Published On: 31 Maj, 2017

Të ndalohen a të shfaqen filmat e kohës së diktaturës?

Gani MEHMETAJ

Shkrimtari Agron Tufa para një kohe kërkoi të mos shfaqeshin filmat e kinostudios që e madhëronin diktaturën. Kërkesa e tij nxiti tumirje e kundërshtime. Nuk e di cilët ishin më të zëshmit, sepse debatet pastaj u përmbysen, u shtrembërua nga mediet shqiptare, kështu që nuk kuptohej kush kishte të drejtë e kush ishte gabim. Qarqe intelektuale e artistike ishin kundër shfaqjes së filmave të caktuar, por pati edhe nga ata që kërkuan të ndaloheshin në tërësi filmat e kohës së diktaturës.

Natyrisht më parë se të propozohej tërheqja e filmave shqiptarë që e himnizojnë diktaturën, do të duhej të dekomunizohej, lexo të dekriminalizohej ajo pjesë e Shqipërisë që u zhyt në krime, të ndiqej penalisht ideologjia komuniste, t’u ndalohej veprimtaria atyre që bënë gjëra të dënueshme, që mbështeten diktaturën. Ashtu u bë në Gjermani, u nis me  denacifikimin, u nxor jashtë ligjit ideologjia e Hitlerit, por njëkohësisht u hoqën nga qarkullimi filmat që madhëronin Hitlerin dhe ideologjinë e tij. Në Japoni vepruan në të njëjtën mënyrë pas vitit 1945 me ideologji e me filma. Në Shqipëri mbetjet komuniste duhej të ndiqeshin si ndiqen huliganët e kriminalizuar në Perëndim, grupeve të reja kriptokomuniste t’u ndalohej veprimtaria, ndërsa filmat e caktuar të mos shfaqeshin më.

Por proceset në Shqipëri shkuan mbrapsht, ndryshe shpresonin dhe ndryshe u zhvilluan ngjarjet. Filmat e kinostudios për diktaturën janë vetëm një segment i të keqes, disa nga këta filma ta kujtojnë kohën e errët, të rrëqethin, ndonjëherë të bëjnë të qeshesh me batutat e trasha, herë-herë të thartojnë.

Por Shqipëria nuk është i vetmi vend që nuk i ndaloi filmat e diktaturës, nuk i ndaluan as të tjerët, mirëpo Shqipëria e Serbia janë të vetmet shtete në Evropë ku i shfaqin këta filma, i përsërisin dhe i ripërsërisin. Pra, urdhër ndalese a ligj nuk kanë as shtetet tjera, mirëpo heshtazi i kanë lenë anash, i kanë futur në bunkerë a në arkiva filmi, nuk i shfaqin, nuk flasin as nuk shkruajnë për ta, pos kur bëjnë ndonjë vështrim kritik. Dhe kapitulli i filmave të komunizmit, përkatësisht të diktaturës në Evropën lindore e qendrore është mbyllur.

Në Shqipëri filmat e diktaturës shfaqen më shpesh se të gjithë filmat e tjerë, shfaqen edhe më shpesh se sa në Serbi! Disa nisën të arsyetojnë se më mirë është të shfaqen filmat shqiptar të diktaturës, se sa seritë e dobëta turke që ta fyejnë inteligjencën e ta prishin shijen. Në dukje të parë kanë të drejtë, por më mirë do të ishte të mos shfaqen as filmat propagandë diktaturës, as seritë e dobëta turke, propagandë pushtimit osman, islamizmit e krimit. Veprim i shëmtuar është edhe i pari, veprim i shëmtuar është edhe i dyti.

Shqipëria është i vetmi vend në Evropën lindore, ku nuk wshtw dënuar komunizmin dhe nuk janë hapur dosjet. Shqipëria është i vetmi shtet në Evropë ku komunizmi i pa transformuar mori sërish institucionet  shtetërore e publike, ku nuk u dënua asnjëri për krime diktature, ku fotografitë e diktatorit mbijnë në tubime politike.

Kapërcimin nga diktatura në demokraci më së miri e ilustron filmi i Saimir Kumbaros :”Vdekja e kalit”, të cilin duhet ta shihni e ta kuptoni pse Shqipëria ende lëngon nga komunizmi. Komunizmi shqiptar ishte më mizori në Evropë me  diktaturën më të frikshme. Por demokracia e djallosi me anarki, korrupsion e mungesë të sundimit të ligjit ,kështu ata që e shanin dikur nisën ta kërkojnë me gjysmë zëri apo me zë të plotë, të irrituar nga anarkia. As diktatura e re nuk është zëvendësim për demokracinë e munguar.

Është punë me mend të kesh qëndrim kritik ndaj filmave që e madhërojnë diktaturën, që e bënin të zezën të bardhë, ndërsa të bardhën e nxinin skëterrë, disa nga këta filmat ende lëndojnë shtresa të tëra, të cilave diktatura ua nxiu jetën. Jam kundër ndalesës, por sikur shoqëria shqiptare të kishte moral do të turpërohej të transmetonte a të shikonte filmat, ku dëgjohen klithma të tipit: rroftë partia, poshtë tradhtarët, grusht armikut, sepse jo vetëm do ta hutojnë të huajin e brezin e ri, por ke përshtypjen sikur u kthye diktatura.

 

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...