Published On: 2 Nëntor, 2016

U mbajt takimi vjeshtor i këshillit të mësuesve shqiptarë të Italisë veriore

  • treviso1
  • Gezimi
  • Gëzim MUÇOLLI

Edhe në mesin e fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë në Itali, fillimi i aktiviteteve pedagogjike –arsimore shënoi nisjen e mbarë të mësimeve në gjuhën amtare të  viti i ri shkollor 2016/17.

Ata krahas   mësimeve të rregullta që ndjekin gjatë ditëve të javës në shkollat italiane, ditën e shtunë e dikund edhe të dielën me gëzim shkojnë në shkollë me mësues shqiptarë për të mësuar në gjuhën e prindërve të tyre.

Në gjeografinë e shtrirjes së mërgatës shqiptare në regjionet italiane, pika të ndritshme gjenden sidomos në pjesën verilindore ku tashmë është rrënjosur një pjesë e madhe e bashkatdhetarëve tanë që dikur patën gjetur strehim këtu qoftë për të shpëtuar kokën nga regjimi jugosllav dhe serb , apo në kërkim të mundësive të reja për të gjetur punë dhe  siguruar bukën e gojës për veten dhe familjet pa kurrfarë burimesh për mbijetesë në atdhe.

Mërgata shqiptare ndër vite e ballafaquar herë heshtazi e herë zëshëm me problemet e mbijetesës dhe integrimit , tashmë ka krijuar historinë e vet që po i afrohet mbylljes së dekadës së tretë. Edhe numri i atyre që tashmë kanë fituar të drejtën e qytetarisë është i madh dhe tashmë janë shtetas të Republikës italiane me të drejta të plota si edhe vetë italianët. Vetë ky sukses i punës së vyer të shqiptarëve dhe integrimit të mirëfilltë të familjeve të tyre në mesin ku jetojnë, nuk i ka ndaluar asnjëherë veprimtarët e çështjes kombëtare që krahas aktiviteteve për pavarësi të Kosovës dhe trojeve etnike shqiptare, para dhe gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, të punojnë me dashuri të veçantë në ruajtjen e trashëgimisë morale, familjare dhe kombëtare duke  hapur edhe shoqata kombëtare  dhe shkolla me mësim plotësues në gjuhën shqipe.

Mësimi i gjuhës shqipe duke qenë i domosdoshëm si mundësia e parë dhe më e mira për ti ikur rrezikut latent të asimilimit të fëmijëve tonë ka treguar sukseset e tij duke i bërë ata edhe më të pasur kulturalisht dhe duke iu mundësuar që mos të kenë asnjë vështirësi komunikimi gjatë qëndrimit në vendlindjen e prindërve të tyre. Padyshim, merita më e madhe iu takon prindërve të ndërgjegjshëm dhe patriotë që i janë përgjigjur thirrjes së  mësuesve të zellshëm që kanë vënë në dispozicion mundin dhe kohën e tyre përballë nevojës që të mos shuhet asnjëherë gjuha shqipe në mesin e mërgimtarëve të vegjël. Dhe mësuese e mësues të dalluar e shumë të ngritur profesionalisht nuk kanë munguar kurrë sidomos në mesin e atyre që erdhën në Itali pas viteve nëntëdhjetë. Sidomos me përvojën e tyre të pasur duke qenë ish punonjës të arsimit në nivele të ndryshme të shkollimit në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Pa harruar vështirësitë që ende hasen në organizimin e mësimit plotësues, tashmë edhe kjo formë e veprimtarisë shkollore është në fazë të përparuar të strukturimit. Ka kaluar tashmë një vit qysh se është formuar Këshilli i Mësuesve për Italinë Verilindore me kryetar mësuesin dhe veprimtarin e mirënjohur , ing. Ragip Thaqi, njëherit  koordinator i Shkollës  më të vjetër shqipe në Itali në Bassano del Grappa. Në kuadër të detyrave dhe angazhimeve të tij si kryetar , me ftesë të tij u mblodh Këshilli i mësuesve në një aktivitet të organizuar mjaft mirë dhe plot relax si darkë pune me 22 tetor, në Cassoni di Mussolente në  afërsi të Bassanos.

Kryetari i këshillit , z. Thaqi pasi e hapi takimin filloi pikën e parë të rendit të ditës duke raportuar mbi gjendjen aktuale të Mësimit plotësues në Gjuhën Shqipe në Itali. Duke qenë para shkuarjes së organizuar për të marrë pjesë në Seminarin ndër rajonal “Shkolla shqipe në diasporë” që do të mbahet në qytetin Pula të Kroacisë në fund të tetorit, Ragipi tha se kishte bërë një studim kronologjik mbi aktivitetin e shkollave dhe shoqatave që i përkrahin ato. Ai raportoi të dhëna të mbledhura nga mësuesit dhe organizatorët e shkollave, ku në bazë të statistikave del se Shkolla e parë shqipe në Itali e kësaj kohe  është hapur në vitin 2001 në Bassano në kuadër të Shoqatës Kulturore shqiptare “Bashkimi Kombëtar” duke pasur fillimisht 35 nxënës. Kjo shkollë ka jetëgjatësinë e saj duke zhvilluar rregullisht për çdo vit veprimtarinë mësimore ku kanë punuar mësues të shumtë me prejardhje nga të gjitha trojet etnike. Sot shkolla vazhdon veprimtarinë e saj dhe aktualisht janë duke vijuar mësimin mbi 20 nxënës.

Shkolla e dytë e hapur ishte ajo në Montebelluna e themeluar në kuadër të Shoqatës Kulturore “Dardania” në vitin 2004, duke pasur 3 mësues dhe 30 nxënës. Me gjithë vështirësitë e mëdha kjo shkollë funksionon ende duke pasur këtë vit shkollor 12 nxënës falë angazhimit të mësuesit të tyre , Prof. Faik Tafolli , njëherit edhe kryetar i Shoqatës “Dardania”.

Në provincën e Trevizos në vitin 2004/05 u hap edhe Shkolla Shqipe e Trevizos e cila u hap në kuadër të Shoqatës Kulturore të atëhershme “Besa”. Kjo shkollë funksionoi rregullisht 2-3 vite e pastaj u shuan aktivitetet e saj.

Mirëpo falë angazhimit të madh të poetit dhe publicistit Prof. Beqir Cikaqi, njërit nga veprimtarët më të dalluar të mërgatës shqiptare në Veneto të Italisë , Shkolla shqipe e Trevizos u rilind duke hapur dyert për nxënësit shqiptarë në vitin shkollor 2014/15 me 19 nxënës duke angazhuar edhe mësuesen Malësore Shaqiri.

Kjo shkollë me suksesin e saj rriti sensibilizimin e prindërve që ti dërgojnë fëmijët në shkollë për të mësuar në gjuhën shqipe dhe me angazhimin e veprimtarit të dalluar Ing. Bajram Desku në Quinto di Treviso , u hap edhe një klasë tjetër vitin e kaluar shkollor duke bërë që numri i nxënësve vijues të mësimit shqip të kalojë edhe pesëdhjetëshin. Në këtë shkollë vijnë edhe italianë të interesuar të mësojnë gjuhën shqipe për nevojat e tyre qoftë familjare apo të veprimtarive biznesore.

Në San Zenone degli Ezzelini (Tv) në nëntor të vitit 2013 me themelimin e Shoqatës kulturore “Lidhja e Prizrenit” u hap edhe shkolla shqipe me mësues Prof : Bashkim Bekteshi nga Dibra e madhe dhe profesoreshën Hedie Xhyheri nga Vlora, duke iu përkushtuar me sukses mësimdhënies së gjuhës shqipe. Mirëpo në këtë vit shkollor për shkaqe objektive mësimet do ti fillojnë në mbarim të vitit 2016.

Në Montegroto Terme të provincës së Padovas , zhvillohet Kursi i Gjuhës Shqipe me koordinatore Erida Çela-Perlala ku 10 nxënësve iu japin mësim 2 mësuese nga Shqipëria.

Edhe në Portogruaro qysh nga Festa e 28 nëntorit të vitit 2015  funksionon Shkolla shqipe “Ismail Qemali” në kuadër të Shoqatës Kulturore Humanitare “Kosova”. Shkollën e udhëheq veprimtari ing. Valdet Tahiraj me përkrahjen e kryetarit të shoqatës z. Sami Binakaj. Me 45 nxënësit e regjistruar në këtë shkollë punojnë 2 mësuese me  prejardhje nga Shqipëria.

Në bazë të hulumtimeve në rrjete sociale dhe nga kontakte të ndryshme dihet se në Itali ka edhe shkolla të tjera që vërtet meritojnë çdo respekt e sidomos këtu dallohet shkolla “Skenderbeg” në Parma e cila daton që nga viti 2009 dhe ka 20-25 nxënës kryesisht nga Shqipëria e edhe disa të tjerë nga Kosova dhe Maqedonia me të cilët punojnë 6 mësuese nga Shqipëria.

Poashtu edhe Shkolla shqipe në Lecco qysh nga viti 2005 përhap dituri në gjuhën shqipe , pastaj në Ravena, Trento, Bressanone, Gjenova, pastaj edhe në Gorizia dhe Milano ka  fille të mira meqë ka mësuese të gatshme të punojnë me nxënës shqiptarë. Sigurisht që mund të ketë edhe shkolla dhe veprimtarë të tjerë të shkollave shqipe që nuk kemi pasur rast të njihemi ende me punën e tyre.

Për hallet, vështirësitë, programet e punës dhe sfidat që po e presin mësimin plotësues në Gjuhën Shqipe u debatua me preokupim dhe sinqeritet duke u ndalur te pengesat dhe nxitjet që e shoqërojnë

mësimdhënien në shkollat shqipe. Në radhë të parë si pasojë direkte e krizës ekonomike 6 vjeçare në Itali dhe shpërnguljes së dytë të shqiptarëve brenda vendeve të UE , u pakësua edhe numri i fëmijëve shqiptarë nxënës të shkollave shqipe.

Krahas kontributit me të dhëna kronologjike të njohësit të mirë të shkollimit plotësues në Itali, autorit të monografisë për Shkollën Shqipe të Bassanos , Prof. Beqir Cikaqi , për këtë temë u angazhuan edhe Prof Faik Tafolli, Ing, Bajram Desku, Dott.ssa Edlira Shehu, dr. Gëzim Muçolli, ing. Valdet Tahiraj, Sami Binakaj.

Vëmendje të veçantë zgjoi edhe fjala përshëndetëse e Z. Avdi Beqiri kryetar i Shoqatës Kulturore “Bashkimi kombëtar i cili tha se qysh nga fillimi i shoqatës gjithmonë prioritet i është dhënë mbarëvajtjes së shkollës shqipe dhe mbajtjes së kontakteve me zyrtarë të ministrisë arsimit dhe të diasporës. Kemi mirëpritur çdo vizitë të tyre dhe do të përkrahim çdo program kulturor të nxënësve me rastin e festive tona kombëtare. Në emër të prindërve foli edhe z. Ramiz Gashi, përfaqësues i prindërve të Shkollës shqipe të Trevizos nga Quinto, duke dëshmuar për disponimin dhe gatishmërinë e prindërve që shkollës ti dalin në ndihmë vetëm që fëmijët shqiptarë të mësojnë me vullnet gjuhën shqipe. Në takim ishin të pranishëm edhe z.Vezir Gashi dhe z.Mentor Hajrizaj, veprimtarë të dalluar të Shoqatës “Bashkimi Kombëtar” të angazhuar denjësisht për të ndihmuar në realizimin e programeve kulturore të shkollës shqipe të Bassanos.

Në fund të këtij takimi,  Këshilli i mësuesve iu uroi vit të mbarë shkollorë të gjitha shkollave shqipe në Itali të cilët janë duke kontribuar në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar shqiptar.

treviso2

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...