Published On: 30 Prill, 2017

Shqiptarët në Suedi dënojnë dhunën sllavomaqedonase, kërkojnë ndërhyrje nga shtetet shqiptare

  • Reagim i shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë ”Papa Klementi XI albani”, Suedi, ndaj ngjarjeve në Maqedoni dhe lëndimit tê rëndë të dr. Zijadin Selës.

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, (SHSASHS) i ka përjetuar shumë rëndë ngjarjet në Maqedoni. Sulmi kriminal i organizuar dhe i përgaditur deri në marrjen e urdhërave për të sulmuar ishte i ditur dhe njoftuar që më parë. Dhuna ndaj deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë mund të përfundonte edhe me marrjen e jetës së njerëzve.

SHSASHS sikur edhe tërë bota demokratike i dënon ashpër këto veprime dhe ngjarje. Në veçanti dënojmë rastin e deputetit dhe liderit të Lëvizjes për Reforma i Partisë Demokratike Shqiptare, Dr. Zijadin Sela, që ishte sulm i përmasave raciste dhe shoviniste.

Kërkojmë që kriminelët të nxirren para drejtësisë sa më parë. Kurse kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, zotit Talat Xhaferi, të zgjedhur konform Kushtetutës së Maqedonisë,   ia urojmë postin dhe i dëshirojmë suksese. Ne e konsiderojmë si ngjarje historike zgjedhjen  e një shqiptari në krye të Kuvendit të Maqedonisë.

Ne mendojmë se dy shtetet tona, Shqipëria dhe Republika e Kosovës, duhet reaguar ashpër kur cenohet identiteti i shqiptarëve kudo në botë e në veçanti ndaj atyre që janë përfaqësues të popullit sikurse në rastin e Dr. Zijadin Selës dhe të tjerëve.

Dr. Selës i urojmë shërim sa më të shpejtë dhe kthim në detyrën e tij të shenjtë.

Dr. Zijadin Sela është i dekoruar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, për kontributin e dhënë në bashkëpunim vëllazror për gjuhën, kulturën, artin dhe traditën kombëtare me mërgatën, në Uddevalla, më datë 31 maj 2014.

 

Në emër të SHSHASHS-së,                              Ängelholm/Suedi

Hysen Ibrahimi, kryetar                                    29.04.2017

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...