Published On: 28 Maj, 2017

Tradita dhe bashkëkohorja në arsim

LLAZAR SYZIU

Të përcjellësh idetë personale për arsimin në një konferencë me ndihmën e një kumtese është përgjegjësi. Për të realizuar këtë duket mjaft delikate përvoja 20-vjeçare e punës, si mësues, që kam realizuar në arsimin parauniversitar. Prandaj referimi në punime të mëparëshme, mjaft serioze, krijon një siguri në realizimin e kësaj përgjegjësie.

Punimi:“Psikologji Edukimi” e përvojës amerikane në arsim, kur flitet për metodat të mësimdhënies, krijon mundësi të mira për koherencë dhe interferencë. Pse pikërisht punim psikologjik amerikan?

Sepse përfaqëson përvojën e një vendi të madh dhe histori arsimore të kultivuar më tepër se shqiptarët dhe ajo që është më e rëndësishme, me diversitetin më të madh të kulturave në komunitetet që përmbledh. Bashkëjetesa në shoqërinë amerikane ka krijuar një krenari të tillë, sa që shumë njerëz në botë braktisin vendin e tyre për Amerikën.  Po ashtu edhe shqiptarët.  Për të siguruar këto vlera bashkëjetese ka rolin e saj dhe shkolla amerikane.

Punimi: “Didaktika” shqiptare e vitit 1986, tregon përvojën tonë më të arrirë në  arsim, para fillimit të ndryshimeve shoqërore. Pse pikërisht Didaktika?  Sepse trajtimi i metodave të mësimdhënies është bërë objekt në debatet për arsimin në Shqipëri. Aq shumë rëndësi i kushtohet metodave të reja, sa që një nga arsyet e përcaktimit të mangësive në shkolla i delegohet aftësive të mësuesëve në përdorimin e metodave të reja të mësimdhënies. Por,  nuk  duhet të harrojmë se më e rëndësishme në mësimdhënie është përmbajtja. Pastaj vijnë metodat e ndryshme për shpalosjen e kësaj përmbajtje. Nuk duhet të harrojmë se metodat e reja mund të përforcojnë mësimdhënien nëqoftëse gërshetohen me arritjet e mëparshme. Zakonisht sot metodat e reja mund të merren nga përvoja e përparuar botërore. Kjo është pozitive.  Dendur ndodh që këto metoda të emërtuara në gjuhë të huaj mbase kanë tingëllim tërheqës, por shpesh shoqërohen me mister, në produktin që mund të realizojnë. Shqipërimi i mirëfilltë i tyre do të siguronte zhveshjen e këtij misteri.

Për arsimin flasin politikanët, pushtetarët, psikologët, filozofët, biznesmenët dhe njerëz të tjerë që e shohin nga jashtë zhvillimin e ngjarjeve në shkollë. Por për arsimin flasin edhe nxënësit, mësuesit, punonjës të administratës si dhe drejtuesit. Tek grupi i parë dëgjojmë më tepër opinione se sa fakte. Tek të dytët shfaqen fakte  edhe kur nuk janë në gjendje të japin opinione të plota. Kjo krijon idenë e një lavjerrësi, që tundet vazhdimisht, për të siguruar qartësinë e opinioneve me fakte dhe ndriçimin e fakteve me opinione. Për shoqërinë, përgjithësisht, meqënëse ajo shumë gjera i shikon nga jashtë, shkolla është vendi ku brezi i ri merr njohuritë e domosdoshme për t’u ingranuar me dinjitet në shumëllojshmërinë e veprimtarive shoqërore, me të cilat ata do të ballafaqohen gjatë gjithë jetës. Edhe përkufizimet shkencore dhe akademike, përshkruajnë një vend të pajisur me mjete, bazë materiale dhe personel me njerëz të përgatitur për t’i shërbyer  brezit të ri. Këta janë përgatitur si mësues, punonjës shërbimi, drejtues etj… Pritshmëria shoqërore për përmbajtjen në shkollë është e lartë. Kështu një nxënësi që nuk sillet mirë në mjedise shoqërore shpesh i kujtojnë: “Kështu të mëson shkolla ty ?”  Përmbajtja që pritet natyrshëm është pajisja me edukatën dhe kulturën e domosdoshme për bashkëjetesë shoqërore.

Përfshirja në punë e nxënësit që ka përfunduar një cikël shkollor, ka vështirësitë e ingranimit nga rutina e mëparëshme, në përditësimin e sjelljeve të reja sipas kërkesave të prodhimit, apo shërbimit. Shpesh këta gjenden përballë pyetjes retorike:  “O po çfarë të ka mësuar shkolla ty?”. Përmbajtja shtron kërkesën e shoqërisë, që një nxënës shkolle të jetë i pajisur me dijet e mjaftueshme, për t’u përshtatur shpejt me çdo lloj procesi: prodhues, menaxhues, shërbyes, etj. Dikur dalja nga ciklet e specializuara të shkollimit, sinkronizohej me një vend pune të sigurt. Sot nuk ka vend pune të sigurt, por në mënyra të ndryshme gjendesh përballë menaxherit që të thotë shkurt:  “Di ta bësh këtë punë ?   Bëje! Ndryshe, hap krahun.”  Përmbajtja, si tregues, se ashpërsia e konkurrencës në tregun e punës, kërkon shprehi dhe aftësi të domosdoshme, të cilat duhet të fitohen që në shkollë.

Aktivitetet në qytete të mëdha apo në zona rurale, fillojnë herët në mëngjes dhe përfundojnë vonë në mbrëmje. Prandaj gjithë aktiviteti shkollor shpaloset lehtë pëpara opinionit shoqëror. Shfaqen në fillim nxënës të veçantë nëpër rrugë drejt shkollës. Pak minuta, para se të filloj mësimi, derdhet drejt shkollës shumica e nxënësve. Të vonuarit ecin me nxitim. Deri këtu krijohet opinioni i fillimit të një procesi në vazhdimësi dhe të përditëshëm. Vërejtjet deri këtu i adresohen neglizhencës familiare. Për shembull kur  vërejnë nxënës me vonesë, pa uniformën shkollore ose pa çantë. Por opinione shqetësuese fillojnë për shkollën kur vërehet që ka nxënës që nuk hyjë në shkollë por rrinë në oborr. Këto dukuri shtohen kur mungon rrethimi i shkollës, ose kur pranë territorit ka lokale shërbimi. Prania e njësive të vogla tregtare, për produkte që konsumojnë nxënësit gjatë pushimit pranohen moralisht nga opinioni. Por lokalet e shërbimit jo. Ato influencojnë në jetën parazitare të nxënësve.  Këto mbulohen me tisin e paragjykimeve të ndërthurura me aktivitetet shkollore. Aktivitetet argëtuese të nxënësve, që nga festimi i ditëlindjeve, deri tek ekskursionet, paragjykohen kur dëmtojnë zbatimin e orarit mësimor. Gjithashtu sjellja e papërmbajtur gjatë këtyre festimeve ka të njejtin çmim nga opinioni shoqëror. Ngjarjet e rënda konfliktuale që ndodhin në shkollat tona, i japin shkas opinionit në komunitet, të hedhi baltë mbi përgjegjshmërinë e personelit të shkollës. Ndërsa rezultatet e dobëta të nxënësit në fund të vitit ose në provime i adresohen vetëm punës së dobët të mësuesit. Ky qëndrim dhe reflektim opinionesh e ka një pikë të dobët. Dhe kjo është pjesëmarrja e paktë e prindërve në shqetësimet dhe problemet e shkollës. Kjo ndodh si në shkollat shtetërore dhe në ato private. Mentaliteti shoqëror: “Hë se atë punë ka mësuesi. Prandaj paguhet’’ e dëmton së tepërmi përgjegjshmërinë prindërore. Në fund të fundit, fëmija i mirë apo i keq, i ditur apo i paditur, nderin ose dëmin do t ia krijojë më parë familjes dhe më pas shoqërisë.

Por shkolla ka edhe një vizion që krijohet së brendëshmi prej aktorëve në jetën shkollore. Aktorë të parë janë nxënësit. Për moshën që kanë dhe sipas përvojës së fituar, ata realizojnë veprimtaritë e tyre. Shumë prej tyre janë të ndërgjegjshëm të paktën emocionalisht për nevojën e shkollës dhe të veprimtarive që ajo kërkon. Por shumë të tjerë vijnë në shkollë, për të qenë me shokët dhe shoqet, sepse jeta pa praninë e tyre do të ishte boshe dhe e pakuptimtë.   Po ashtu aktorë të rëndësishëm në shkollë janë mësuesit, drejtuesit dhe personeli i shërbimit. Ndryshimet e mëdha në shoqërinë tonë kanë bërë që të rritet shkalla e diversitetit të mendimeve dhe veprimeve të këtij personeli në lidhje me atë se: ”Si duhet të funksionojë shkolla ?”,  ”Ç’është e drejtë dhe e gabuar?”.  Pra në përgjithësi një shumëllojshmëri pikëpamjesh për “shkollën që ishte” dhe “shkollën që është”.  Për të gjithë nxënësit dhe shumicën e personelit të mësuesve, jo vetëm, për kohën që angazhojnë, por edhe për shqetësimet emocionale dhe racionale që u shkakton shkolla, e konsiderojnë atë si vetë jeta. Ata janë të interesuar që shkolla e tyre të jetë e suksesshme,  që dijet e marra të kenë vlerë dhe puna e tyre të vlerësohet si duhet.

Çdo mësues sot, sipas mënyrës së tij, bënë një radiografi të tillë, të shpejtë të kushteve dhe mentaliteteve shkollore dhe shoqërore. Pas kësaj ai përcakton shkallën e motivimit për punë. Mësuesit, si për nga mosha dhe përvoja, ashtu edhe nga ana e njohurive speciale që ata zotërojnë kanë përcaktuar pozicionin e tyre si orientues, drejtues dhe menaxhues të veprimtarive shkollore. Ka rëndësi të madhe se cila është ideologjia e këtyre mesuesve. Ata në mënyrë të vetëdijëshme plotësisht ose jo, në bazë të kësaj ideologjie, do të zgjedhin metodat dhe teknikat e procesit të mësimdhënies. Ka shumë rëndësi motivimi i realizuar nga ana e mësuesit, për përkushtimin në punë, sepse është ai që do të realizojë shkallën e qëndrueshmërisë së procesit mësimor. Për sa kohë ka ekzistuar profesioni i mësuesit, kanë ekzistuar edhe forma, metoda dhe teknika të punës së tyre. Këto metoda diktohen nga faktorë të shumtë si: -mosha e nxënësve, -natyra e lëndës, -qëllimet që kërkohen për t’u arritur,  -niveli i nxënësve dhe shkalla e interesit të tyre. Një ndarje efektive e tyre mund të bëhet në tradicionale, të përdorura dikur dhe bashkëkohore. Duke filluar që nga metoda A-94 dhe deri tek metodat që rekomandohen sot E (evokim), R (realizim), R (reflektim),  kllaster etj, përgjithësisht tentohet që të hidhet prapa krahëve gjithë përvoja pedagogjike e cila përdorej përpara fillimit të ndryshimeve shoqërore.

Të shohim realisht cilat janë arritjet e pedagogjisë tradicionale.  Duke cituar pjesë të qëllimeve shkollore të dikurshme nga “Didaktika” punim i Institutit të Studimeve Pedagogjike. “Shkolla jonë… lufton që të konsolidojë tipin e te mësuarit krijues…të bëjë të mundur që nxënësit të edukohen me shprehitë e punës së pavarur qysh në bangat e shkollës…të  rrëzojë autoritetin dogmatik të mësuesit dhe të vendosë marrdhënie të reja mësues – nxënës.”     “Në shkollën tonë …duhet të përdoren metoda që sigurojnë përvetësimin aktiv, të vetëdijëshëm dhe të qendrueshëm të dijeve…zgjedhja e metodës është punë krijuese dhe me përgjegjësi…ato duhet të përzgjidhen në përshtataje me natyrën e lëndës…në përputhje me vendin ku do të zhvillohet mësimi…në raport me moshën e nxënësve, me veçoritë e tyre psikologjike”etj. “Ne duhet të ruhemi nga nënvlerësimi dhe mbivlerësimi i një apo disa metodave.” “Metodat e të mësuarit janë rrugët, mënyrat, ecuritë dhe procedimet didaktike, që përdoren në procësin mësimor, për transmetimin e përvetësimin e njohurive, shkathtësive dhe shprehive… Ato nuk janë statike dhe të dhëna përgjithmonë.”  “Lidhja ndërmjet lëndëve – një formë e të nxënit zbatues.”  Cilido që ka prekur sadopak literaturën për metodat e reja e kupton lehtë që këto citime, jo vetëm që nuk bien ndesh me bashkëkohoren, por janë tepër aktuale. Në qoftë se duhet hequr fjala “Rrevolucionarizim” që gjendet dendur në këto citime, po ashtu edhe fjalë të tjera të kësaj familje fjalësh…?  Po.  Por të hedhësh prapa krahëve një nivel të tillë arritjesh pedagogjike është e panevojshme dhe jo efikase. Sipas mendimit tim metodat e reja zënë vend më mirë, kur e pranojmë këtë përvojë didaktike dhe jo kur e mohojnë.

Historikisht degët e mësuesisë në universitete nuk përthithin kontigjenin më të mirë të nxënësve parauniversitar.  Po ashtu edhe rezultatet pasuniversitare të këtyre studentëve janë përgjithësisht të ulëta. Këta tregues shprehin qartë  rëndësinë që ka sensibilizimi i opinionit të mësuesve për metodat tradicionale apo bashkëkohore të mësimdhënies. Opinionet e inspektorëve të arsimit, në nivel qëndror apo lokal, e përforcojnë këtë detyrim.  Vetëkualifikimi dhe kualifikimi i brendshëm në shkolla duhet të realizojë rritjen e efektivitetit të këtyre metodave.

Po përmendim tani disa metoda dhe opinionet që i shoqërojnë ato. Tradicionalisht metoda më e përdorur ne shkolla është shpjegimi. Aq e vërtetë është kjo sa që ka hyrë dhe në shprehjet e nxënësve kur vlerësojnë mësuesit: “Ky ose ajo mësuese shpjegon, ose nuk shpjegon mirë”. Një praktikant orët e para që drejton klasën e shpreh merakun e tij për vlerësimin nga ana e mentorit me pyetjen: “E shpjegova mirë  mësimin apo jo?”  Shpjegimi është një metodë e mirë kur nxënësi është i motivuar për të dëgjuar çështjen që po trajtohet. Të tillë nxënës në klasa gjen pak. Arsyeja nuk është tek vlera e përmbajtjes së çështjes mësimore, por tek ajo që nxënësi mëson në shkollë, dukuri që nuk lidhen drejtëpërdrejtë me qëllimet jetësore të tyre. Megjithatë mësuesi vazhdon të shpjegoj. Çfarë ndodh me nxënësit e pa motivuar?   Një pjesë rrinë urtë, sepse po të mos rrinë si duhet, i kap vëmendja e mësuesit. Një pjesë tjetër stimulojnë probleme me kujdes, që mësuesi të mos e kuptoj, se ata nuk duan të dëgjojnë shpjegimin e mëtejshëm. Në këtë gjendje, mësuesi do të shpjegoj mësimin me ndërprerje të shumta, sepse duhet të zgjidhi edhe problemet e stimuluara, që fillojnë me kërkesën për leje në tualet dhe deri tek ankesat, “më ngacmoi i pari”.  Megjithatë mësuesi vazhdon të shpjegoj deri në fund, sepse kështu e quan të kryer detyrën. Mirëpo në këto kushte nuk u realizua mësimdhënia. Përkundrazi, përpara syrit të mësuesit klasa ndahet në nxënës të “mire”, të cilët duan të dëgjojnë dhe nxënës të “keq”, që nuk duan të dëgjojnë.

Për rëndësinë e kësaj metode mund të citojmë nga “Psikologjia e edukimit, e cila përdoret në Universitetin Shtetëror të Ohajos. “Mësimdhënia shpjeguese thekson të nxënët kuptimor fjalësor… të nxënët përmendësh nuk është të mësuar kuptimor”   Po aty,  bëhet fjalë për “…organizues paraprak në procesin e shpjegimit   ( të përgjithëshëm, krahasues dhe shpjegues) …hapat në mësimin shpjegues”…etj. Kjo metodë, përderisa përdoret kaq shumë, patjetër që i ka efektet e saj pozitive, por duhet përdorur me masë. Ajo ndihmon nxënësit e motivuar të arrijnë nivele të larta akademike, në trajtimin e dukurive natyrore,apo problemeve shoqërore. Shpesh herë mësuesit përdorin shprehjen: “e shpjegova” mësimin edhe kur ata, në fakt përdorin metodën e leksionit. Në literaturën amerikane të dyja këto metoda përfshihen në termin: “Mësimdhënie e drejtpërdrejtë”.  Sido që të ndodhi, këto metoda vendosin në qendër performancën e mësuesit. Pak nxënës në klasë, punojnë aq shumë, sa të arrijnë të ndjekin mësuesin në këtë proces. Për nxënësit e tjerë mësuesi bëhet i largët. Ky proces kërkon mënjanim, për arsye se krijon baza konfliktualiteti mësues-nxënës.

Tradicionalisht, kontrolli i nxënësve bëhet në mënyrë individuale. Kjo nënkupton një nxënës i cili ngrihet para klasës, apo në bangën e tij dhe që duhet të kthej përgjigje të njëpasnjëshme, sipas pyetjeve që do të bëj mësuesi. Pra nxënësi duhet të riprodhoj apo të shpjegoj, atë që ka dëgjuar apo lexuar në lidhje me mësimin. Gjen gjithmon nxënës, të cilët kanë performancë të mirë në këtë formë të kontrollit të dijeve. Ana e mirë e kësaj metode kontrolli është se arrin shpejt dhe lehtë të kuptosh dijet që nxënësi i zotëron në mënyrë të pavarur nga libri apo nga nxënësit e tjerë. Por ky është pozicion i vështirë për nxënësin. Shpesh ata hezitojnë të ngrihen. Për mësuesin, të qëndroj para vëmendjes së nxënësve të klasës bëhet më se e zakonshme. Për nxënësin është mjaft e vështirë të shfaqet natyrshëm në të tillë situatë. Kompleksiteti i gjendjes së nxënësit është më i madh se i mësuesit. Mësuesi do të shfaqet përpara klasës për çështje që i organizon dhe i rendit sipas dëshirës. Kurse nxënësi duhet të përgjigjet sipas kërkesave të mësuesit. Pra konflikti i hapur gjatë përdorimit të shpjegimit dhe leksionit me ndjenjën e detyrës dhe jo me ndjenjën e nevojës, përforcohet më tepër nga kjo mënyrë kontrolli. Ndërveprimi konfliktual ne fillim lodh nxënësit, më pas edhe mësuesin.

Nxënësit sot në media marrin informacione të shumta të cilat , nuk janë gjithmonë edukative.  P.sh. ata mësojnë:  si zgjidhen problemet me dhunë ,  si mund të tallesh me figurat publike, që nga presidenti apo liderët e partive dhe deri tek figurat kombëtare të historisë sonë. Fjalori i përdorur në këto emisione shpesh herë është me banalitete dhe  të jep shkas për shumë kuptime. Pra nxënësi i formuar nga këto emisione, në konfilktin që hapet midis tij dhe mësuesit,  nuk është e vështirë të kundërvihet në mënyrë të fshehtë ose të hapur.  Veprimtaritë e mëtejshme, sado optimiste të interpretohen bëhen të paparashikueshme.

Gjithë periudha që ne e quajmë tranzicion ka bërë të domosdoshme kalimin nga mësimdhënie me në qendër mësuesin në atë me qendër nxënësin.  Kështu ka marrë vlerë metoda e bisedës, diskutimit, debatit, të mësuarit problemor dhe kërkimuar, puna në grupe, projektet mësimore etj.  Këto metoda nuk janë të reja për pedagogjinë shqiptare.  Emërtimet e huaja si: Brainstorming, ERR, kllaster etj, në thelb vendosin theksin në gjthëpërfshirje dhe në aktivizimin e gjallë të nxënësve. Të shfletojmë pak didaktikën shqiptare të viteve 1986. “Format e organizimit të procesit mësimor…krijojnë mundësi për punë individuale dhe të difirencuar…në kushtet e punës frontale me të gjithë klasën …Ndihmojnë për përgatitjen  e nxënësve për punë të pavarur deri në nivelin e punës krijuese.” “Të mësuarit problemor realizon transmetimin dhe përvetësimin e njohurive të reja nëpërmjet krijimit të situatave problemore dhe zgjidhjes së problemeve dhe kontradiktave që përmban detyra njohëse mësimore, teorike ose praktike…Të mësuarit kërkimor e çon nxënësin “në zbulimin” e të vërtetave të njohura në shkencë.”  “Biseda organizohet mbi bazën e dialogut mësues – nxënës.” “Diskutimi merr pamjen e një polemike të vërtetë dhe ai krijon mundësi që të vendoset një lidhje më e mirë në mes të studimit individual dhe atij kolektiv”.

Këto metoda nuk presupozojnë neglizhimin e shpjegimit apo mënyra të tjera të mësimdhënies së drejtpërdrejtë, por plotësimin e tij dhe kombinimin e tyre me njera –tjetrën.  Përdorimi i një metode e bën monoton mësuesin dhe padyshim të mërzitshëm për nxënësit. Një nga qëllimet e larmisë së metodave të mësimdhënies është që mësuesi të mos bëhet për nxënësin një siluetë  bezdisëse.  Po ndodhi kjo,nuk pritet që nxënësi të dali vetë nga gjendja e mërzitjes me sukses.  Një metodë e re bën të mundur lehtësimin e përvetësimit të përmbajtjes.  Kurse një larmi metodash e bëjnë nxënësin aktiv në proces.  Kështu metoda e bisedës e kalon vëmendjen sa tek mësuesi edhe tek nxënësi.  Ajo është një metodë, sa trdicionale, aq edhe bashkëkohore.  Ka efekt në mësimdhënie atëherë kur njohuritë e nxënësve për çështjen janë të konsiderueshme. Realizon përfshirjen e nxënësve në proces.  Kujdes duhet që mësuesi të mos e drejtojë vazhdimisht, por të luaj kryesisht rolin e menaxherit.  Biseda siguron në mënyrë të njëkohëshme jo vetëm marrjen e njohurive por edhe performancën e nxënësit. Krijon kushte për vlerësimin e tij.  Diskutimi është një metodë tjetër që e largon mësuesin nga qendra e mësimdhënies.  Realizimi i problemit vërtet krijohet nga mësuesi, por zgjidhja e tij duhet të bëhet nga nxënësit duke i orientuar ata me pyetje ndihmëse.  Pra mësuesi kalon gradualisht në pozicionin e menaxhimit të procesit mësimor në klasë.  Ky pozicion i lejon atij të mendojë për të përfshirë gjithë klasën në proces.  Sipas kontributit, që mund të japi secili nxënës.

Kalimi nga diskutimi në debat,  duhet të bëhet me kujdes nga mësuesi.   Duhet që nxënësit të mësojnë të respektojnë mendimin e njeri-tjetrit.  Ka shumë mundësi që debati  i pa kontrolluar me kujdes nga mësuesi, të mos e realizojë qëllimin e mësimnxënies, por të krijojë konfilkte.  Kjo metodë mund të përdoret sidomos për probleme të mprehta shoqërore. Përdorimi i metodave të reja me në qendër nxënësin, kur përdoren pa kriter, degjenerojnë në realizimin e një niveli të ulët të dijeve dhe aftësive.  Efekti  “mësues menaxhues”  nuk ka sukses pa modele orjentuese të krijuara nga procesi i mësimdhënies së drejtpërdrejtë.  Pra injorimi i mësimdhënies me në qendër mësuesin të shpie në gabimin e venitjes së veprimtarive mësimore. Shpesh herë metodat e reja të marra nga përvoja botërore  dhe po ashtu edhe teknikat që përdoren për realizimin e tyre,  prezantohen në mënyrë shumë artificiale dhe pa u përshtatur me traditën shqiptare. Aq e vërtetë është kjo, sa që shpesh nuk shqipërohet as emërtimi i tyre.  Kështu që përdorimi prej mësuesëve, i këtyre metodave bëhet pa u kuptuar mirë dhe në mënyrë qesharake, pa e realizuar qëllimin e tyre.  Përdorimi i fjalëve të huaja për emërtimin e hallkave të procesit, vetëm sa krijon përshtypjen e diçkaje të  re,  por nuk krijon produkt të ri mësimnxënie.

Një metodë e ashtuquajtur e re është “projekti mësimor” Dikur kjo metodë është përdorur me nxënës të zellshëm me dije të mira. Këto grupe funksioninin  jashtë programit mësimor me emërtimet: “Biologët e vegjël”, “Fizikantët e rinj” etj. E reja që shfaqet është se sot kërkohet gjithëpërfshirja, pra pjesëmarrja edhe e nxënësve me dije të pakta. Po ashtu edhe aftësia për të marrë përpunuar dhe prezantuar informacionet me ndihmën e teknologjisë së informacionit.  Një metodë e të mësuarit që ka marrë rëndësi sot është puna në grupe.  Dikur formoheshin ‘‘grupet e patronazhit”, që nënkuptonte nxënës të mirë në mësime, i cili do të bashkërendonte punën me nxënës të dobët.  Ky grup ndërtohej në klasë duke i vendosur në një bangë ose edhe jashtë klase, gjatë zbatimit të orarit të studimit.  Nga vetë emri i grupit kuptohet rëndësia që ka veprimtaria e nxënësit të përparuar (sot emërtohet lider).  Kështu nxënësve të prapambetur u krijohet mundësia të mësojnë nga nxënësit e përparuar. Mund të dallojmë dy aspekte në përdorimin e metodave të reja. Shpesh ato nuk përdoren për shkak të mosnjohjes, ose njohjes së pjesëshme. Por vërehet se ato nuk përdoren edhe për mungesë të dëshirës për të thyer rutinën e përditshme, për të prishur rehatin personal, ose për të ndihmuar të tjerët.

Dikur kishte rëndësi në planin ditor  rubrika : “Qëllimi i orës së mësimit”. Sot kjo rubrikë është zëvendësuar me objektivat mësimorë. Këta objektiva klasifikohen në gjashtë nivelet sipas Taksonomisë së Blumit.  Ose në mënyrë të përmbledhur në tre nivele: bazë, i mesëm, i lartë. Një klasifikim tjetër është në të përgjithshëm dhe specifikë. Shoqërohen nga kriteri, kushti etj.  Objektivat janë gjithmonë një hap përpara në krahasim me qëllimet. Qëllimet përcaktojnë çfarë do që të arrijë mësuesi. Objektivat përcaktojnë se çfarë është në gjendje të bëjë nxënësi në kushte konkrete, sipas një kriteri të përcaktuar mirë. Metodat janë të shumta dhe të larmishme. Janë ca të vështira kur aplikohen herët e para. Por me kalimin e kohës realizojnë orë mësimi të këndshme dhe të japin mundësi të mira për të shfrytëzuar situatat e rastit në favor të mbarëvajtjes së procesit mësimor. Dikur shumë institucione e sinkronizonin punën e tyre me shkollën. Sot,  në kushtet e decentralizimit të zgjidhjes së problemeve shkollore,  kjo nuk ndodh më.

Pajisja e mësuesit me shkathtësitë që të japin metodat e shumta ka vetëm një emër: Profesionalizëm.  Një mësues profesionist ka shumë mundësi të zhvillojë një proces mësimdhënës pa kontradikta.  Një mësues profesionist ka shumë mundësi të përgatisi akademikët dhe profesionistët e të ardhmes.

 

 

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...