Published On: 12 Gusht, 2017

Të dehurit e mëhallës ballkanike?!

Nga Skënder MULLIQI

Thonë së budallenjtë mburren me atë që të mençurit turpërohen. Dhe, ajo me çka po lavdërohen dhe mburren kjo elitë politike në pushtet, e cila ia ka falë fatin dreqit, e vërteton edhe  këtë thënie të popullit. Ju zonja dhe zotërinj në pushtet, mos jeni aq shumë të “mençur” sa po mendoni se ne qytetarët jemi budallenjë?! Qeveritë e deritashme na proklamuan dhe po na proklamojnë në media dhe rrjete sociale me mburrje, se Kosova ka bërë të arritura të larta, në këtë kontekst edhe kur bëhet fjalë gjoja për shkallën e ulët të atyre të cilët po kërkojnë një vend të punës. Po e rreni dhe po e manipuloni opinionin gjithë ditën me të dhëna sipas dëshirës tuaj duke e shtrembëruar realitetin. Sigurisht se kemi edhe “ulje” të shkallës të atyre, të cilët po kërkojnë punë se çdo ditë po zbrazet Kosova. Po të kishit hapur vende të reja të punës sigurisht se shumë më pak do të ishte bërë fjalë për këtë temë. E dini ju zotëri pushtetarë, se shumë kush edhe unë e dojmë këtë vend dhe nuk do të dëshironim në asnjë mënyrë të flasim pa argumente. Nëse e shëtisim Kosovën mund të shohim gjithnjë e më shumë qytete dhe katunde, të cilat po zbrazen, fusha të papunuara… Kjo është e dhembshme. Ju zotëri atje lartë që jeni ngjitur në pushtet, ju po voziteni me vetura të shtetit shumë të kushtueshme, dhe kur po doni edhe po fluturoni jashtë vendit me aeroplanë po ashtu të klasit të parë? Rinia jonë po largohen ku tu shohin sytë për një jetë më të mirë… Në shumë vende po shohim vetëm njerëz të vjetër të ulur para shtëpive duke shikuar rrugën… A keni zbritur ndonjëherë ju pushtetarë në vende të ndryshme të Kosovës për të parë nga afër se si po jeton njeriu ynë?

Nuk po zbrisni se vetja po ju duket Zot mbi këtë tokë. Nuk e shkelni këmbë Kosovën e varfër se nuk keni dëshirë të pluhuroseni, nuk keni dëshirë dhe nuk ua donë syri të shikoni gjëra të këqija. Jeni mësuar të jetoni në stilin e lartë e deri dje nuk keni pasur brekë në b… e sot Kosova po zhbëhet nga ju.

Po largohen nga ky vend të cilën e keni shndërruar sikur të ishte shkretinë… Si nuk keni pak moral politikë të na folni për statistika, të na mbani nasihat se kinse Kosova po përparon, se edhe shumë pak kohë ka mbetur kur do të bëhemi pjesë e Evropës së Bashkuar, e jemi vendi i vetëm i izoluar si në geto për fajin Tuaj… Çdo ditë e më shumë njerëzit po largohen me autobusë, trena, vetura të ndryshme me lotë në sy për në Gjermani e në shumë vende tjera të botës perëndimore. Po i shesin pronat e baballarëve, gjyshërve të tyre siç thuhet për një grusht grosh. A nuk ka gjë më të dhembshme dhe tragjike se ta mbyllësh shtëpinë me dry. E ju, zotërinj dhe zonja në pushtet nuk po ju intereson dhe nuk po e shihni eksodin më të madh ndoshta në historinë  e shqiptarëve të Kosovës, duke mos llogaritur këtu edhe shumëçka tjetër… Po dukeni si një turmë e  të dehurve të mëhallës së ndotur ballkanike. Ju po flisni vetëm sipas dëshirës tuaj duke e shtrembëruar realitetin e hidhur të jetës së keqe të shumicës në Kosovë. E vërteta është një, dhe nuk bëhet tjetër. Kosova jo vetëm që ka banorë shumë më pak, por shumë më pak është duke mbetur fuqi punëtore. Duket ashiqare se nuk keni shumë dije në politikë, se jeni më shumë lakmitarë të të mirave materiale, se nuk punoni asgjë. Po proklamoni parulla të rreme se jeni duke punuar ndershëm dhe pa hile për Kosovën. Me rroba kat, këpucë të zeza të lustrueme dhe me bluza të bardha po na flisni nëpër televizione dhe gazeta për fitore të pa qena. Nga Kosova po largohen, jo më nga okupatori serb, por nga “okupimi” juaj ekonomik dhe social. Do të duhet të kishit dijeni politike, mos të ishit lakmitarë për poste e për të mira materiale, do të kishit pasur mundësi për ta udhëhequr Kosovën. Jo, ju keni vetëm shkëlqim të rrem, ju nuk kuptoni gjë nga shtetndërtimi dhe mirëqenia, ju po lavdëroheni me atë që duhet të turpëroheni…

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...