Published On: 24 Nëntor, 2016

Të zhduken paragjykimet enveriste mbi “mërgatën e qyqeve”

 

Post Scriptum i “Samitit” të diasporës

 

Nga Frank Shkreli

Nuk dua të komentoj mbi suksesin ose dështimin e pjesshëm ose të tërë të “samitit” që u cilësua si i pari i diasporës që u mbajt javën e kaluar në Tiranë, pasi nuk isha i pranishëm dhe nuk dua të bëjë gjykime ose vlerësime nga kjo anë e oqeanit, megjithëse në median shqiptare janë shfaqur vlerësime në favor dhe kundër. Vetë Kryeministri Rama kërkoi falje për mungesat që mund të kenë ndodhur në organizimin e samitit. Por, pa marrë parasysh përfundimet në të cilat kanë ardhur organizuesit a po edhe kritikët mbi suksesin ose jo të “samitit” të diasporës në Tiranë, unë siç e kam theksuar edhe më herët, besoj gjithnjë se organizimi i një takimi të tillë ishte më se i nevojshëm, ndonëse i vonuar, për derisa takimi   – për nga qëllimi dhe përmbajtja–do të ishte mbarë kombëtar dhe gjithëpërfshirës, pa dallime, sidomos pa dallime politike midis diasporës së vjetër dhe asaj të 25-viteve të fundit.

“Samiti” i ashtuquajtur i parë, nuk është një ide e re dhe as i pari. Pa dashur të tregohem kritik ndaj këtij takimi në kryeqytetin e shqiptarëve, desha të vë në dukje një fakt historik dhe të shënoj se “samiti” i Tiranës, në të vërtetë, nuk është takimi i parë i diasporës, ashtu siç u cilësua nga organizuesit dhe nga disa prej folësve në tubimin e Tiranës.  Në një dokumentar që u shfaq në fillim të punimeve të “samitit” në Tiranë, u pohua në një referencë në kalim dhe shkurt, se “Krerët e diasporës shqiptare u takuan në audiencë solemne me Papa Palin e VI, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, prillin e vitit 1968. Por nuk u tha se kush ishin këta krerë, ose kush ishte organizatori i kësaj nisme, megjithëse dokumentarit nuk i mungonin emra të njohur dhe të panjohur, të rëndësishëm dhe jo aq të rëndësishëm të diasporës së vjetër dhe të re dhe nuk u tha sekush në fakt e organizoi atë takim të parë nga mbarë mërgata e atëhershme, përfshirë Arbëreshët e Italisë,e që u mbajt 48-vjet më parë në kryeqytetin italian. Duket se ishte tepër e pa pranueshme që nismëtarët e “samitit” të diasporës në Tiranë të përmendnin në dokumentarin e tyre për mërgatën, emrin e Profesor Ernest Koliqit, nismëtarit dhe organizatorit të takimit të përfaqësuesve të mërgatës në Romë.

Fatkeqësisht, duket gjithashtu se hendeku i thellë ideologjik është vështirë të ngushtohet, lere më të zhduket në Shqipërinë tonë të sotme, bile edhe 70-vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, influencoi edhe organizimin e “samitit” të fundit në Tiranë.  Sa për dijeni të lexuesit, krye-organizatori i kësaj nisme, në të vërtetë të takimit të parë të mërgatës”, ishte Profesor Ernest Koliqi, por të cilit nuk iu përmend emri në dokumentarin e shfaqur në “samitin e diasporës” në Tiranë, si nismëtari i takimit të parë të mërgatës shqiptare.  Ernest Koliqi,  ishte ai i cili me punë të rëndë dhe me mbështetjen e Vatikanit dhe të një grusht shokësh të tij të ngushtë bëri të mundur grumbullimin e parë të mërgimtarëve të atëhershëm në Romë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Jo vetëm që ai takim u organizua shumë mirë, por nga të gjitha vlerësimet e pjesëmarrësve, bazuar në rrethanat dhe mundësitë e kohës, mërgata e vjetër shqiptare, ndonëse “pa plang e pa shtëpi, pa dallim partie a krahine” — siç do t’i përshkruante Karl Gurakuqi pjesëmarrësit në atë tubim të parë të mërgatës– me atë tubim i tregoi botës me dinjitet se kush në të vërtetë ishin shqiptarët dhe kush ishte Heroi i tyre Kombëtar.  Ernest Koliqi me bashkëpunëtorët e tij,  organizuan takimin e parë të diasporës në Romë në prill të vitit 1968, në frymëm dhe në kujtimin e të, “Gjithmonshmit të fisit tuaj, (Gjergj Kastriotit Skënderbe) i cili gjithherë, mbi çdo interes ka venë vlerat  e trashëguara të besës, të nderit e të burrënisë”, siç është shprehur në tubimin e parë të mërgimtarëve shqiptarë nga bota e lirë, Papa Pali i VI, në pritjen që u pat bërë mërgimtarëve shqiptarë në Vatikan.

Do të ishte mirë që faktet historike të mos nëpërkëmbën dhe të mos injorohen, vetëm e vetëm, se disave për arsye ideologjike dhe politike nuk u pëlqejnë protagonistët e këtyre fakteve. Organizimi i takimeve si ai i “Diasporës Shqiptare” që u mbajt në Tiranë duhet të ishin larg ndikimeve dhe prapaskenave politike.  Vet i ndjeri Profesor Koliqi do të thoshte në lidhje me këtë, ndoshta edhe me pak cinizëm, se gjithçka në botë lëvizë e ndryshon, veç në Shqipni mjerimi mbetet i njëjtë, madje edhe kur ai ndryshon ngjyrën. Me këtë nuk besoj se Koliqi kishte në mend mjerimin ekonomik!Nuk është për tu habitur se Shqipëria komuniste kishte refuzuar të dërgonte ndonjë përfaqësues të saj në kremtimet e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Romë, por sot 25 vjet post-komunizëm në Shqipëri nuk duhet të ketë dallime dhe paragjykime të tilla.

Në të vërtetë, në mbledhjen e parë të mërgatës në vitin 1968 në Romë, takimi me Papa Palin e VI në Vatikan ishte vetëm një pjesë e ceremonive me rastin e këtij përvjetori të madh për shqiptarët dhe ishte rasti i parë që Arbëreshët e Italisë dhe pjesëtarë të mërgatës shqiptare nga e mbarë bota e lirë, kryesisht të pas Luftës së dytë Botërore – nga Amerika e deri në Australi – ishin mbledhur në Romë për të përkujtuar heroin e madh të shqiptarëve.  Takimi me Papa Palin e VI dhe fjalimi i tij drejtuar shqiptarëve me atë rast, ishin kulmi i festimeve kastriotjane prej katër ditësh të diasporës shqiptare, por nuk munguan as ceremonitë, ligjëratat akademike dhe shfaqjet kulturore që u mbajtën me këtë rast, anë e mbanë Romës.

Duhet të theksohet se ndonëse edhe mërgata e asaj kohe ishte e ndarë në disa parti dhe organizata politike të ndryshme, takimi i parë i saj në Romë të Italisë, në kujtim të 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbe, nuk përbënte ndonjë pengesë politike që ndër pjesëmarrësit në atë takim historik të përfshiheshin përfaqësuesit më të dalluar, të djathtë e të majtë të politikës së diasporës së atëhershme shqiptare. Në një shkrim të Karl Gurakuqit mbi pjesëmarrjen në takimin e parë të mërgimtarëve shqiptarë në Romë më 1968, botuar në revistën “Shejzat” e Ernest Koliqit, shënohet se në kryeqytetin italian kishte shkuar ajka e mërgatës shqiptare të pas luftës. Merrte pjesë Dhimitër Berati, njëri prej nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë, publicisti dhe politikani i njohur shqiptar i fillim shekullit të kaluar.  Nga Amerika, përfaqësues të Federatës Pan Shqiptare Vatra, Anthony Athanas, Christo Thanas, Peter Chikos, Prof Nelo Drizari, Dr. Hamdi Oruçi, e të tjerë.   Komiteti Shqipëria e Lirë përfaqësohej ndër të tjerë, nga Dr. Nexhat Peshkopia. Aty ishin gjithashtu përfaqësuesit e Ballit Kombëtar,profesorët Abaz Ermeni e Vasil Andoni, Zef Pali e Sulejman Meço. Natyrisht, organizatori i tubimit të parë të diasporës, Prof. Ernest Koliqi, Kapidan Ndue Gjomarkaj, Profesor Martin Camaj, dr. Ismail Verlaci, dr. Vehbi Frasheri, dr. Ragip Frasheri, piktorët Ibrahim Kodra e Lin Delija dhe Tahir Zajmi, ish-sekretar i Bajram Currit, e shumë e shumë të tjerë.  Burra të tillë të kombit ishin me dyzina nga radhët e intelektualëve të mërgatës politike shqiptare të pas luftës që morën pjesë në takimin e parë të diasporës shqiptare, të gjithë së bashku në ceremoninë fetare në Kishën e Madhe të Shën Pjetrit për të nderuar Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin, megjithëse dihesh se mosmarrëveshjet politike midis tyre ishin të dukshme dhe shpesh tepër të theksuara. Por të përbashkët kishin jo vetëm Gjergj Kastriotin Skënderbe dhe vlerat e tija kombëtare, por edhe vuajtjet nëpër të cilat përshkohej Shqipëria komuniste e atyre viteve dhe familjet e tyre atje.  Karl Gurakuqi shkruante se gjatë takimit të parë të mërgatës shqiptare në Romë, në vitin 1968, “Mendja e jonë fluturonte atje larg në Shqipni. Na u përfytyrojshin kishat e rrenueme e të djeguna, shërbëtorët e Perendisë të përndjekun, të vramë, të pushkatuem, të kalbun nepër burgje, të tallun e të nepërkambun…na dilshin përpara vuejtjet e të pafajshëmve, lotët e nanave të mbetuna pa djelm. Shifshim Atdheun në futa të zeza.”

Fatbardhësisht,  me shembjen e Murit të Berlinit, shumë gjëra kanë ndryshuar për më mirë ç’prej takimit të parë të mërgatës shqiptare në Romë.   Diaspora shqiptare sot anë e mbanë botës, është shumë më e madhe dhe më e përhapur dhe në shumë aspekte edhe më e zhvilluar se kurrë më parë. Shkon e vjen lirisht në Atdhe dhe kryesisht e ndjenë veten si një degë e pandarë e trungut të kombit shqiptar. Si të tillë besoj se shumica e jonë dërmuese ia duam të mirën Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, pa marrë parasysh se kush udhëheqë atje. Besoj se flasë për shumë pjesëtarë të diasporës shqiptare, të vjetër e të re, kur them se mbi të gjitha duam ta shohim Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë shqiptarët në trojet e veta, të nderuar dhe të respektuar në botë, por edhe të përparuar shoqërisht, politikisht dhe ekonomikisht në trojet e veta, ashtu që ata të jetojnë sa më të lumtur në tokën e vet në Ballkan. Ne nuk duam që të na shtohen radhët në mërgim se jemi mjaft në diasporë dhe nuk duam të boshatisen trojet shqiptare. Bota e re shqiptare e shekullit 21 – Shqipëria, Kosova dhe Diaspora — në nismat e tyre duhet të jenë të pandashme dhe gjithëpërfshirëse, pa marrë parasysh dallimet midis tyre, madje edhe mosmarrëveshjet politike midis brezave të ndryshëm. Nuk duhet patur frikë nga njëri tjetri, sepse as Shqipëria, as Kosova dhe as Diaspora, si njësi të vetme nuk do të mund të krijojnë botën e re shqiptare të shekullit 21.  Bota e re shqiptare ka nevojë  një kulturë të re politike, nevojw të bashkëpunimit dhe tolerancës ndaj njëri tjetrit në trojet shqiptare dhe në diasporë. Nevojitet një bashkëjetesë vëllazërore midis shqiptarëve, pa marrë parasysh ku jetojnë ata dhe cilat janë pikëpamjet e tyre politike, në përputhje kjo me frymën e kohës moderne të fillim shekullit 21. Në qoftë se në këtë botë të re, objektivi është ringjallja e kombit shqiptar, atëherë, nevojitet bashkëpunimi me forcat më të shëndosha të tija, kudo qofshin ato dhe çfarëdo pikëpamjesh te kenë.  Prandaj, “samiti” që sapo u mbajt në Tiranë dhe “samitet” e diasporës shqiptare që mund të mbahen në të ardhmen, do të konsiderohen të suksesshme –jo për nga investimet që mund të bëjë diaspora në trojet shqiptare, ndonëse edhe ato janë të nevojshme dhe të rëndësishme — por për nga aftësia e organizatorëve, që me respekt  dhe tolerancë për mendimet e njëri tjetrit dhe të tjerëve, të bëjnë të mundur harmonizimin e pikëpamjeve të rrymave të ndryshme politike të pjesëmarrësve në ato takime, për të mirën e përbashkët të kombit.  Me qëllimin për të pasuruar dhe për të lartësuar emrin e shqiptarëve në botë, ashtu siç bëri takimi i parë i diasporës shqiptare me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në prill të vitit 1968 në Romë. “Kjo dëshirë, me e pa vendin tonë mirë të mbarshtruem e të maturuem politikisht mbi baza drejtësie shoqnore, do të mbeste ndjesi e thatë, po nuk u shëndrrue në shkas përpjekjeje e vrull veprimtarie që shëndërron dëshirën në realitet”, ka thënë organizatori i takimit të parë të diasporës shqiptare, Profesor Ernest Koliqi.

Shpresojmë që “samitet” e ardhshëm të bëjnë realitet faktin se mërgata shqiptare, pa dallime dhe paragjykime politike, do të bëhet pjesë e pandarë e botës së re shqiptare të shekullit 21. Kjo është në dorë të Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare. Ka ardhur koha pra që, sidomos në Shqipëri, të zhduken paragjykimet enveriste mbi “mërgatën e qyqeve” të Nasho Jorgaqit. Pa marrë parasysh se ç’mendojnë jorgaqët e kësaj bote, atëherë dhe sot, Diaspora Shqiptare ishte dhe është pjesë e pa ndarë e trungut të kombit shqiptar. Si gjithmonë gjatë historisë, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për të. Ato kanë nevojë për mbarë diasporën shqiptare në përgjithësi dhe jo për individë ose grupe të caktuara që nuk përbëjnë as nuk përfaqësojnë pjesën dërmuese të mërgatës si një njësi të vetme.

 

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...