Published On: 27 Maj, 2017

SKANDAL/ Mashtrimi që na bëhet me ushqimet: Fabrikat e ushqimeve po vrasin shqiptarët

Sot në Shqipëri, më e pakta që duhej të ndodhte ishte që njerëzit të mblidheshin para Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit e të qëllonin me topa gjalpi apo djathi këtë ministri. Ndërsa kryeministri duhej të kishte shkarkuar me urgjencë të gjithë drejtuesit e AKU-së, agjencinë që përdoret për të qerasur aleatët sa herë ndryshojnë apo shtohen aleancat qeverisëse si të ishte parukeri. Ndërsa ministri i bujqësisë, që ha kastravecë para kamerave për të na treguar se ato nuk janë me hormone, duhej të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë. Mbrëmjen e të mërkurës, kolegët tanë të Fiks Fare, treguan me prova atë që në fakt ne e dinim.

Mashtrimin e madh që na bëhet me ushqimet. Të gjithë bizneset e produkteve të bulmetit, rezultoi se prodhonin gjalpë me vaj palme. Një muaj më parë unë shkrova për mashtrimin që na bëjnë këto kompani pasi prodhojnë djathë, kos e qumësht jo nga qumështi i bagëtive siç shkruhet në etiketë, por nga qumështi pluhur, dhe na i shesin më pas për produkte lope, deleje e dhie. Ajo që Fiksi na tregoi të mërkurën me analiza shkencore nga laboratori shtetëror ishte një dramë për tërë shoqërinë. Fabrika që vizitohen e përurohen nga qeveritarët tanë më të lartë, e që trumpentohen si suksese të ekonomisë së tregut dhe mbështetjes qeveritare për biznesin, mashtrojnë në mënyrë skandaloze konsumatorin. AKU, një ent shtetëror përgjegjës për kontrollin e cilësisë së ushqimeve, njofton herë pas herë për vendosje gjobash. Por ajo që ndodh me cilësinë e ushqimeve në Shqipëri nuk është thjeshte një mashtrim, por një krim me përmasa masive që duhet të shoqërohet me hetime penale ndaj pronarëve dhe me mbyllje fabrikash dhe jo me gjoba qesharake.

Por, sot ajo që duhej të ndodhte më parë duhej të ishte shkarkimi i të gjithë AKU-së. Përse duhej të “hetonte” një gazetare për të zbuluar këtë mashtrim skandaloz kur inspektorët e kanë për detyrë ta bëjnë këtë çdo ditë? Ajo që ne dimë nga kanale jo zyrtare është se specialistët janë në dijeni të këtyre mashtrimeve, por në vend të masave zgjedhin kompromisin e ndyrë të ryshfetit. Megjithatë këtu nuk jemi në rastin e falsifikimit të një etikete malli, si veshjet apo paisjet elektronike. Jemi në kushtet kur të gjitha nënproduktet e qumështit prodhohen me përzierës që bëhen shkak për sëmundje të rrezikshme. Këta njerëz, fitojnë para duke na shkatërruar shëndetin neve, dhe ky është krim penal.

Të paktën në dy raste, ndërsa kam denoncuar këtë maskaradë, jam gjendur nën kritika për degradimin e prodhimit vendas. Por cilin prodhim vendas duhet të mbrojmë? Këta mizerje që pasurohen duke na shitur djathë me niseshte dhe arome dhie 850 lekë kg? Këta që na shesin sallam me 5-fishin e dozës së nitratit që ti zgjatet jeta produktit? Këta që prodhojnë gjalpë me gjysmën e sasisë vaj palme të ngurtësuar dhe na shkatërrojnë shëndetin? Këta që hapin supermarkete të jashtme dhe shesin produkte vendi me etiketa të huaja? JO! Këto janë krime. Dhe para se të bërtitet për Vetting, reformë në drejtësi, dekriminalizim e antikorrupsion, duhet të mbyllim këto punishte të rrezikshme. Ndërsa qeveritarët të mos habiten nga pastërtia e kazanëve të fabrikës, por të shikojnë se çfarë ka brenda kazanëve./Publikuar nga Mentor Kikia

Kuvendi i Gjilanit miratoi emrimin e rrugës: "Mërgimtarët e Gjilanit" në shenjë nderimi e falënderimi për kontributin e juaj për Lirinë, Pavarësin dhe Republikën! #Mirësevini n'shpi!
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...