Published On: 25 Prill, 2017

SKV: Persona të inkriminuar ngriten në detyra të ndryshme në UP

Lëvizja Studentore për Barazi – Studim, Kritikë, Veprim mbrëmë ka realizuar një aktivitet në Fakultetin e Mjekësisë, duke reaguar kështu kundër zgjedhjes asistent të Esat Belaj.

Më poshtë është komunikata e plotë e SKV-së:

Të premten më 21 prill, Senati i Universitetit të Prishtinës mori edhe një vendim tjetër skandaloz, në vazhdën e shumë vendimeve të dëmshme që po merren për UP-në.

Ky fakt ka një shpjegim: Parlamenti i studentëve, Senati, Këshilli drejtues dhe rektori janë të kapur nga klanet të cilat çdo ditë e më tepër po shtrijnë rrënjët në UP.

Disa ditë pasi që prof.dr Arben Hajrullahu u pengua nga Këshilli i Fakultetit Filozofik të zgjidhet sërish profesor, pavarësisht arritjeve të tij në studimet master e doktoraturë në Universitetin e Vjenës, Senati vendos që ta emëroj asistent Esat Belajn, të cilit pak vite më parë iu publikuan sms skandaloze në aferat e tij korruptive bashkë me disa ‘studentë’ e që kjo nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunim edhe me profesorë të tjerë, por jo të ndryshëm nga ta.

Esat Belaj dhe Arjan Janova (ish asistent i Bujar Dugollit) janë dy nga 13 personat të cilët po hetohen për afera korruptive, kryerje të provimeve me para, regjistrim të studentëve në fakultet me mito e të tjera.

Këta të dy të apostrofuar, në kohën për të cilën po hetohen për aferat e tyre, ishin senatorë të deleguar nga Parlamenti i Studentëve, të ardhur nga organizata studentore REFORMA, organizatë e cila është kuptuar qartazi që prapa tyre qëndron dekani i fakultetit filozofik Bujar Dugolli.
Vendimi i fundit është përtej skandaleve të këtyre aferave, kjo për faktin që zgjedhja asistent i Esat Belajt, është skandal i dyfishtë të cilën e bëri senati, duke legjitimuar të bëmat e këtij personi.

Një nga sms-të e publikuara të Esatit, thotë kështu: “Mirëmëngjesi Valbona, e gjeta një çikë me hi në provim, kështu ti mundesh mos me ardhë hiç, ajo e din mirë këtë provim veç çomi të dhënat tani pas provimit të kallëzoj qysh ka shkuar puna”.

Pikërisht sot, ky zotni, do bëjë vlerësimin e dhjetëra studentëve që do t’i nënshtrohen provimit në praktikë tek ky i ashtuquajtur asistent.
Esati asistent është po ky Esati i sms-ave. Madje bashkëpunimet në të tilla afera ia mundësuan këtë ngritje në detyrë. Sa të tjerë sot do të paguajnë për të mos hyrë në provime?

Në orët e vona të mbrëmjes, ne aktivistë të SKV-së, rishkruam në mure të Fakultetit të Mjekësisë sms-at skandaloz të Esat Belajt të cilët nuk qëndruan gjatë.

Menjëherë sot në orët e para të mëngjesit punëtorët teknik të këtij fakulteti kishin filluar pastrimin e mureve me ngjyrë. Studentët, pedagogët, të gjithë universitarët duhet ta dinë që nuk ka asgjë që shlyen veprimet kriminale të Esatit.

Esat Belaj, i kamufluar nën petkun e asistentit, vetëm sa do ta vazhdojë punën e tij të ‘zakonshme’. Ky tashmë është i kapur nga të tjerë më të pushtetshëm se vetë ai.

Këta njerëz që kanë kapur këtë institucion, duhet të largohen nga universiteti, e bashkë me ta edhe të instrumentalizuarit e tyre. Këta janë një klan. Këta janë brenda klanit “PRONTO”.

Ngritja e njerëzve të tillë në përgjegjësi më të mëdha në UP nuk do ta ndryshojë gjendjen e tij, përkundrazi ky klan po e mbytë çdo ditë arsimin e lartë.
Universiteti duhet të çlirohet nga këta njerëz dhe kjo është detyrë e të gjithë atyre që njëmend e duan universitetin.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...