Published On: 2 Gusht, 2017

“TE POEZIA GJEJ QETËSINË, GJEJ ATË MAGJINË, QË NUK E KAM NË ASGJË TJETËR…”

                    

 (Bisedë, me miken poete, Lola Shehi)

 Nga: Prof.Murat Gecaj
      publicist e studiues

1.Dëshiroj që këtë Bisedë tonën ta fillojmë me një ngjarje të shënuar e të gëzuar, nga jeta jote, mike Lola Shehi-Çela…Pra, ti botove dy libra të tjerë poetikë dhe, para pak ditëve ,me miq e dashamirë të shumtë u bë përurimni i tyre, në kryeqytet…Cilët janë ata libra, tematika kryesore e tyre dhe çfarë mbresash  ruan nga ajo veprimtari?

-Faleminderit, Prof. Murat Gecaj! Këto dy botime janë ende “të ngrohtë”, si ajo tava e sapodalë nga furra. Ndërsa ju, si një “djalosh” i uritur, po i prisni te…dera e furrës…(ha,ha)

Po! Botova dy libra njëherësh, të dy me poezi. Ju mund të pyesni, përse nuk i përmblodha në një vëllim të vetëm… Po u përgjigjem vetë, pa më pyetur ju. Libri “ Do ta deh botën” kishte marrë rrugën e botimit, që para një viti, pra në qershor 2016. Por kjo ëndërr mbeti në mes!?…

Vëllimi tjetër,  “Letër e pashkruar” është krijimtaria ime, që përfshin harkun kohor njëvjeçar: qershor 2016-qershor 2017.

Përsa i përket  tematikës, në vëllimin e parë poetik ato janë të ndryshme. Po, kryesorja, ajo nga e cila merr edhe titullin ky libër, është lufta ime kundër botës llafazane, botës që nuk hesht kurrë, botës që përgjon, botës që përgojon, botës që njollos e baltos fisnikë dhe kurorëzon zuzarë!? Pastaj, aty brenda, ka poezi erotike e  për vendlindjen; me tema sociale, që shoqërojnë aktualitetin etj.

Ndërsa tematika e librit ” Letër e pashkruar” është pothuajse lirikë malli, që në fillim e deri në fund, është kënga e dhimbjes sime shpirtërore. Jam munduar që, herë pas here, ta zbus sadpak vargun, ta zbukuroj me ndonjë lirikë dashurie ose ndonjë emocion të çastit. Por kam krijuar edhe ndonjë situatë, vetëm e vetëm, që të mos bëhesha e lodhëshme te lexuesit e mi “fanatikë”, të cilët më ndjekin prej katër vjetësh.  Pikërisht për këtë fakt, parapëlqeva që t`i botoja, veç e veç, këta dy libra.

2.Po më parë, cilët libra ke publikuar dhe në çfarë gjinishë letrare? Gjithashtu, a ke në dorëshkrim ndonjë libër tjetër, që mendon ta botosh, së shpejti?

-Botimi im i parë është në qershor 2014. Pra, siç e shihni, kam dalë para lexuesve, “në vjeshtën time të vonë”(ha,ha).  Ai  titullohet” Rrugëtoj mes dashurive” Si libër i parë poetik, që ishte, aty kam rrugëtuar dhe iu kam thurur vargje të gjitha dashurive njerëzore. Prandaj edhe e titullova kështu. Në të, kam shkruar për të gjitha dashuritë e mia: atë shpirtëroren, atë të realizuarën dhe atë të mbetur ëndërr…Kam shkruar për dashurinë e burrit, të nënës, të heroit të muzës sime, babait tim. I kam shkruar ndjenjës më sublime, asaj të të qenit nënë dhe shumë dashurive e ndjesive, që më kanë shoqëruar, gjatë ecjes sime në jetë.

Librin e  dytë e kam shkruar në prozë, në stilin e rrëfimit dhe titullohet “Letra nga Përtej”. Është një bashkëbisedim virtual, me gjyshen time, që herë zhillohet në vitet e mia të fëmijërisë dhe herë e sjell në ditët e sotme, kur unë po e shkruaja këtë libër. Ngjarjet, në të gjitha tregimet dhe letrat, që përbëjnë këtë libër, janë reale dhe rrëfehen, një herë në vetën e parë dhe një herë në vetën e tretë. Në të shumtën e rasteve, personazhet mbajnë emrat e tyre realë, ndërsa në pak të tjerë, janë ilustrativë.

Ndërsa, përsa i përket pyetjes, se a kam në dorë ndonjë dorëshkrim, do të përgjigjesha: Po, e kam në dorë një libër jetëshkrimor, të një veprimtari të luftës në Kosovë. Nuk po e zbuloj, por them se edhe ky libër do t’i drejtohet botimit, shumë shpejt. Sa për kërshëri,  në çastin, kur më erdhën pyetjet e kësaj Bisede, isha pikërisht duke rishikuar disa episode të këtij libri.

3.Për herë të parë, me sa më kujtohet, jemi takuar e njohur në përurimin e një libri poetik të mikes së përbashkët, Manushaqe Toromani, në dhjetor 2015…Si i mban lidhjet ti, me krijuesit e kryeqytetit dhe  a merr pjesë, shpesh, në ngjarje të tilla?

-Virtualisht, ne jemi njohur më herët,në rrjetin social fb. Por njohja fizike, ajo sy ndër sy, është e vërtetë që ka ndodhur në përurimin e librit të mikeshës sime, Manushaqe. Aty dhe bëmë foto bashkë, të cilat i kemi kujtim, nga ajo veprimtari e bukur.

Kam marrë pjesë në disa përurime librash. Natyrisht, për arsye të kohës, nuk mundem ta ndjek gjithë jetën letrare të kryeqytetit. Por do të thoja, se ai përurim do të mbetet në kujtesën time, si një nga  më të bukurit. Manushaqja kishte zgjedhur një mënyrë të veçantë përurimi, ndryshe nga ai “klasiku”, që jemi mësuar rëndom. Pas fjalës së kritikës, të redaktorit ose edhe miqëve poetë, aty mbretëruan tingujt e kitarës së mikut të saj, Genc Sula. Nëse ju kujtohet, unë guxova edhe ta shoqëroja atë, në disa prej këngëve të rinisë sime. Po, se dikur edhe kam kënduar. Pas atij përurimi, kam shkruar një poezi…Ja, ndonjë varg: “Natës së heshtur, me zë të mekur, /ma drodhi shpirtin një kitarë…” etj., etj.

Pa u zgjatur, në përgjithësi, marrdhëniet me miqtë e mi krijues përpiqem që t`i mbaj të gjalla, reale dhe të prekshme.

4.A mund të na tregosh diçka për punën tënde të përditëshme dhe a je e aktivisuar në detyra të ndryshme shoqërore e në cilat drejtime? Po kështu, çfarë pasionesh tjera, përveç poezisë, ke në jetë?

-Puna ime e përditëshme, pra profesioni im për të cilin kam studjuar dhe

ushtroj, është shumë larg poezisë. Kam studiuar në Fakultetin Ekonomik, në degën e finances, në vitet 1983-1987 . Kam punuar në këtë profesion për 25 vjet, në Kompaninë “Albtelekom”. Pastaj, pas largimit nga kjo punë dhe operacionit të tim shoqi, punova për katër vjet në FOREX, një kompani italiane investimesh online, në fushën e valutës, aksioneve, arit, bitumit e të tjera, si këto. Aktualisht, punoj në “Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara” (ADISA), specialiste në sektorin e mbikëqyrjes së lëvrimit të shërbimevë.

Ndërsa, përsa i përket kësaj pyetjes, për pasionet e tjera, do të përgjigjesha duke lënë mënjanë modestinë, se kam dhe shumë pasione të ndryshme. Ja, p.sh.,kam pasion të këndoj, të kërcëj çdo lloj muzike; pëlqej muzikën e tabanit pupollor të të gjitha trevave të Shqipërisë. Kam edhe një pasion tjetër, atë të stilimit. Do të thoja, pa ngurrim, që stilimi është pasioni im, që starton që nga fëmijëria.Nnatyrisht, në ato vite nuk e quanim stilim, por rrobaqepësi. Po ju rrëfehem, se të gjitha veshjet në përurimet e mia i kam stiluar dhe qepur vetë. Kam dashur që, kokë e këmbë, përpara lexuesve ose pjesmarrësve në këto ngjarje, të jetë 100% Lola. Mos u habisni, kam pasion edhe kopshtin. Jetoj në një vilë private me pak oborr përpara. Nuk kam shumë lule. Një pjesë të mirë të sipërfaqes së tokës, që kam, pëlqej ta  mbjell me perimet e stinës. Kështu që më duhet të kujdesem me dashuri edhe për ato. Kam edhe pemë, por nuk ju gënjej dot. Me ato nuk di të merrem! Thjesht i punoj pak, rreth e rrotull, i ujis, u heq ndonjë degë të tharë dhe kaq.

 5.Kam venë re, që je shumë aktive në publikimin e poezive, te profili yt në Fb…Pra, pothuajse çdo ditë, nxjerr aty një poezi…Si të buron ty, kështu frymëzimi, si “ujëvarë” mali, kur je e ngarkuar dhe me punë të tjera?

-Pasi e theva akullin, pas shumë vitesh, tashmë, poezia për mua është si ai ushqimi i domosdoshëm i vakteve të ditës. Po, vërtet, shkruaj, pothuajse, çdo ditë. Nuk është e thënë që ta përfundoj  poezinë, që filloj ta shkruaj. Po e rëndësishme është që përherë frymëzohem, për të shkruar diçka. Poezia ime është e thjeshtë, me subjekt  përditshmërinë. Me pak fjalë, sado e lodhur të jem nga punët e përditëshme, te poezia gjej qetësinë, gjej atë magjinë, që nuk e kam në asgjë tjetër, që bëj a kryej. Poezinë e kam shoqe të ngushtë. Asaj i rrëfej, pa frikë, çdo ndjesi dhe sekret të jetës sime. Dhe ajo, si një mikeshë e mirë, më mban afër, më këshillon ose më qorton…

6.Në se nuk ësht përfshirë në ndonjë libër, a dëshiron që ta bashkëngjesim, me këtë Bisedë, një poezi tënden, nga më të rejat, e cila të duket e arrirë?

-Nuk e di, nëse është e tillë dhe kjo i mbetet lexuesit. Pra, po ua plotësoj dëshirën, duke shënuar vetëm  një nga poezitë, që nuk janë të përfshira në asnjë nga botimet e mia:

E BRISHTË…

Nuk e di, me kë e pi tani kafen e mëngjesit
As orët e vona të natës, deri në mëngjes…
Drita e abazhurit qendron ende e ndezur,
E pabindur vazhdon të të presë…

Nuk e di, në të ka mbërritur ndonjë nga letrat e mia;
Nën emrin e marrësit, s`kam shënuar adresë…
T`i kam nisur me postën e shpejtë, “Dashuria”,
Në intinerarin, mesnatë-mëngjes…

Nuk di, në të kujtohet kolona zanore
Apo sinjali, që nga larg më njoftoje me fërshëllimë…

Jam treguar paksa tinzare, t`i kam regjistruar

Në disqet e florinjta të shpirtit tim…

Në takimin e radhës, mos prit të të dërgoj sinjal,
Melodi apo adresë të shkruar në një copë letër;
Në muret e zemrës tënde do gjesh të gdhendur,
Tabelën treguese, që të çon te vendtakimi i vjetër…

Nuk di për ty, me kë e pi kafen e mëngjesit,
As orët e vona të natës, me kë i shtyn nuk e di…
Mua, vazhdon të më zërë gjumi zbuluar,
Më gënjen mëndja, se vjen të më mbulosh, Ti!

Nëse nuk dëshiron që të sëmurem,
Eja më mbulo, sapo gjumi i parë të më ketë marrë…
Mos kujto se jam bërë më e kujdesshme me ikjen tënde,
Jam bërë edhe më e keqe, se më pare!…

Të brishtë më ka lënë, kjo ikje e marrë!?…

7.Jo nga rëndësia, po e lashë për në fund, që të pyes: Cila është përbërja dhe jeta jote familjare? Sa kohë i kushton ti asaj dhe a të frymëzon kjo gjë, në krijimtarinë tënde?

-Ju, si drejtues i kësaj Bisede, me siguri, keni menduar se kjo është pyetja më e thjeshtë, për këdo. Po, e vërtetë. Deri para një viti, kjo ishte pyetja më e bukur, që dëshiroja të drejtonin dhe, sigurisht, nuk do pushoja së foluri, derisa promotori të më thoshte: “boll, kaq është mjaftueshëm!”. Ndërsa, sot, nuk kam shumë për të thënë?!…

Kam dy vajza. E madhja është prej 5 vjetësh e martuar dhe jeton në Verona të Italisë. Ndërsa e vogla vazhdon studimet e larta. Sapo ka mbaruar vitin e dytë, në Fakultetin e Infermierisë dhe në tetor ndjek të tretin, për ta përfunduar ciklin bachelor dhe, më pas, për të vazhduar me masterin.

Prej një viti, jetoj me boshllëkun dhe mungesën e madhe të tim shoqi!?

Tani, do ta mbyllja Bisedën tonë, me këto vargje:

Ndërsa, unë vazhdoj të rendis vargje, 
Orëve të vona të natës ,nën dritën e abazhurit,
Ti zbret nga qielli…
Dhe shpirti yt, në krahë fluturash,
Më pushton me krahët e fuqishme të burrit…
Kur bota fle, nga lodhja e ditës,
Si ushtar besnik, më mbron portreti yt,
Më jep forcë të sfidoj fatin,
Më bën shoqëri nga larg…
Me pushtetin tënd, vret vetminë, që më mbyt!
Kur gjumi më kapit e stilolapsi më bie nga dora,
Ti,
Fikë abazhurin…
Më çon në shtrat…
M’i puthë sytë!….

-Faleminderit, mike e nderuar Lola Shehi-Çela, se dhe na mallëngjeve me këto vargje!…Nëqoftëse nuk kishe ndonjë gjë tjetër për të shtuar, të falënnderojmë, përzemërsisht,  këtë Bisedë tonën të parë! Me këtë  rast, të urojmë gjitha të mirat, si në jetën tënde e të dy vajzave tua dhe krijimtari poetike, sa më të bukur e frytdhënëse!

Tiranë, 2 gusht 2917

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...