Published On: 22 Gusht, 2017

Veç ndrrim qimesh në lëkurën e agresivitetit serb

  • As ne “nuk e marrim vesh” se pse do të fitojë në Kosovë dhe çfarë përfitimesh kërkon të arrijë Vuçiq nëpërmes “bisedimeve dhe marrëveshjes” në një Kosovë unike të Pavarur dhe multietnike?

Genc Drin

DIPLOMACI AGRESIVE POLIVALENTE SERBE (2)

VIJIM 2

Nëpërmes monologut “Vuçiq” dhe gjykimeve të tjera, kemi ardhë tek ballafaqimi i dy koncepteve në politikën serbe. Koncepti i parë “Vuçiq”, “I fton” serbët për bisedime dhe marrëveshje të mundëshme me shqiptarët për të fituar pa konflikt, sepse sipas Vuçiq është momenti sot, rrethanat ndërkombëtare e favorizojnë Serbinë. Koncepti i dytë, si shëmbull morëm diplomatin Jovanoviç, që shprehet që “Interesat e Serbisë nuk duhet të nxitohen për të përfunduar zgjidhjen e kësaj çështejeje” dhe konsideron se “koha punon për Serbinë dhe jo për Perëndimin, dhe serbët duhet të presin kur koha do ti vërë në vështirësi sponzorizuesit e pavarësisë së shqiptarëve. Sidoqë e ardhmja është e pa parashikueshme, pa u marrë me probabilitetin teorik, në mes këtyre rrugëve ka një ndryshim të madh.  Në këtë rrugën të dytë kërkohet të rrihet në pritje për një kohë që mendohet se do vijë më favorizuese për serbët, për të nisur një luftë tjetër me shqiptarët, për të fituar dhe futur sërish në vathën Serbi “Kosovën, “këtë përbindësh” shtetëror në zemër të Evropës, i cili nuk njihet nga shteti i Serbisë”. Kjo rrugë është e njëjtë me variantin “milosheviç” instrumente të të cilit qenë Vuçiq dhe Daçiq. Por sidoqë ka gjasa të ndodhin ndryshimet që kjo rrugë parasheh, prap ardhja e asaj kohe që pritet është hipotetike. Ajo kohë nuk egziston realisht sot edhe mund të mos vijë kurrë. Në këto rethana, ka mundësi siç shkruan Vuçiq, përfaqësues të rrugës së forcës të lozin për politikë rivaliteti të brëndshëm për pushtet: “të lozin viktimën se dikush, dikujt, në fund të fundit, ‘do t’ia japë Kosovën’ dhe për kënaqësinë e tyre, do të barte pasojat.” Ndërsa në rrugën e parë ‘vuçiq’ gjykohet për një situatë aktuale egzistente, pas humbjes së luftës nga serbët po që sipas Vuçiq në rolin e pragmatistit këtë radhë, pra është favorizuese për serbët dhe duke shmangur luftën që kanë në kokë serbët po nuk e bëkjnë dot, mund tu sjellë një fitore pa konflikt nëpërmes një marrëveshjeje me shqiptarët, por ku duhet “të lëshojnë pe të dy palët”. “Nëse të dy palët nuk janë të gatshme të humbasin diçka, atëherë nuk do të ketë rezultat të mirë dhe konflikti do të zgjas përgjithmonë. Kjo do të dëmtonte të dy palët”. Përse duhet të lëshojnë shqiptarët nga Kosova që është e vetja nuk na e thotë. Vuçiq u thërret me të madhe serbëve që pasi i kanë provuar të tëra duhet ta kuptojnë që ky është rasti më i mirë maksimalist që nuk duhet tu ikë nga dora. E për ata në Serbi që kuptojnë perspektivën dhe ajo “diçka që serbët “do tu lëshojnë” shqiptarëve me një dorë, është paraprogramuar që tu merret me dorën tjetër. Atyre që nuk kuptojnë se kështu fitohet gjithçka, u tregon rrethin viçioz, absurd, pa sens në të cilin sillen: ‘Përndryshe do ta ruajmë konfliktin, kuptimin e të cilit nuk e marr vesh’. Në kuptimin përse do të na duhej konflikti që veç tjerash do ishte rrënues përderisa fitojmë maksimumin e mundshëm me “bisedime dhe marrëveshje?

As ne “nuk e marrim vesh” se pse do të fitojë në Kosovë dhe çfarë përfitimesh kërkon të arrijë Vuçiq nëpërmes “bisedimeve dhe marrëveshjes” në një Kosovë unike të Pavarur dhe multietnike? Këtë na e tregon konkretisht me plot gojën Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq: ‘Demarkacion’ për ‘serbët dhe shqiptarët’, “për mbrojtjen e serbëve ndër vite”. Të gjithë këtu panë kërkesën serbe për ndarjen e Kosovës dhe lëshuan alarmin. Po meqë e di që realiteti Shtet i Kosovës me kufinj të përcaktuar nuk kalohet dhe ndarja nuk përputhet as me vullnetin ndërkombëtar, atëherë Daçiq presionin e ngren në nivel banditesk, kërcënim me luftë, dhe shantazh. Në propozim për caktim kufijsh të Kosovës që “do të eliminonte “shkaqet e luftës’ ndërmjet serbëve e shqiptarëve dhe shton: ‘Bëhet fjalë për caktim kufijsh e jo për ndarje…’ ‘Ne s’i kemi përcaktuar kufijtë me Bosnjë e Hercegovinën e lëre më me krijesën që veten e quan Kosovë e pavarur’. ‘Ekziston mundësia që të bëhet një marrëveshje afatgjatë, e në pjesët ku jetojnë serbët kurrë nuk do të ketë Kosovë të pavarur ose kjo është e mundur por vetëm me tanke’, ka thënë Daçiq. Kërkesën për të ndarë Kosovën dhe marrë një pjesë të territorit të Kosovës Daçiq e quan me lehtësinë më të madhe përcaktim kufijsh. Një agresivitet deri në sarkazëm nga ai. Kërcënon me një luftë tjetër në mes serbëve dhe shqiptarëve. Me luftën për grabitje territoresh Daçiq dhe serbët në pjesën më të madhe nderojnë shkollën e tyre politike agresive, pushtuese serbe shekujsh, kurr të ndryshueshme.

Por asgjë nuk duhet ta kalojë kufirin kritik në politikën dhe diplomacinë serbe dhe atëherë duke e parë se Daçiq shfaq haptas ambiciet e tejskajshme dhe e ka zhveshur më tepër se duhet etjen e zharitur serbe për luftë dhe pushtime, Kryetari i Partisë Liberale Demokratike të Serbisë Jovanoviq alarmohet: ‘Nëse nuk mund t’i heshtin promotorët e ideve të viteve të 90-ta,(shënim, si Daçiq po dhe Vuçiq qe i tillë) si mund të na bindin se janë seriozë në qëllimin për t’u marrë vesh që vendin ta nxjerrim nga gërmadhat e përgjakshme në të cilat ka përfunduar për shkak të politikave po të viteve të 90 –ta?“ Është e pakuptimtë të besohet në dialogun që na duhet aq shumë përderisa Daçiq persekuton rreth ndarjes së Kosovës sikur në kohë më të mira të Milosheviqit, Koshtunicës e Tadiqit”. Serbët, si Jovanoviç e quajnë të pa besueshëm dialogun që propozon presidenti. Shqiptarët kanë vijën e kuqe që nuk mund ta kalojnë serbët, Shtetin e Kosovës me kufinj të përcaktuar. Forcimi i shtetit është detyra e shqiptarëve. Jo futje në kurthat e labirinteve mashtruese sugjestive kamaleonike të diplomacisë agresive polivalente serbe që synon të fusë duart në Kosovë për coptimin e saj.

Por Daciqi zhurmë madh a mos e “ka bërë dëmin e madh”, aq derisa Kryetari i LPD, Jovanoviq ka kërkuar sot që Kryetari i Shtetit Serb dhe Kryeministrja e Serbisë menjëherë t’u vënë pikë sjelljeve të Ivica Daçiqit, “t’ia qepin gojën” dhe kështu ta ndalojnë promovimin e ndarjes së Kosovës.’ A mos kemi të bëjmë edhe me një luftë brënda serbëve dhe brënda stafit qeveritar? Sidoqë ka nuanca, kemi të bëjmë vetëm me paradën e llogaritur të “platformave “ serbe në gamë të gjërë, si shpalosje armësh serbe para shqiptarëve dhe botës. Daçiq, nuk paska mësuar e ndryshuar ashtu si ka ndryshuar si Vuçiq na tregon për vete e megjithatë Vuçiqi e ka në krah të djathtë..!.E kështu Vuçiqi “enigmatik” mbetet “ i lirë në lojën e tij për marrëveshje…Brënda këtij komoditeti ekstrem që i ka krijuar vetes Vuçiq duke luajtur me dy kartat, ai shkruan: “Është koha që Serbia të punojë, të mendojë dhe të fitojë. Të fitojë pa konflikte. Unë jam i bindur se qysh sot ne jemi në gjendje ta bëjmë këtë gjë.”

letra “vuçiq” synon shqiptarët

Por e veçanta është krejt tjetër, me letrën e tij drejtuar serbëve Vuçiq synon më tepër shqiptarët dhe u thotë e shihni sesa vështirë “e kam unë me serbët”që nuk lëshojnë pe? Dhe gjindet një kryeministër shqiptar që nis e ia qan hallin…deri në pikë të hallit…!? Prandaj vijon Vuçiq përgatituni të lëshoni, e ka fjalën lëshoni nga Kosova që është shqiptare, dhe fërkon duart kur kujtohet se në bisedimet e deritashme teknike serbët kanë përfituar aq shumë sa nuk e kanë pritur dhe nga kjo iu është shtuar oreksi. Aq përfituan sa shqiptarët lëshuan dhe thirjen protestë kundër drejtuesve të vet: “Lësho Thaç lësho” që i drejtohej jo vetëm atij po krejt politikës pa kokë që iu nënshtrua paranojës së lëshimeve. Letra “vuçiq” përpiqet të shkojë më tej, ti shkëpusë shqiptarët nga të menduarit direkt nga këndvështrimi shqiptar dhe interesat shqiptare. Ti yshtë që të shohin më parë “hallet” e mëdha, interesat serbe dhe vetëm më pas vetëm ça të mbesë për ato shqiptare. Do të sillet sikur serbët ta kishin fituar luftën, dhe janë ata që përcaktojnë linja, venë kushte. Është krejt e kundërta. Shqiptarët e fituan luftën, fituan Kosovën e vet. Edhe me ndihmën e NATO-s në v.1999. Liruan territoret shqiptare nga pushtuesi serb, shpallën pavarësinë e Shtetit të Kosovës. Kështu e plotësuan kushtin e tyre. Kusht që iu imponua që nga viti 1897 kur me ndihmën e rusëve serbët i pushtuan territoret shqiptare. Pas luftave ruso-turke dhe Vendimeve të Kongresit të Berlinit. Që në atë çast sllavët shkatërruan perspektivën historike të shqiptarëve për bashkim kombëtar të të katër vilajeteve me troje dhe popullsi shqiptare. I shkaktuan shqiptarëve një dëm të tmerrshëm pa pyetur fare për gjakun shqiptar rrëke, dhe pa kursyer as ushtarët e vet. Prap të mbështetur nga rusët të tjera territore pushtuan gjatë luftave Ballkanike më 1912-13. Në Luftën e 2 Botërore mashtruan me të drejtën e vetëvendosjes, më pas me vëllazërim pajtimin derisa iu futën luftës shfarosëse të shqiptarëve e jo vetëm të shqiptarëve, pas v. 90. Dhe mos thotë kush si çilimi se këto i bëri ky apo ai politikan, se “Tito, Rankoviqi, apo Milosheviçi, qenë të mirë… “. Jo është politika serbe që i pjell vazhdimisht emrat “që duhen”, me cilësitë që duhen për të fituar në çdo situatë. Dhe tash pasi kanë dështuar në shumë skenare që provuan, dëshpërimi serb nxjerr Vuçiqin që “me bisedime” të përpiqet për të marrë diçka në Kosovë. Daçiq bërtet për luftë dhe si zëdhënës i Vuçiqit. Por e kanë kuptuar,ashtu siç e shpreh Vuçiq se “veprimi ushtarak në veri të Kosovës do sillte fundin e Serbisë”. David L. Phillips gjykon se: “Skenari për aneksim të veriut të Kosovës nuk ka gjasa të realizohet”.“Kosova kurrë nuk do të jetë nën kontrollin e Serbisë” (Për Huffington Post- David L. Phillips, Këshilltari i lartë dhe ekspert i çështjeve të jashtme në Departamentin Amerikan të Shtetit gjatë administratave të Clinton, Bush dhe Obama) Sinjalet nga Washingtoni bëhen dhe më të qarta për ti prerë ambicien rusëve dhe shpresën serbe për mbështetje tek rusët:“Ballkani i takon Perëndimit“ deklaron në Podgoricë z/v Presidenti amerikan Mike Pence.

argumentet “vuçiq” për të gjithë

Dhe Vuçiq i kufizuar nga rrethanat futet në rolin e detyruar. Sipas tij serbët mund të pretendojnë shumë por në rrethanat aktuale nëse kanë shpresë për të përfituar diçka, këtë mund ta arrijnë vetëm me rrugën e bisedimeve dhe marrëveshjeve dhe jo me luftën shkatrrimtare. Pas humbjes së luftës, Serbia ka përmirësuar shumë marëdhëniet e bashkëpunimit me Bashkimin Europian, ka nisur bisedimet për antarësim në BE dhe deklaron që “të gjitha rrugët e bashkëpunimit politik dhe të përparimit ekonomik janë të hapura për Serbinë. Dyert e BE po ashtu..Sot Serbia është e respektuar kudo në botë… e di të fitojë .. edhe në politikë”. Dhe ja kompensimi nga BE, fitorja më e pabesueshme e politikës ‘Vuçiq’, ka fituar mbështetjen e plotë propozimi i tij që në Ballkanin Perëndimor të krijohet një Treg i Përbashkët i të gjashtë shteteve, që do përfshinte dhe Kosovën dhe të gjithë trojet shqiptare në ish Jugosllavi, e veç tyre dhe Shqipërinë. Vuçiq ka deklaruar botërisht se kështu po krijojmë ish Jugosllavinë plus Shqipëri. Sidoqë e pavarësuar, apo dhe e njohur nga Serbia, Kosova do gjindej përsëri e përfshirë dhe e përlarë në një Jugosllavi tjetër, edhe pse fillimisht jo krejt si ish Jugosllavia, shpejt nuk do ndryshonte nga ajo. Dhe jo vetëm Kosova po dhe të gjithë shqiptarët të shpërndarë në gjashtë copa me Serbinë dominate përmbi të gjithë dhe që do mbeteshin po gjashtë copa. E në rastëse nesër do ndryshonin rrethanat, mund të vijohej sipas konceptit të dytë me nështrimin e mëtejmë të shqiptarëve, me forcë, me luftë. Serbia e ka bërë këtë egërsisht në dy Jugosllavitë, duke shpërfillur pavarësinë e shteteve pjesmarrëse Slloveni e Kroaci, e lëre më autonominë e krahinës autonome të Kosovës. A mos duhet të shkohet drejt një katrahurë tjetër në hapsirat ish Jugosllavi me dyqindmijë të vrarë për ta provuar dhe njëherë?

Lufta si filozofi serbe e fitimit, dhe marrëveshja ala “Vuçiq”si variant shtesë i luftës për fitore.

Vuçiq konfirmon se filozofia serbe mbështet mbi forcën dhe luftën si një mjet normal për të fituar dhe nuk njeh tjetër. Filozofia serbe nuk mbështetet aspak as mbi të drejtën e popujve, dhe as mbi humanizmin, dy parime mbi të cilët mëshojmë ne shqiptarët, aq sa shpesh harrojmë se drejta e yte mvaret nga sa ke forcë ta mbash dhe ta mbrosh, ndryshe ndryshon duar. Vuçiq e ka demonstruar dhe e demostron haptas “respektin për forcën” kur flet me plot gojën për armatosjen e madhe të Serbisë së sotme. Bën bilancin e deri tanishëm të fitimit nga tregu i pa ndërprerë serb i luftërave shtyrë veç nga etja zharitëse për të grabitur territore dhe fituar dhe nuk është dhe aq i kënaqur: “Nuk kemi fituar ne aq shumë me luftë, që ta kemi humbur në paqë”. Dhe përpiqet ti sjellë në vete serbët e ‘kallp politikës’ duke u kujtuar se çfarë është “paguar” nga serbët për të ndodhur “ato fitime”: “me krejt çka kemi fituar dhe humbur duke luftuar, kemi paguar çmimin më të lartë të mundshëm, i cili nuk mund të kompensohet – me jetët tona dhe me jetën e fëmijëve tanë. Dhe kjo duhet të ndërpritet.” Ky konstatim i dhimshëm për dramën njerëzore që kanë pësuar serbët nga zjarri i luftave agresive që vetë kanë nisur, i bashkuar me pohimin e tij  rënqethës se serbët deri sot janë të zhytur në :‘modus operandin’e tiranisë, që është gjithmonë i gatshëm për të derdhur gjakun e huaj”, me dhjetra e qindra mijë jetë shqiptarësh e tjerë që e pësuan nga serbët, dhe ne do donim të reflektonim, të ndjenim dhimbje për të gjithë viktimat dhe ta shihnim në utopinë tonë pohimin e Vuçiq si një zgjim të ndërgjegjes njerëzore tek serbët dhe të shpresonim përsëri në utopinë tonë, të paktën për një çast. Po për një çast, sepse menjëherë bjen në vete sepse kujtohesh se askund nuk duket një kërkesë faljeje për atë që kanë bërë serbët dhe Vuçiq me ta, dhe ndjejmë tamburet serbe të luftës për territore.

Detyrohemi të risjellim për dëshmitar Drashkoviçin për të kuptuar sesa mund të ndryshojë ndërgjegjëja e politikanëve serbë dhe shumicës së serbëve: “Nuk ka asnjë serb të vetëm që është gjykuar në Hagë, dhe që në sytë e shumicës dërrmuese të njerëzve nuk është hero. Sllobodan Millosheviq është përgjegjës për politikën e humbjeve të tmerrshme dhe krimet. Ministrat e adhurojnë atë edhe në varr dhe thonë për të se ishte zgjedhur nga vetë Perëndia… Dhe kemi të bëjmë dhe me ministrat e Qeverisë së sotme të Serbisë, kryeministër i të cilëve qe Vuçiq dhe ata që marrin pjesë në formësimin e politikave të Serbisë.” (”Bota Sot më: 27 korrik 2017) Drashkoviç na lë të kuptojmë se këta ministra agresivë dhe një grup tjetër serbësh po agresivë formësojnë politikat e Serbisë që nuk mund të jetë tjetër veçse agresive, përfshirë dhe politikën agresive të Vuçiq, me dukje politikë bisedash e dialogu.

ushqen etjen serbe, asnjëherë nuk i fton serbët drejt tërheqjes dhe humbjes po vetëm drejt fitores.

Vuçiq e di se etja serbe për fitim territoresh me luftë është e madhe, jo më kot kujtohen për pushtimet e Stefan Dushanit dhe pushtimet tjera të Shtetit Serb të rreth 140 viteve të fundit. Prandaj ai iu ofron prap fitime vetëm me ato mjete fitimtare që ka në dispozicion, me bisedimet, marrëveshjet, dhe jo luftë sot për sot, sepse siç e thekson lufta sot do sillte fundin katastrofal për serbët. E për këtë kërkon atë që vet serbët e hudhin poshtë ndryshim të vetëdijes kolektive serbe që të mos shohë vetëm luftën gjakatare si mjet fitimi po <në kohë të ndërmjetme> të shohë edhe marrëveshjet me “përfitime për dy palët”.

E kështu, nga maja e suksesit vetiak në afrimin me Perëndimin dhe e dominimit politik në Serbi, përpiqet të paraqitet i denjë për rolin e liderit për serbët. Do që të gjithë serbët të bëhen me të dhe ai indirekt do tu japë  pjesë nga Kosova duke e shpërbërë sa më shumë, dhe Kosovën që kanë të humbur njëherë e përgjithmonë do t’ua sjellë nesër në pjatën Jugosllavi tjetër. Jo më kot çmon politikën dhe figurën e Titos, dominues në ish Jugosllavi edhe mbi shqiptarët, dominues dhe si figurë jashtë. Dhe shprehet euforik. Flet për zgjidhje me “fitim dy palësh”:“Nëse e krijojmë një bosht të paqës dhe të stabilitetit mes serbëve dhe shqiptarëve, dy popujve më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor, në 100 vjetët e ardhshëm do të kemi zgjidhur 80 për qind të problemeve tona politike.” Në perspektivën e ëndrrave të tija serbe, Bashkimi Europian kalon krejt në plan të dytë ku dhe përpëlitet në mjegullat e paqartësive të egzistencës. Ndërkohë strategu “Vuçiq do ketë siguruar për serbët “Jugosllavinë tjetër. Një rrumbullakosje “e përsosur”! Po duke ndjekur prognozën e tij euforike për ti bërë serbët me vete, dhe ata drejtues shqiptarë që sugjestionohen prej tij, së paku 20% e atyre problemeve në mes shqiptarëve dhe serbëve po mbetkan të pa zgjidhura edhe përgjatë 100 viteve dhe më pas. Cilat do ishin ato 20% probleme në mes shqiptarëve dhe serbëve që edhe pas 100 vitesh nuk do ishin zgjidhur? Çfarë “problemesh” do shkaktonin ato probleme? Nuk i përcakton dot? Apo e di, nuk e thotë dot dhe mban rezerva sepse nuk është i qartë se cila duhet të jetë zgjidhja e ambicies serbe mbi tokat shqiptare, prone të shqiptarëve. Po duke pranuar vazhdimin e problemeve të pa zgjidhura, pra dhe të 20% ngatërresave në mes shqiptarëve dhe serbëve, a nuk e kupton se ai 20% është një eksploziv i mjaftueshëm për të hedhur në erë çdo gjë? Apo le të bëhet sot për sot njëherë Jugosllavia tjetër se pastaj do dinë serbët gjatë 100 viteve si të “menazhojnë” atë 20% të ngatërresave… dhe të mbajnë në këmbë ëndrrën për 100 vjet dominim serb në Ballkanin Perëndimor? Pothuasje për një periudhë aq sa dominuan mbi Kosovë nga viti 1912 deri në v.1999. Vuçiq që nuk heq dorë nga asgjë dhe ngren të plotfuqishme Serbinë. Pesë, dhjetë, njëqind vite? Sa shumë ngjyra ka ndrruar here pas here harta e Ballkanit në këto 100 vite..

Për Vuçiq, dialogu në mes serbëve do nisë në shtator. Bisedë me vetëveten. Vuçiq e di se e kaluara ka ndodhur, e tashmja është Kosova e Pavarur dhe nuk ka gjë që e prek. I duhet të sulmojë në të tashmen për të përfituar diçka nga ajo që I takon tjetërkujnëse do mundet. VIJIM

Genc Drini

17 gusht 2017

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...