Published On: 30 Tetor, 2016

Vazhdoj ta falënderoj Gëten që më bëri ta dua letërsinë

Në rubrikën “Jepi Zërit” kësaj radhe prezantojmë shkrimtarin dhe studiuesin e njohur të letërsisë sonë, Ag Apollonin, i cili me veprat e tij provon të mbajë një dialog të hapur për çështje estetike dhe etike.

Ag Apolloni, i lindur më 13 qershor 1982, është prozator, poet, dramaturg, studiues dhe eseist.

Veprat fiksionale të tij dallohen për dimensionin dramatik, trajtimin filozofik dhe për qëndrimin kritik ndaj historisë, politikës dhe shoqërisë.

Në vitin 2008, Ag Apolloni merr titullin Master i Shkencave Filologjike, kurse në 2012 merr titullin Doktor i Shkencave Filologjike. Apolloni aktualisht është profesor në Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008.

Apolloni ka punuar si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta ditore dhe revista letrare dhe kulturore në Prishtinë.

Në vitin 2010 e ka riaktivizuar dhe e ka udhëhequr për tre vjet revistën më të vjetër letrare në Kosovë, “Jeta e Re” (e themeluar më 1949), e cila ka qenë mbyllur më 2006. Në vitin 2013, themelon revistën kulturore “Symbol”, të cilën vazhdon ta mbajë me sukses.

Deri tani ka botuar këto libra: “Zomb”, “Drama Stefani Holloween, Mat”, “Ulurima e ujkut”, “Zazen”, “Parabola postmoderne”, “Paradigma e Proteut”.

*Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Unë më shumë flas me veten se me të tjerët, por, deri tash, kam arritur që me veten të flas pa zë. Nga pyetjet pa zë që ia bëj vetes, më e shpeshta është kjo: pse e vras mendjen kaq shumë, kur herët a vonë do të vdes pa arritur ta ndryshoj botën? Dhe mandej e zbraz një gotë “ilaç” dhe citoj Shekspirin: Kjo botë u çthur, o prapësi o dreq, që unë paskam lindur të të ndreq!

*Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Vështirë të përshkruhet udhëtimi i zakonshëm brenda një dite, pasi që nuk bëj çdo ditë të njëjtën rrugë. Zakonisht, kur jam në Prishtinë, dal nga banesa, shkoj në zyrë, mbaj mësimin, bëj një shëtitje në shesh dhe pastaj pi ndonjë birrë, raki, ose çaj, por kurrsesi kafe. Nëse jam në hënë të mirë, kthehem në banesë pa u grindur më askënd. Por, përveç udhëtimeve me këmbë a me mjete udhëtimi, unë më shpesh udhëtoj me mend.

*Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Si në vitrinë të kujtesës, ashtu edhe në vitrinë të dhomës, libri që qëndron më dukshëm është “Fausti” i Gëtes. E kam adhuruar Gëten që kur kam qenë në shkollë fillore dhe vazhdoj ta falënderoj që më bëri ta dua letërsinë dhe që zgjoi shpirtin faustian brenda meje.

*Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Momentet e krizës provokojnë debate e reagime të ndryshme, kështu që kriza është fazë kalimtare, pas saj vjen një fazë më e gjatë, por s’dihet nëse vjen më e mirë, apo më e keqe. Në momente krizash të tilla, ndihem si një udhëtar në shtrëngatë që e di se shtrëngata s’do të zgjasë përgjithmonë.

*Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Pajtohem me Susan Sontag-un që thoshte se kultura nuk përparon, ajo thjesht ndryshon. Pra, nuk mund të themi që kultura e sotme është më e mirë vetëm pse është më e re. Nëse me zhvillim kuptojmë pikërisht gjallërimin e jetës kulturore, në të gjitha fushat e saj, atëherë gjendja e tanishme kulturore është e mjerueshme. Teatri dhe kinematografia, si dy mediume të mëdha kulturore, janë në vdekje klinike, për shkak të goditjes që kanë marrë nga drejtorët dhe bordet që udhëheqin teatrot kosovare dhe Qendrën Kinematografike.

*Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Koha e profetëve ka kaluar, prandaj në pjesën e fundit të kësaj pyetjeje, duhet të përmbahem. E djeshmja nuk është kohë e artë, por mësimet që mund t’i nxjerrim prej saj, mund të jenë të arta. Pasi njeriu merr frymë në të tashmen, edhe duhet ta vlerësojë të tashmen. Fatkeqësisht, arti nuk po merr frymë sot, prandaj duhet të përpiqemi ta ndryshojmë këtë gjendje që të mund të krijojmë diçka nesër. Komuniteti artistik duhet të jetë më i organizuar dhe më i vendosur, të mos lejojë të nëpërkëmbet nga servilët politikë antikulturorë që e drejtojnë kulturën.

*Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Nga piktura do ta veçoja punimin “Epifania I” të hiperrealistit Gottfried Helnwein, ekspozita retrospektive e të cilit në “Albertina Museum” në vitin 2013, më pati shokuar. Nga poezia, do ta veçoja “Do not go gentle into that good night” të Dylan Thomas-it; nga këngët, do ta veçoja “All along the watchtower” të Bob Dylan-it (bashkë me cover-in e bërë nga Eric Clapton dhe Lenny Kravitz), kurse nga filmat, do ta veçoja “Apocalypse Now” të Francis Ford Coppola-s, sepse është filmi më i mençur dhe më i çmendur, njëkohësisht, në histori të kinematografisë botërore.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...