Published On: 10 Nëntor, 2016

Skandali 2: Edi Rama braktis ceremoninë e ambasadës amerikane për presidentin Trump

 

Kryeministri Edi Rama ka braktisur dje pritjen në ambasadën amerikane të organizuar me rastin e fitores së kandidatit republikan, Donald Trump. Vetë Rama nuk ka dhënë ndonjë shpjegim zyrtar, por ka përdorur “burimet” për të na bërë të ditur se mungesa e tij atje justifikohej me faktin se kishte mbledhur Shtabin e Zyrës së Emergjencave. Në pritjen e organizuar nuk ka marrë pjesë asnjë pjesëtar i kabinetit, madje as ministri i Jashtëm apo zëvendësministrat, të cilët kanë qenë të ftuar për pjesëmarrjen e tyre. Një rast i paprecedentë ky në marrëdhëniet mes dy vendeve që prej vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në vitin 1991, kur një qeveri braktis haptazi në mënyrë demonstrative ceremoninë që zhvillohet për zgjedhjet dhe fituesin në SHBA! Por a ishte një mungesë e justifikuar e Ramës ajo në ambasadën amerikane apo ka të bëjë me deklaratat e tij të mëparshme kundër Presidentit amerikan? Në fakt po t’i referohemi ngjarjeve të mëparshme të përmbytjeve si fjala vjen janarit të këtij viti, kur shumë zona të Shqipërisë u gjendën nën ujë në të njëjtën situatë, Rama preferoi të qëndronte në Majemi, ku ishte thirrur në një dasmë, se sa të vinte dhe të ishte në krye të detyrës.

Pozicioni i Ramës

Duket se Rama ndodhet në një pozicion jo komod tashmë që është vulosur se Shtëpinë e Bardhë do e drejtojë Donald Trump. Shqiptarët, por edhe administrata e zotit Trump i kanë të freskëta deklaratat e liderit global, që mundohej të përdorte folklorin e tij artistik për të dalë hapur kundër kandidaturës së Trump “Mos e dhëntë Zoti të fitojë Trump presidencën” apo “Do të rishikojmë marrëdhëniet tona me Amerikën në rast të një fitoreje të tij”, ishin gafat diplomatike që përdori Rama jo më shumë se tre-katër muaj më parë, jo vetëm në studio televizive shqiptare, por edhe në studion e “CNN”, pak ditë para takimit të famshëm me Presidentin aktual, Barak Obama. Një sjellje e paprecedent e një Kryeministri të një vendi të vogël si Shqipëria, e cila bëri jo pak bujë, por habiti dhe kancelaritë perëndimore. Me anë të një faqeje të hapur në Facebook me emrin “Rilindje”, justifikohej fakti se Rama i bëri këto deklarata kur Trump sulmoi me deklaratat e tij Kosovën. Ky koment, bëhej në një kohë kur shumë personalitete të Shqipërisë uronin zotin Trump për fitoren, ndërkohë që nga qeveria shqiptare kishte vetëm heshtje. Për habi, një qëndrim i administratorëve të faqes u vu re nga Kryeministri shqiptar në konferencën për shtyp me zonjën Vlahutin. Të habit fakti se ajo që duhej të ishte një përgjigje e çastit nga ana e Kryeministrit ishte përgatitur më parë në letër.

Trump kërkoi ndërhyrje tokësore në Kosovë

Por në fakt dhe këtu Edi Rama nuk tregon të vërtetën, pasi vetë zoti Trump nuk e ka sulmuar Kosovën. Në rast se e ka fjalën për deklaratën e tij të 17-vjetëve më parë, në emisionin e Larry King, Trump nuk ka thënë gjë tjetër vetëm se në Kosovë duhej të ndërhynin me trupa tokësore për të bërë të mundur ndaljen sa më shpejt të dorës serbe në masakrat e shqiptarëve. “Unë do ta kisha bërë diçka pak më ndryshe dhe e di që mund të tingëllojë keq. Por shihni shkatërrimin e tmerrshëm që është bërë në Kosovë. Mund të themi që nuk kemi humbur shumë njerëz. Natyrisht, ne sulmonim me avionë nga 75,000 ft dhe hidhnim bomba. Por shih se çfarë i kemi bërë atij vendi dhe atyre njerëzve dhe sa vdekje kemi shkaktuar. Në të njëjtën kohë ne duhet të kishim dërguar trupa tokësorë që të kishin kaluar nga kufiri dhe të tjera. Ka shumë njerëz që ndajnë këtë mendim”. Në asnjë fjalë të tij pra, zoti Trump nuk del kundër Kosovës apo bombardimeve atje. Kryeministri ka një detyrim të përgjigjet, se çfarë e shtyu të sulmojë pa asnjë motiv kandidatin e një vendi aleat si SHBA.

Enton DACI

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...