhur me ndihmën e deputetëve të minoriteteve, të cilët janë “uzurpuar” nga koalicioni PAN. Prandaj, Lista Srpska e dirigjuar nga Beogradi dhe deputetët e tjerë të minoriteteve nuk mund të thuhet se janë neutral. Përkundrazi, ata e treguan qartë veten se nga janë në të gjitha mbledhjet e deritanishme të Kuvendit të Kosovës, që nga 3 gushti 2017. Pretendimet e PAN-it dhe të Ramush Haradinajt për postin e Kryeministrit me pakicën shqiptare dhe me minoritetet do të ishte e varur funksionalisht dhe praktikisht nga Vuçiqi dhe mbase do të bashkëpunonin për marrje të “vendimeve të mëdha” dhe zgjidhjes së problemeve të Republikës së Kosovës sipas vullnetit dhe diktatit politik të Beogradit. Poqese minoritetet do e kishin me seriozitet deklarimin e tyre se do të jenë “me ata të cilët do ta kenë shumicën”, atëherë ata do të radhiteshin me LAA dhe VV, që i kanë 61 deputetë dhe realisht paraqesin shumicën absolute të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve u përket e drejta demokratike për formimin e institucioneve dhe për qeverisjen e Republikës së Kosovës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2017-2021.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...