Published On: 26 Gusht, 2017

Shqiptarët e kanë Kosovën që është shqiptare dhe nuk kuptohet përse surprizohen nga letra Vuçiq drejtuar serbëve?

Diplomaci agresive polivalente serbe- (3)

Genc Drini

vijim 3

 Vuçiq ua drejton letrën serbëve, për të marrë një mendim për atë çfarë mund të arrijnë në Kosovën e humbur, e mbi të gjitha çfarë mjetesh duhen provuar.

Kur flasim për një diplomaci polivalente, serbe në këtë rast, kuptohet se bëhet fjalë për një diplomaci të vetme. Shfaqet në forma polivalente por që janë janë një unitet i kontrolluar nga një shtab superior politikë-bërësish për serbët, Serbinë. Orientohet si ideal nga kombi serb, si synim ka bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet komb. Si territore? Territoret e shtetit serb, po sipas frymës shovene serbe të të gjitha kohërave, edhe ato territore ku ka shkelë  këmba e ushtrive pushtuese serbe e ku jeton qoftë dhe një pakicë serbësh prej 5% në një det popullsie shqiptare. Idetë, rrugët e ndryshme serbe për ti arritur këtë synime edhe pse në dukje kontradiktore, kërcënime, luftë, apo marrëveshje imponuese, janë si gishat e një dore që bashkëveprojnë që të përmbushin vetëm një qëllim. Atë që mund të arrijnë me një ideologji kombëtare, me një ekip në unison, me një finale në mendje.

Shqiptarët, veçanërisht përfaqësuesit politikë a veprojnë përballë të tjerëve me një diplomaci që të shprehë një politikë, njëmendësi të ndërgjegjes kombëtare për bashkimin e territoreve shqiptare, shqiptarët në një shtet komb? Vështirë se arrijmë në një përgjigje të kënaqëshme! Shqiptarët kanë luftuar shumë për Bashkimin Kombëtar, po edhe janë vetëpenguar mjaft herë nga konfuzioni i disa drejtues të orientuar keq. Edhe sot kur jemi para mundësive më të mëdha që u krijuan pas një shekulli përpjekjesh dhe ngjarjesh dhe duhet të kemi një synim kombëtar dhe një politikë e diplomaci të përbashkët për të arritur synimin, për fat të keq përballemi prap me një ”vetiak-politikë, dhe vetiak-diplomaci” ku secili është “në unison” me vetveten! Nuk duket aspak si një dorë dhe gishtat në funksion të një qëllimi, po si duar të ndryshme që synojnë ku të munden, njëri thoit, tjetri patkoit. Reagim individualist konfliktual që nuk u sjell asnjë të mirë shqiptarëve. Të shpërndarë në gjashtë shtete nuk kemi një bërthamë, një bërthamë intelektuale-politike të përzgjedhurish që të vendosë për një platformë veprimi për të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve, të vendosë bazat e politikës së shqiptarëve. Lidhja e Prizrenit na e la modelin e bashkimit për idealin e përbashkët, lufta e fundit e UÇK u bë nën flamurin e këtij ideali. E pra e kemi të lehtë të kuptojmë dhe të korigjojmë çdo shmangëje.

Jemi para kundërshtarësh shumë të organizuar.

Presidenti i Serbisë Vuçiq luan në politikë si një basketbollist i shkathtë që sillet në gjithë fushën e lojës, i tërbuar në luftë për të fituar, “e ka të dëshmuar”, i vrazhdë në mbrojtje, i ngren nervat kundërshtarit për ta dezekuilibruar, e sugjestionon, po tregohet diplomatik mjaft i shtruar ndaj arbitrit, ndërkombëtarëve, po jo për t’iu nënshtruar.” I joshur dhe përkëdhelur” nga Lindja dhe Perëndimi ka komoditetin të përpiqet që ti bindë për të ndjekur rregulla dhe shtigje serbe të lojës në Ballkanin Perëndimor, dhe ka arritur mjaft. Në letrën e tij nuk vendos platformë, nuk parashtron çështje, as jep zgjidhje, vetëm sugjeron, por kërkon që serbët të jenë në një njëmëndje për Kosovën, për atë çfar mund të arrijnë në Kosovën e humbur, e mbi të gjitha çfarë mjetesh duhen provuar, sidoqë e ka shumicën dhe është i vendosur të ecë vetë. Vuçi përpushet më kot të shtihet si padron i situatës edhe para shqiptarëve, por me letrën e tij ka arritur një ndër synimet e tia kryesore, të ngacmojë sa më shumë shqiptarë, ti hutojë, ti sugjestionojë që të shohin çështjen e Kosovës qoftë edhe metodikisht, nëpërmes syve të “padronit” të djeshëm dhunues.

Veton Surroi në një analizë të ekuilibruar “më në fund” beson në “valën e re” Vuçiq dhe shkruan: ”nëse do vlerësuar me një fjali se çfarë është porosia e letrës së Vuçiqit atëherë është “platforma e tash, seriozisht”, do të thotë se tash më në fund Serbia duhet të ulet dhe të arrijë një marrëveshje të përhershme me Kosovën…! Është e një rëndësie të madhe ngase vjen në një moment kur presidenti Vuçiq përfaqëson shumicën dërrmuese të vullnetit politik të Serbisë. ..Pas njëzet vjet negociatash, të filluara edhe atëherë seriozisht në Rambouillet, ka ardhur koha të definohet se çka është me të vërtetë interesi serb jashtë formulës së dështuar të dominimit”. Në fakt nuk është “valë e re”, por e njëjta valë e kaherëshme Vuçiq. Sidoqë rrethanat kërkojnë një zgjidhje të problemeve që janë në mes shqiptarëve dhe serbëve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në mes dhe problemi shqiptar i Luginës së Preshevës, përcaktimi i një marrëveshjeje mes shqiptarëve dhe serbëve si e përherëshme, e thënë nga Vuçiq dhe përsëritur nga Surroi, më kujtoi Vuk Drashkoviqin e korrikut 2005, atëherë ministër i jashtëm i Unionit Serbi-Mal I Zi kur në një  intervistë në “Dojçe Vele”. I pyetur për statusin përfundimtar të Kosovës, i pa kënaqur nga ideja e një Kosove që kishte ikur njëherë e mirë nga Serbia, menjëherë hedh dorashkat dhe lëshon deklaratën “solemne”: ‘’vetëm vdekja paraqet statusin përfundimtar’’! (‘’Korrieri’’, 20 korrik 2005.) Këtu ngjasojnë përcaktimi “status përfundimtar -“drashkoviç” “me zgjidhjen e përherëshme”- Vuçiq!

Të dy e dinin dhe dinë se Kosova është e pavarur dhe përfundimisht nuk do të jetë më nën Serbinë, por mendësia territor-pushtuese serbe mund tu ushqejë ëndërra.

Njëzet vite ka që zgjaten bisedimet teknike në mes shqiptarëve dhe serbëve, Kosovës dhe Serbisë që nga 1997-ta dhe pas 1999-ës dhe prap nuk jemi askund. Sipas Vuçiqit “tash duheshka filluar seriozisht”, po ama marrëveshja për tu arritur“do dojë një proces të gjatë, të ndërlikuar dhe të dhimbshëm.” Po, Serbisë i duhet të kalojë mbi qëndrimet e veta politike obstruktive dhe të njohë Shtetin e Kosovës, por Kosova mund të ecë dhe pa njohjen e Serbisë.

Ne nuk kërkojmë leje nga ju për asgjë, ne në dialog nuk kemi hyrë që të tjerët të na e njohin pavarësinë sepse ajo ka ndodhur, por jemi për fqinjësi të mirë.” “Ju ftojmë të pranoni realitetin dhe ta pranoni vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për vërtetësinë e pavarësisë së Kosovës, të cilën pyetje Serbia vetë e drejtoi atje” Deklaron Vlora Çitaku Përfaqësuesja e Shtetit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën, të dt. 16 gusht 2017. Por nëse Serbia ka interesa të shumta që pengohen nga mos njohja e Shtetit të Kosovës, atëherë problemi është i saj shumë më tepër se i Shtetit të Kosovës. Sidoqë ajo kujtohet vetë për interesat serbe dhe ne nuk kemi pse merremi me atë analizë si bëjnë shpesh politikanët tanë. Ne duhet të kujtohemi për çfarë na intereson ne. Megjithatë një marrëveshje për zgjidhje çështjesh në mes dy shtetesh do ta lehtësonte situatën për Kosovën. Vuçiq më kot flet për poces të dhimbshëm në të cilin duhet kaluar, dhe nuk mund të jetë tjetër veçse dhimbje e shovinizmit serb, po ai proces ka ndodhur tashmë, shovinizmi serb e ka pësuar dhimbjen sepse Kosova është e pavarur nga Serbia. Po sa i gjatë do jetë për Vuçiqin procesi për të arritur marrëveshje për ato çështje mes dy popujve që duhen ftilluar? Pesë, dhjetë, njëzet a më shumë vite? E çfarë situate politike botërore, europiane dhe ballkanike do kemi pas pesë, dhjetë, njëzet a më shumë vitesh? Koha që presin serbët. Në shkrimin e parë të këtij cikli prej tre shkrimesh, jo më kot kohën e quajtëm si shteg vuçiq për të ndryshuar politikë nesër. Sot Vuçiq “çudit” me transformimin e tij të çuditshëm nga një “skifter” aktiv i luftës për të arritur synime grabitqare, në një “pëllumb”, për të arritur po të njëjtat qëllime. Po sapo të shohë një ndryshim të situatës politike ndërkombëtare që hap mundësi të tjera për manovrim, ai prap mund ndryshojë dhe të përkrahë menjëherë luftën dhe mund të thotë prap: “vetëm gomarët nuk ndryshojnë”. Ai ose të tjerët pas tij.

“diplomacia Vuçiq” me veprim bivalent, një përpjekje e serbëve për të futur në kurthë presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, deputetë, shqiptarë secili “i vetë-paisur” me një “vetiak- diplomaci”.

Mendoj se kapja literalisht dhe në vullnet të mirë nga Surroi e pretendimeve “Vuçiq” për zgjidhje të përherëshme është e ngutur madje dhe çorientuese. Forma nuk përcakton përmbajtjen madje mund të përdoret për ta tjetërsuar. I rëndësishëm është synimi i manovrës “Vuçiq”, më pas vinë të tjerat. Kërkon hise në Kosovë dhe jo vetëm kaq. “Sidoqë kërcënon shqiptarët edhe me luftë, u thotë serbëve se duhet ta shmangim luftën që e patë se ku na çoi dhe një luftë tjetër do ishte fundi për ne, na mbetet të përpiqemi ti marrim me bisedime ato që duam. Në të njëjtën kohë marrëveshjen e sheh brënda paketës së manovrimeve të tija europiane për një përkrahje të mëtejme për idenë e tij “Vuçiq” për Treg të përbashkët të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, atë që ai e ka shpallur si Jugosllavi plus Shqipërinë. Dhe nuk do ta shpallte kështu nëse nuk do kishte një “mirëkuptim” me BE. Një marrëveshje do çonte si ai e shpreh në një “marrëveshje 100 vjeçare mes serbëve dhe shqiptarëve…”vetëm me 20%” ngatërresa” në mes…. “Sa idil i bukur”, për të cilin dhe folëm në shkrimin 2, pararendës. Në një analiçë të tijën, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi nga letra gjykon: “Lëvizja e re politike e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është lëvizja më e rrezikshme e këtyre dy dekadave të fundit.” “Ndarja e Kosovës nuk është diskutim i brendshëm për Kosovën, por është projekt i një luftë të re midis shqiptarëve dhe serbëve”. Megjithëse në pozitat e të humburit të luftës dhe të drejtës, Vuçiq kërkon lëshime, po jo nga serbët, po nga të dy palët pra edhe nga shqiptarët dhe i futet kërcënimeve apokaliptike nëse shqiptarët nuk lëshojnë pe: “Nëse të dy palët nuk janë të gatshme të humbasin diçka, atëherë… dhe konflikti do të zgjasë përgjithmonë. Kjo do të dëmtonte të dy palët. Unë besoj se jam personi i duhur për këtë dialog…Nuk kam më ambicie personale”..( zeri.info). ”. Çfar kërkon Vuçiq më në Kosovë? A pak ka përfituar nga bisedimet me Kosovën duke e bërë pothuajse të pa administrueshme? Si konstaton Surroi “Prej se filluan negociatat me platformën “nuk e kemi seriozisht”, përfaqësuesit e Kosovës jo vetëm se kanë pranuar parimin se Serbia do ta ketë fjalën e vet prej hisedari në Kosovë, por pranuan një zgjidhje të re të pushtetit të tretë, me Bashkësinë e Komunave Serbe, që u ndal nga protestat e opozitës së atëhershme dhe falë tyre edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës”. E tash Vuçiq “na e paska seriozisht” që shqiptarët të humbin një herë e mirë dhe” seriozisht”. Veç atyre që kanë humbur shqiptarët së paku në 140 vitet e fundit, me territore me dhjetra mijëra km2 të tjetërsuara, me qindra mijëra banorë të asimiluar me dhunë? Edhe sot me territore shqiptare dhe popullsi shqiptare nën Serbi!

Se ku do të arrijë Serbia nëpërmes bisedave na e tregon ministri i jashtëm I Serbisë, Daçiq, në gazetën “Vecernje Novosti” të zotëruar nga shteti. Do të fusë duart në xhepat e shqiptarëve, kërkon hise në Kosovë, “këtë radhë seriozisht”. Ai sugjeron, kërcënon që “për të shmangur një konflikt në të ardhmen për Kosovën, çfarë i përket serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë duhet të ndahet”. Jep dhe ca “hollësi”: Të krijohet një Lidhje e Komunave Serbe në veri që është projektuar tashmë disi sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës, të bëhet edhe një lidhje tjetër e tillë e komunave serbe në jug. Veç këtyre, “për të garantuar sigurinë e Kishave Ortodokse Serbe në Kosovë, Daçiç propozoi krijimin e “komuniteteve të pavarura fetare”, që do të ketë një lloj autonomie territoriale. Propozoi më tej se duhet të ketë “kompensim financiar për pronën shtetërore dhe private të uzurpuar”.Vijon: “Ekziston mundësia që të bëhet një marrëveshje afatgjatë, e në pjesët ku jetojnë serbët kurrë nuk do të ketë Kosovë të pavarur ose kjo është e mundur por vetëm me tanke”, ka thënë Daçiq. Ka shtuar se nuk ka zgjidhje të përhershme për Kosovën pa marrëveshje me Serbinë.. ! Mbetet vetëm të shtojë dhe që kryeqytet të jetë Beogradi për serbët, kishat, dhe po të duan Beogradi mund të jetë kryeqytet edhe për shqiptarët, madje edhe për ata të Shqipërisë…”më mirë heret se vonë…kur të bëhet Jugosllavia tjetër…! “

Megjithatë lidhur me Kosovën, statusin, Daçiq ka shtuar se: “për Kosovën qëndrojnë dy koncepte: ose është krejtësisht serbe, ose e humbur përgjithnjë, duhet pranuar pra pavarësinë e saj. Të dyja koncepte kanë pasoja për serbët. E para mund të realizohet vetëm me luftë, që në këto rrethana dhe kushtet gjeostrategjike, tashmë është betejë e humbur. Koncepti i dytë është i humbur, sepse nis përmes asaj që është tanimë e kryer. Në të dyja koncepte, serbët, pra, dalin humbës”./RTK

Gjendja reale për serbët në Kosovë si pakicë etnike, siç janë për Daçiq nuk pranohet. As koncepti shtet multietik ashtu siç kategorizohet sot Kosova për Daçiq nuk pranohet. Veç me 5% serbë në mes 95% shqiptarësh kërkon copëzimin e Shtetit të Kosovës, mos funksionalizimin e tij, mbetjen nën hyqmin e Beogradit, dhe kjo madje deri në një etapë të dytë më të volitëshme për serbët. Po ish presidenti Tadiç, që është kundër “lëshimeve ” e konsideron hapjen e “dialogut të brendshëm” për Kosovën si një “akt bizar…sepse Presidenti aktual i Serbisë “shkatërron dialogun, demokracinë dhe institucionet e pavarura. Vuçiqi “është njeriu i gabuar për të hapur temën e Kosovës…“Vuçiç, i cili ka bërë thirrje për vrasjen e Myslimanëve, është dashur ta kualifikojë veten e tij me bashkëpunim më të gjerë ndaj Perëndimit”…. Gjykon Tadiç.

Kosova është një, nuk ka vullnet agresiv që ta ndajë. “Kosova nuk është një projekt i përkohshëm, Kosova është këtu për të qëndruar përgjithmonë” tha Ambasadorja e Kosovës Vlora Çitaku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Kosovën 16 gusht 2017 VIJON

Genc Drini

19 gusht 2017

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...