Published On: 31 Gusht, 2017

Vajtimet e Isës, mëkatet e Albinit dhe shpresat e Ramushit

Shkruan: Nehat Hyseni

Në këtë vakuum institucional, të krijuar nga ambiciet e paskrupullta të koalicionit PAN për pushtet, pa votën e shumicës së shqiptarve, Republika e Kosovës si shtet, po rrezikohet seriozisht nga “fëmijtë” e vet, të pangopshëm për pushtet.
Pothuajse tre muaj që kanë kaluar nga zgjedhjet e 11 qershorit dhe ata të cilët e shpallën veten si “çlirimtarë”, janë tubuar në koalicionin PAN dhe janë duke e mallkuar veten dhe Kushtetutën e Kosovës, pse nuk ditën t’ia sigurojnë vetes të drejtën e përjetëshme për ta qeverisur Kosovën. Prandaj, me krizë politike dhe me bllokadë institucionale po detyrohen që ta përmirësojnë këtë “gabim” të tyre, që po i bënë nervoz dhe po i detyron që ta drejtojnë gishtin në Kuvend dhe botërisht të na kërcënojnë: se “nuk e dini se me kë keni punë”?!
Sikur dëshirojnë të na thonë se “Serbia është e fortë dhe nuk mundëm të çlirohemi pa bombardimet e NATO-s nga qielli, por ama Kosovën mund ta bllokojmë e ta shkatërrojmë pa ndihmën dhe pa lejen e askujt”!
Realisht, ne po bindemi gjithënjë e më tepër se ata këtë po e bëjnë për çdo ditë e më tepër.
Me makinacione e obstrukcione të panumërta shtetbllokuese, në emër të vendit dhe “për të mirën e Kosovës”!
Madje edhe atëherë kur nuk i kanë numrat dhe kryeparlamentarin e kryeministrin dhe Qeverinë e re duan ta votojnë me votat e pakicës shqiptare dhe minoriteteve, kundër shumicës shqiptare.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së dhe kryeministri aktual “në detyrë”, akademik Isa Mustafa, në vlugun e negociatave për koalicionin e mundshëm LAA-LVV për krijimin e shumicës shqiptare prej 61 deputetëve, që me votat e minoriteteve do formonin “shumicën e kualifikuar” prej 81 deputetëve, ose 2/3 e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, na u paraqit befasisht në opinion me ankesat e vajtimet e panumërta ndaj “mëkateve” të LVV-së dhe kandidatit të saj për kryeministër, z. Albin Kurti!
Automatikisht, ky veprim i Isës ngjalli shpresat e PAN-it dhe të z. Haradinaj dhe llogaritja e tij në AKR-në e Behgjet e Pacollit.
Me këtë rast, askush mbase nuk i konteston shumicën e ankesave të Isa Mustafës.
Por, një mori ankesash dhe vajtimesh të tij, sidomos në këtë momentum politik, thënë më së buti, duhet kritikuar.
Sepse, pa marrë parasysh (pa) vërtetësinë e këtyre ankesave, megjithatë edhe Isa Mustafa nuk është pa “mëkate” nga e kaluara e tij politike. Konsiderojmë se tani nuk është koha e duhur që të merremi me gjërat që na largojnë nga afrimi, mirëbesimi dhe ndërtimi i koalicionit të mundshëm LAA-LVV, që aktualisht po konsiderohet si “dritë në fund të tunelit”.
Andaj, e porosisim Isa Mustafën dhe mbështetësit e tij: groposini “sopatat” dhe jepni frymë pajtimit politik për ndërtimin e vendit dhe për dalje nga kriza politike aktuale.
Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ishte personi më i sulmuar dhe më i atakuar madhe edhe fizikisht në historinë e shtetndërtimit të Kosovës. Madje edhe nga “sankcionet” e Qeverisë Bukoshi dhe nga bllokada financiare e ministrisë së financave që drejtohej nga juz. Mustafa!
Presidenti Rugova kurrë nuk u ankua dhe i qëndroi stoikisht dhe me dinjitet e durim të pafund të gjitha sfida e sulmeve e atentateve të panumërta. Qoftë nga “miqtë” apo nga armiqtë e përbetuar të tij.
Prandaj, i nderuari z. Mustafa, nuk janë të hijëshme dhe të pranueshme, e aq më pak është e arsyeshme dhe në frymën “rugoviane” ankesat dhe akuzat tuaja.
Si lider aktual i LDK-së së Ibrahim Rugovës, ju duhet ta respektoni dhe të performoni sipas filozofisë politike Rugoviane, e jo ta përvetësoni ate për qëllime tuaja politike e njerëzore.
As ju dhe as familja e Presidentit Rugova nuk duds he nuk guxoni të thirreni në autoritetin dhe veprën e trashëgiminë morale e politike të Presidentit Rugova, për t’i arsyetuar veprimet dhe gabimet tuaja.
Ndërkaq, për kanditatin e LVV-së për kryeministër, z. Albin Kurti kemi një porosi.
Z. Kurti, ju vendosët kravata, e ndryshuat pamjen apo “lukun” rebel të mëparshëm dhe fituat në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 qershorit, si parti e parë në Kosovë.
Por, për t’u bërë kryeministër, ju duhet të ndryshoni edhe sjelljet tuaja dhe të pë përkuleni me respekt e dinjitet para figurës dhe veprës së pavdekëshme të Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugovës; të betoheni se do të respektoni flamurin dhe Sovranitetin e Pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Poqese nuk jeni të gatshëm, ju lutemi, harrone postin e kryeministrit dhe përgatituni për të qenë në opozitë, deri në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare!

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...