Published On: 17 Gusht, 2017

Trysnitë ndaj lirisë së shtypit në rajonin e OSBE-së

Nga Frank Shkreli

Muajin e kaluar u emërua Përfaqësuesi Për Lirinë e Medies, i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).   Kryetari në detyrë i kësaj organizate, Ministri i Jashtëm i Austrisë, z. Sebastian Kurz, i cili kryesoi procesin konsultativ për të identifikuar dhe për të emëruar kandidatin më të përshtatshëm në këtë detyrë, njoftoi se Këshilli Ministerial i OSBE-së kishte miratuar emërimin e francezit, Harlem Desir, si përfaqësues i ri i kësaj organizate për lirinë e medies. Në njoftimin e OSBE-ës për emërimin e z. Desir në këtë detyrë, thuhet se Përfaqësuesi për Lirinë e Shtypit, në rolin e tij, ndër të tjera, ushtron funksionin e paralajmërimit ndaj trysnive dhe rreziqeve që mund t’i kanosen lirisë së medies në 57-vendet anëtare të OSBE-ës dhe  njëkohësisht të propozojë ndërhyrjen e shpejtë ndaj shkeljeve serioze të lirisë shtypit në rajon.   “Liria e medies përballet me trysni në rritje e sipër, përfshirë edhe rajonin e vendeve anëtare të OSBE-ës”, është shprehur në një deklaratë për media, Ministri i jashtëm i Austrisë dhe Kryetari në detyrë i OSBE-ës, Sebastian Kurz, duke thënë se, “Kjo është edhe arsyeja që më kënaqë fakti se Harlem Desir, një figurë e njohur publike, do të shërbejë si zëri i kësaj organizate për lirinë e shtypit dhe për sigurinë e gazetarëve”.

Para emërimit të tij në detyrën e përfaqësuesit të OSBE-ës për lirinë e shtypit, Harlem Desir ka shërbyer si Ministër i Francës për Çështjet Evropiane pranë Ministrisë së Jashtme të atij vendi dhe në një numër detyrash me rëndësi në parlamentin evropian.   Mandati i kësaj detyre me rëndësi kërkon që Përfaqësuesi i OSBE-ës për lirinë e medies duhet të jetë një personalitet i njohur, me reputacion ndërkombëtar, i cili posedon përvojën e nevojshme në fushën e medies e nga i cili pritet që – në vlerësimet e tija — të jetë i pa anshëm, objektiv dhe i pavarur në kryerjen e funksionit të tij.  Duket se emërimi i Z. Harlem Desir si përfaqësues i OSBE-ës për Lirinë e Medias është pritur mirë nga entet ndërkombëtare që merren me mbështetjen e lirisë se medies.  Është kjo një detyrë e cila vlerësohet shumë nga gazetarët dhe nga ente dhe organizata që merren me lirinë e shtypit, sidomos për mandatin e saj për të ngritur zërin në arenën ndërkombëtare, në mbështetje të lirisë së medies, pikësëpari në radhët e vendeve anëtare të Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë.

Njëra nga këto organizata, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në New York, është shprehur me rastin e emërimit të Z. Desir në këtë detyrë, “Se, një kohë kur liria e shtypit është në keqësim e sipër në shumë vende të OSBE-ës – duke filluar nga Turqia, ku Presidenti Rexhep Erdogan po burgos një numër të madh gazetarësh e deri tek Rusia ku gazetarët po vriten pa asnjë ndëshkim ndaj atyre që kryejnë këto akte, ose Hugaria e Polonia ku media shtetërore kontrollohet rreptë – pasja e një zëri për të ngritur shqetësimet kundër shkeljes së të drejtave të gazetarëve dhe për të mbajtur përgjegjëse shtetet që lejojnë dhe tolerojnë një gjë të tillë – është jetësore për lirinë e medies.”

Në një intervistë që Z. Desir dha javën e kaluar për Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG) u shpreh se prioriteti i tij në mandatin e detyrës së re prej tre vjetësh, do të përqendrohet pikërisht mbi tri çështje me rëndësi për gazetarët: mbi sigurinë e gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre në terren, me mos ndëshkimin zyrtar të atyre që shkelin dhe që abuzojnë me të drejtat e gazetarëve dhe me lirinë e shtypit në përgjithësi dhe me luftën kundër dhunës ekstremiste (“online”) në internet. Harlem Desir theksoi se për realizimin e këtyre prioriteteve, ai pret që të bashkpunojë me autoritetet vendase, me shoqërinë civile — sidomos në vendet e OSBE-ës — për të zgjidhur problemet që rrjedhin nga sfidat dhe trysnitë me të cilat përballet sot liria e shtypit.

Në lidhje me sigurinë e gazetarëve, në kryerjen e detyrës dhe përgjegjësive të tyre, në intervistën me entin e lirisë së shtypit, KMG-ën, Z. Desir u shpreh se kjo çështje për ‘të është, “Prioriteti absolut”: siguria fizike, pra, e gazetarëve dhe ndëshkimi i krimeve   që kryhen ndaj gazetarëve, kudo qoftë në rajonin e 57-vendeve anëtare të OSBE-ës. Ai shtoi se mos ndëshkimi i atyre që abuzojnë me lirinë e shtypit, është një problem në rritje e sipër dhe nevojitet një vëmendje serioze ndaj këtij fenomeni nga ana e vendeve anëtare, pasi është një problem që vazhdon të jetë—megjithëse jo e vetmja — një prej sfidave kryesore me të cilat përballet liria e shtypit në vendet anëtare të OSBE-ës.

“Në disa vende të OSBE-ës, gjendja e lirisë së shtypit vazhdon të keqësohet dita-ditës, duke çuar në burgosjen e gazetarëve për shkak të punës së tyre – që është një shkelje flagrante e angazhimeve që kanë marrë përsipër vendet anëtare të OSBE-ës”, nënvijoi përfaqësuesi i ri për lirinë e medias i OSBE-ës, Z. Harlem Desir dhe shtoi se, “Jemi dëshmitarë të qindra hetimeve kriminale nga autoritetet  e ndryshme qeveritare kundër zërave kritikë, ndërkohë që 150 gazetarë mbeten në burg” në rajonin e OSBE-ës, vetëm e vetëm se kanë ushtruar punën e tyre si gazetarë, ka theksuar Z. Desir në intervistën e tij me entin për mbrojtjen e lirisë së shtypit, KMG.

I pyetur se cili ishte mesazhi i tij për gazetarët dhe mbrojtësit e lirisë së shtypit kudo, përfaqësuesi i ri i OSBE-ës për lirinë e medies, u shpreh se, “Roli i gazetarit është shumë i rëndësishëm në shoqëritë tona.   Në shumë vende anëtare të OSBE-ës, gazetarët rrezikojnë jetën për t’i sjellë publikut lajmet për të cilat njerëzit kanë nevojë në jetën e përditshme, ashtu që të jenë më mirë të informuar mbi botën që na rrethon. Që të jemi më të angazhuar në shoqërinë tonë, që nëpërmjet medies së lirë, të bëjmë të njohura nevojat tona, të gjejmë mbështetjen e nevojshme dhe që të lidhemi me njëri tjetrin”, theksoi Z. Harlem Desir.  Ai shtoi se, “Demokracitë tona bëhen më të forta nëpërmjet debatit të hapët e të sinqertë, përfshirë mosmarrëveshjet midis nesh dhe çështjet e vështira me të cilat përballet shoqëria”.

Në fund të intervistës, z. Desir u angazhua duke u shprehur se, gazetarët (në personin e tij) kanë një mbështetës të dedikuar për ta dhe për punën e tyre, duke premtuar se, “Do të ngrit zërin tim për ju, kur ju ose puna juaj shumë e rëndësishme përballet me kërcënime ose me përpjekje për të shuar zërin tuaj.”

Sot, në shumë vende anë e mbanë botës, përfshirë vendet anëtare të OSBE-ës, liria e shtypit dhe liria e fjalës përballen me sfida dhe trysni serioze, ndoshta si kurrë më parë ç’prej shembjes së komunizmit. Këto trysni, fatkeqësisht, po diktohen jo vetëm në vendet me regjime autoritare, por edhe në vendet që, në përgjithësi, konsiderohen si demokratike.  Organizatat për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe të cilat ndjekin situatën e lirisë së fjalës, anë e mbanë botës, kanë venë re rritjen e dukshme në survejimin e gazetarëve, shtypjen e fjalës së lirë dhe ushtrimin e influencës nga qeveritë e ndryshme, sfida këto që, në sytë e organizatave ndërkombëtare, mbrojtëse të lirës së fjalës, përbëjnë një shqetësim serioz për lirinë e medies dhe për zhvillimin e shoqërisë civile në përgjithësi. Fatkeqësisht, diktohet një përpjekje gjithnjë e më e madhe nga ana e qeverive të ndryshme që ato të ruajnë monopolin e tyre mbi përhapjen e lajmeve dhe të informacionit, ndërkohë që me anë të frikësimeve dhe trysnive të llojllojshme, sipas enteve të ndryshme mbrojtëse të fjalës së lirë, monitorojnë dhe bllokojnë mjetet e lira të  komunikimit.

Në një raport më herët këtë vit, organizata e të drejtave të njeriut, Freedom House u shpreh se po rritet numri në listën e vendeve evropiane ku liria e shtypit gjendet përball një rreziku gjithnjë më të madh.  Sidomos, sipas këtij raporti, vendet në jug-lindje të Evropës, veçanërisht në Ballkan, ushtrojnë frikësime, kërcënime dhe burgosje ndaj gazetarëve, ndërkohë që monopolet mediatike janë nën kontrollin e drejtë për drejtë të qeverive, të cilat ndjekin shembullin e Rusisë dhe të Kinës.  “Dhe çfarë po bëjnë demokracitë botërore në lidhje me këto kërcënime ndaj fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit”, pyet me ironi Freedom House, duke u përgjigjur njëkohsisht se vendet perëndimore sipas saj bëjnë, “Jo shumë dhe sigurisht jo aq sa duhet”.  Freedom House me të drejtë paralajmëron se, “Në qoftë se humbasim Evropën dhe Shtetet e Bashkuara si kampione të lirisë së shtypit…ka të ngjarë se do të humbasim edhe orientimin tonë në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe dinjitetit në përgjithësi, ose edhe më keq, sipas saj, ka mundësi që si rezultat i krijimit të kësaj situate, të përballemi me qeveri të cilat, më në fund, pa u hy ferra në këmbë, të kundërshtojnë dhe të shkelin rregullisht të drejtat e përgjithshme të qytetarëve të vet. Një atmosferë e tillë ndërkombëtare, ku mohohet ose shkelet liria e fjalës dhe e shtypit pa asnjë ndëshkim, nuk përbën një botë më të sigurt por një botë më të rrezikshme për të gjithë dhe jo vetëm një kërcënim, për të drejtat e njeriut në përgjithësi, por edhe për paqen dhe sigurinë botërore, në veçanti.

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...