Published On: 19 Qershor, 2017

Udhëkryqi

Sabri Morina

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit në tërë Kosovën, krijuan një hartë të re politike, sepse ndodhën ndryshime të mëdha në rezultate! Këtë e dimë të gjithë, por pak kush e ka pritur që Vendvendosje nga vendi i tretë të dalë bindshëm e para. Si duket edhe deri më tash dy partitë më të mëdha në Kosovë, nga frika e debaklit bënë koalicione me partitë tjera më të vogla duke shpresuar se me ndihmën e tyre do të dalin fitues. Ashtu nuk iu dolën llogaritë fare! Flitej se, në kuadër të PDK-së më së shumti do ta pësojë Nisma por edhe AAK-ja, ndërsa partitë tjera të vockla as që do përmendeshin më. Ende pa dalë rezultatet zyrtare, duket se nga ky koalicion i madh fituese doli mu Nisma, sepse ajo do t’i ketë së paku 8 deputetë, ndërkaq AAK-ja së paku dhjetë dhe 20-21 për PDK-në. Ky është rezultati më i keq që e ka pasur kjo e fundit ndonjëherë në zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, sepse nga e para dhe më e madhja doli e treta! Në anën tjetër edhe LDK-ja pësoi goditje të madhe sepse nga 30 deputetë sa i kishte, tash nuk mund t’i ketë më shumë se 24. Mund të kënaqet a justifikohet vetëm me faktin se e ka ruajtur vendin e dytë, por me humbje të dukshme të besimit nga votuesit e saj të përhershëm! Shkaqet i dimë të gjithë pse këto dy parti u goditën, e para për shkakun se çdo herë ka krijuar situata me partnerët për ndërprerje të mandatit (duke pasur synim dëmtimin sa më të madh të partnerit, por edhe rivalit politik më të madh); për shkak të aferave të njohura korruptive (vetëdemaskimi-pronto); për shkak të ndërrimit të liderit e shumë arsyeve a shkaqeve tjera. Në anën tjetër LDK-ja dhe lideri i saj shënuan një ngritje më të madhe në rezultat duke akuzuar liderin  dhe partinë e rivale për krim të organizuar, për lidhje të ngushta me SHIK-un, për funksionimin e nëntokës dhe krejt në fund për kapjen e shtetit. Këto ishin premtime paraelektorale dhe elektorale, se me ta kurrë nuk do të bëjnë koalicion, pra me kapsit e shtetit. E ç’ndodhi më pastaj e dimë të gjithë, pas gjashtë muajsh qëndrese me VLAN-in u shkel premtimi publik duke bërë kurorë me kapsit e shtetit! Edhe pse arsyetimet ishin se ne e realizuam qëllimin  dhe e fituam kryeministrin, por duke mos parë rrezikun tjetër se udhëheqësi i nëntokës (lideri i ardhshëm i PDK-së) me ndihmën e LDK-së po dilte fuqishëm mbi tokë, duke u votuar në një pozitë shumë të rëndësishme; pastaj duke u votuar për president edhe i akuzuari kryesor për kapjen e shtetit. Pati disa deputetë të LDK-së që thanë premtimin publik nuk e shkelim kurrë. Ata ishin në shënjestër të liderit dhe të udhëheqjes së ngushtë të LDK-së, duke iu dhënë epitete të llojllojshme denigruese. Sepse këta e kundërshtuan edhe qeverinë, kundërshtuan edhe asociacionin, pati edhe më shumë që e kundërshtuan demarkacionin. Erdhi koha e hartimit të listave për këto zgjedhje, disa rebelë u lanë jashtë liste (Salihaj, Bulliqi, Baxhaku, Rexhepi etj.), disa u futën me shumë gazep në lista duke i renditur në fund (Vjosa në numrin rendor 81).

Tash shtrohet pyetja vallë, cili ishte rezultati individual i kandidatëve të LDK-së?

Ai për mua nuk është aspak befasues, sepse Vjosa Osmani tash doli lidere e pakontestueshme edhe pse e radhitur në pozitë të pafavorshme, ajo u votua edhe më shumë se herën e parë kur LDK-ja kishte rezultat shumë më të mirë. Gjithashtu, doli fort mirë edhe Anton Quni! Prurjet e reja Abdixhiku e Selmanaj, gjithashtu dolën jashtëzakonisht mirë. Këto jonë fakte të cilat, kanë porosinë e qartë për kryesinë e LDK-së, pra kërkojnë ndryshim të menjëhershëm rrënjësor! Emrat e përmendur edhe të tjerë duhet ta marrin drejtimin e kësaj partie, për ndryshe me këta drejtuesë aktual ajo do të bjerë për toke.

Ndryshimet cilësore duhet të barten nëpër degë e nëndegë, duke organizuar zgjedhje të reja e të mirëfillta. Duhet të vendoset standardi  i vlerave, ku për humbjet në zgjedhje sidomos atyre vargore, nuk duhet lënë rastin që drejtuesit aktual të udhëheqin me procesin zgjedhor. Nëse ata i prijnë këtij procesi nuk do të ndodhë farë ndryshimi pozitiv, sepse ata duan që nëse nuk janë vetë në drejtimin e partisë do t’i dizajnojnë ato me bashkëpjesëmarrësit e humbjes duke u arsyetuar me fajësimin e të tjerëve, të cilët nuk kanë dashur t’i kenë afër sepse ata nuk mendojnë njëjtë si lideri i tyre!

Kjo është mundësia e madhe dhe e vetme për ndërprerjen e erozionit dhe ngritjes së ngadalshme të LDK-së duke iu përmbajtur filozofisë së mirëfilltë Rugoviste! Rugovizmi d.m.th. gjithëpërfshirje, ruajtje e çdo njeriu e respekt ndaj njerëzve, mos sanksionim për mendimin e lirë, kujdes me fjalën publike (nuk ka kthim prapa), nuk ka vija të kuqe me kundërshtarët politik, qëndrim i fortë dhe i pathyeshëm kur është në pyetje interesi i Kosovës, jo vazalizëm me ndërkombëtarët (ShBA-në, Bashkimin Evropian) por partneritet dhe miqësi e përhershme!

Reagimi i shpejtë e parimor, është mundësia e daljes nga udhëkryqi, në të kundërtën LDK-së nuk po i shkruhet mirë, sepse ka humbur shumë nga vlerat Rugoviste!

 

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...