Debate Lajmi Levizes

Srebrenica dhe Kosova

Dren Dushi

Do të mbetet e çuditshme, neveritëse dhe prishëse e reputacionit të civilizimit Evropian të pas Luftës së Dytë Botërore, se si në fund të shekullit XX, në kohën kur OKB kishte rreth pesë dekada histori, në mes të Evropës, ndodhë një masakër e rreth 8000 civilëve boshnjakë nga forcat serbe. Ngjarje të tilla janë turpëruese jo për një komb, tek i cili natyrisht ka individë që nuk kanë cytje kriminale e psikopatike, por për gjithë njerëzimin.

Serbia në emër të mbrojtjes së “qytetrimit evropian”, degradoi, prishi dhe dëmtoi reputacionin e qytetrimit njerëzor. Gjithënjë, duke qene e përgdhelura e Rusisë nukleare, me lidhjet kulturore ortodokse, të pandehura si civilizim oksidental i ngjashëm me katolicizmin, “përligjte” veten, dhe kur nuk mund ta përligjte, thërreste në mbrojtjen e Moskës. Kështu kishte ndodhur edhe në Bosnje, ku trupat evropiane nën frikën dhe shantazhin rus, si “nëna” e Serbisë dhe të bëmave të saj në Ballkan, nuk kryen atë që do të duhej ta kryenin në 95’-tën, atëher kur forcat serbe, disa të maskuara, disa me roba ushtarake e disa me gjysëm civile gjysëm ushtarake, kryen masakrën në emër të mbrojtjes ruse dhe luftës për civilizimin evropian.

Shokimi ishte i madh, është edhe sot, në ditën kur kujtohet kjo masakër, sepse edhe kur prehen 8000 dele (kurbanë) sot bëhet lajm, natyrisht, për serbët që kryen masakrën, nuk kishte dallim të madh mes deleve dhe boshnjakëve.  Masakra u dënua nga evropianët, me fjalë të rënda, me kërcënime, dhe së fundi me përdorim force dhe imponim që të paktën, gjysma e Bosnjes t’i mbetej boshnjakëve, e gjysma tjetër, “mbrojtësve të civilizimit evropian”, pra serbëve. Kështu, perëndimi mbështeti (me vonesë) ata që kishin “sulmuar” qytetrimin e tyre, pra boshnjakët të bërë mysliman nga osmanët. E njejta mbështetje, ndodhi katër vite më vonë në Kosovë, duke e habitur Serbinë.

Kosova në eskalim e sipër, deri te masakra e Reçakut, e cila do të mbetej në kujtesën e Ambasadorit William Walker i cili e denonconte fuqishëm në çdo takim me diplomatë, ndonëse më e vogël për nga përmasa krahasuar me Srebrenicën, paralajmëroj perëndimin, reputacionin e ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, si kombe që duan paqen, se serbët nuk kishin harruar zakonin e tyre, dhe ishin po ata të Serbrenicës. Një kujtim i keq, përshpejtoj unifikimin dhe reagimin e perëndimit që të mos lejohet edhe një herë që serbët, në emër të civilizimit evropian, si mbrojtës që nga mesjeta dhe Beteja e Kosovës si “tapi” për këtë pozicion, të mos degradojnë, prishin dhe turpërojnë edhe një herë reputacionin këtë herë jo të një civilizimi, por të gjithë njerëzimit.

Harresa e të bëmave të ndonjë shteti ndaj kombeve tjera, për të mos e futur nën patronazhin e Millosheviçit gjithë popullin serb, është e rrezikshme. Bosnja dhe Kosova, por edhe gjithë Ballkani, duhet të jenë përherë të kujdesshëm, në bashkëpunim me qendrat e demokracisë së botës, dhe në veprimet e tyre. Shteti serb mund të ketë ndryshuar nga fakti që kanë ndryshuar rrethanat gjeopolitike, por nuk ka ndryshuar nga ndonjë pendesë, pra nuk ka ndryshuar në esencë, madje nuk është distancuar nga të bëmat e saj. Serbia ende nuk i ka kërkuar falje Kosovës, ende nuk i’a ka kthyer të pa gjeturit, e të mos flitet për dëmet e luftës. Përkundrazi, ky shtet, punon ta bllokoj Kosovën, kërcënon ta destabilizoj Bosnjen (Bosnja ka hezitime për njohjen e Kosovës) dhe me këtë logjikë i drejtohet BE-së, gjithënjë, duke shantazhuar me karën e drejtimit kah Rusia. Madje, Serbia, përmes deputetëve serbë në Parlamentin e Kosovës që i zgjedhi jo demokracia, por një President nga vendet nordike, bllokojnë krijimin e ushtrisë së Kosovës, e cila, do ta mbronte popullin e vet nga ndonjë tentativë e re për përsëritje të Srebrenicës e Reçakut.

Tentim pajtimi i Serbisë, nga Brukseli dhe Washingtoni duke i dhënë 30% (de fakto) të territorit të Kosovës, dhe duke tentuar ta kurorëoj këtë me “Asociacioin” (lexo autonominë) e Komunave Serbe si de-jur-izim i gjendjes faktike, gjithënjë përmes një klase të korruptuar dhe mafioze të instaluar me qëllim në Kosovë, në mënyrë që të mos ketë reagime kundër projektit “pajtues”, dhe kur eventualisht mund të ketë, të përdoret EULEX-i apo Gjykata Speciale për të pashitur situatën. Edhe këto, sot janë pasojë e shantazhit që Serbia i bën perëndimit me logjikën “ne i drejtohemi Rusisë dhe e sjellim Rusinë në mes të Evropës nëse…”.

Kujtimi i Srebrenicës duhet të jetë masiv, shtetet si Bosnja dhe Kosova, duhet përherë t’i bëjnë me dije qendrave demokratike të botës, se popullësitë e tyre nuk janë ashtu siç i kanë menduar masakruesit serbë në Srebrenicë e Reçak. Dhe përkujtimi, mos harresa, jep sinjal për të ardhmen, e cila mund të jetë më e ndritshme vetëm kur në Ballkan do të ketë një trajtim të barabartë midis popujve.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *