Published On: 24 Gusht, 2017

Sipas PAN-it, numri baras i deputetëve të Kuvendit të Kosovës: 60 “patriotë” dhe 60 shqiptarë me “znaçka”!

 

Shkruan: Nehat Hyseni

Vazhdimi pa rezultat i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 24 gusht 2017, paraqet një situatë absurde dhe konfirmon pohimet e gjithmotshëm antishqiptarë se nuk jemi të aftë për shtet.

Mjerisht, mendësia e tregimit të “muskujve” se sa janë të fuqishëm individët si puna e Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, paraqet dëshmi se sa i brishtë, i pafuqishëm dhe i kapur skajshmërisht është shteti i Republikës së Kosovës. Këta “patriotë” me këmbëngulje dojnë të na dëshmojnë se shteti janë Ramushi e Kadriu, si dhe se ky shtet është populli. Sepse, populli i Kosovës është “jopatriot”, i paaftë dhe i padijshëm.

Prandaj edhe është i padinjitetshëm për ta respektuar.

Ata pyesin: Kush jeni ju që mund të dyshoni në pagabueshmërinë dhe “patriotizmin” e kapove të shtetit të Republikës së Kosovës?

Ky popull, që është i stërmbushur me aq shumë tradhtarë, si ka mundësi “t’ia tregoj babës megjet?

Kush është populli dhe sa vlerë ka vota e tij e çmendur që nuk iu dha “patriotëve”, por tradhtarëve me “znaçka”?

Me të drejtë pyesin “patriotët”!

Mbase ndokush merr guximin dhe (paturpësisht) pyet se kush janë këta “patriotë” që pohojnë se i kanë 60 vota, dmth gjysmën e 120 deputetëve të Parlamentit të Kosovës?

Përgjigja, nëse guxojmë fare të përgjigjemi, është: PAN-i me 39 deputetë, ose me 32,5% dhe Lista Serbe me minoritetet me 21 deputetë, ose 17,5, përbëjnë gjithsej 60 deputetë, ose fiks 50% të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që do të thotë se u mungon vetëm edhe një deputet “patriot” për ta zgjedhur Kadri Veselin kryetar të Kuvendit dhe Ramush Haradinajn kryeministër të Kosovës.

Natyrisht se, sipas PAN-it, nuk duhet të ketë keqkuptime se si është e mundur që Lista Srpska, që siç dihet është e zgjedhur me dirigjim nga Beogradi dhe Vuçiqi, si pasardhës i Sheshelit dhe Daçiqi, si pasardhës i Millosheviqit.

Sepse, këtu nuk është me rëndësi shteti i Kosovës, por individët “patriotë” dhe kush ua jep votën këtyre dy individëve, sipas tyre, realisht ia jep edhe Kosovës!

Prandaj, populli i “padijshëm” i Kosovës mund të bëjë “budallallëk” edhe më të madh po qese shprehë dyshimin edhe më të vogël ndaj deputetëve “patriotë” të Listës Serbe dhe minoriteteve dhe, ruana zot, poqese u beson 32 deputetëve të Vetëvendosjes dhe 29 deputetëve të LAA-së. Sepse, këta, sipas PAN-it, na qenkan deputetë shqiptarë me “znaçka” dhe janë kundër interesave të Kosovës!

Kurse, deputetët e Listës serbe dhe minoriteteve janë, sipas PAN-it, “patriotë” dhe do t’i ndihmojnë Republikës së Kosovës për marrje të “vendimeve të mëdha” dhe të “guximshme”.

Prandaj, e falënderojmë shukri PAN-in për këtë zbulim epokal që do na kthjellë mendjen që të ruhemi nga “shqiptarët me znaçka”, që janë “tradhtarë” dhe t’i mbështesim deputetët “patriotë” të Listës serbe dhe minoriteteve të tjera.

Tek e fundit, vallë, a nuk na ka mësuar Xhaxhai Enver dikur për “vëllezërit” rusë e kinezë dhe për “miqtë kosovarë”?!

Pra, kjo është “formula e shpëtimit” e ofruar nga PAN-i, që duhet ta nxjerrë nga kriza politike aktuale Kosovën dhe që pretendon me çdo kusht që ta qeverisë Republikën e Kosovës, me Kadri Veselin si kryeparlamentar dhe Ramush Haradinajn si kryeministër, në mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2017-2021.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...