Published On: 23 October, 2016

Shpërthejnë polemikat në qeveri mes ministrave të PS e LSI për kanabisin

Deklarata e Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, për të angazhuar ushtrinë në luftën kundër narkotrafikut nuk u prit mirë nga ministrat e Partisë Socialiste.

Saimir Tahiri e konsideroi si joserioze. Ndërsa Mimi Kodheli e thumboi Manjanin, duke i kërkuar të bëjë detyrën që i është ngarkuar.

“Në një demokraci funksionale kushdo duhet të bëjë detyrat që i takojnë, në këtë rast ministrja e mbrojtjes iu jep sqarime për Çështje të sigurisë. Mirëpres kritikat që kanë të bëjnë me zgjidhjen e emergjencave. Jam më shumë se dëshirëplotë që t’u jap përgjigje kritikuesve që lëshojnë batuta nga kolltuqet dhe sallohet. Ushtria funksionon në mënyrë të caktuar sa herë ka patur emergjenca”, deklaroi Kodheli përpara seancës plenare të së enjtes.

Por Ylli Manjani ka replikuar me një status në Facebook, në të cilin thotë se kjo është një Çështje serioze dhe “serioziteti nuk përcaktohet nga cilësia e kolltukut që ofron detyra publike”.

Për Ministrin e Drejtësisë “të gjithë pa dallim: policë, ushtarë, politikanë e zyrtarë” duhet të jenë pro shfarosjes së kësaj të keqje.

Por deklarata nuk u ka pëlqyer ministrave të PS, pasi ajo shkon kundër asaj Çfarë deklaron kryeministri Rama dhe ministri Tahiri. Sipas tyre, nuk po kultivohet më shumë hashash, por kjo ide është krijuar nga fakti se kapet me shumë hashash.

Ylli Manjani i LSI thotë se përhapja e këtij fenomeni është një katastrofë për të gjithë, nga e cila duhet të ndahemi sa më shpejt. Edhe kryetari i LSI, Ilir Meta, kërkoi disa javë më parë nga politika që të marrë përgjegjësitë për situatën dhe ta trajtojë atë me seriozitet.

Por nga PS, duket se këto “këshilla” të aleatëve nuk do të merren seriozisht dhe do të konsiderohen vetëm si luftë politike.

Më poshtë reagimi i plotë i Ministrit të Drejtësisë.

Përshendetje,

Nuk ka gjë më serioze sesa të shërbesh në një detyrë publike! Të shërbesh si ministër është edhe më serioze! Kështu që diskutimi mbi seriozitetin e të qenit serioz është i pa vend.

E fundit gjë që kisha menduar dhe ende e mendoj është të bëj polemika publike me kolegët ministra. Qeveria është një institucion kushtetues i rëndësishëm që bazohet në ligjshmëri, kolegjialitet, përgjegjësi, solidaritet por edhe konfidencialitet!

Çështja e shkuljes së hashashit nga toka por edhe nga mendja jonë është sot më seriozja! As shoqëria, as ekonomia, as politika, as biznesi (rinia jo e e jo) nuk kanë hajër nga hashashi! Përhapja e këtij fenomeni është katastrofë për të gjithë ne! Prandaj e përsëris edhe njëherë atë që thashë të martën e shkuar: Nga ky fenomen duhet të ndahemi tani! Më vonë do jetë shumë vonë!

Tani është momenti për ti dhënë dërrmën kësaj të keqe që është ende në fazat e hershme të tij! Më vonë do jetë vonë sepse trafikantët do kenë “modernizuar” infrastrukturën; do kenë blerë politikën dhe do kenë ne dorë ligjin! Rinia e sotme nuk mund të rritet me trupin që i merr formën e karriges dhe me mendjen e trullosur nga tymi “dehës” i hashashit! E ardhmja jonë është më serioze sesa kaq!

Tani është momenti të shfarosim farën e hashashit sepse na duhet krahu i punës për ekonominë e ligjshme kombëtare! Ekonomia nuk zhvillohet dot nëse krahu i punës joshet të “dalë partizan” nga ekonomia rraskapitëse e hashashit!

Tani duhet të ndërhyjmë fort e me mend në kokë që të parandalojmë ngjarje kriminale që burojnë natyrshëm nga hashashizimi i shoqërisë! Duhet të ndalojmë farën e hashashit por edhe rekrutimin e “ushtarëve” që ruajnë parcelat e paligjshme dhe bosët e tyrë që kërcënojnë sigurinë tonë publike!

Të gjithë duhet të jemi pro shfarosjes së kësaj të keqe, më e madhja që kemi sot midis nesh! Të gjithë pa dallim: policë, ushtarë, politikanë e zyrtarë të gjithë pa dallim!

Kjo nuk është batutë, por realitet shumë serioz! Çështjet serioze kërkojnë reagime serioze! Dhe serioziteti nuk përcaktohet nga cilësia e kolltukut që i ofron detyra publike!

Nuk janë ligjet pengesa! Nuk ka ligj që mbron kultivuesin e as trafikantin! Ashtu sic nuk ka drejtësi të besueshme që merret me përdoruesin egërsisht dhe me trafikantin “miqësisht”!

Duhet ta ndreqim dhe ligjin, pa dyshim! Por ligji ndreqet shumë me mirë kur zbatohet mirë!

Nuk dua të hyj aspak në garën e propozimeve publike të projekt ligjeve, sepse unë nuk jam në garë me askënd për të bërë detyrën time! Por për kuriozitetin Tuaj që në prill të këtij viti kam depuzituar në qeveri projektin për ndryshime në Kodin Penal! Ky projekt është aty, në Qeveri, në pritje për miratim!

Edhe njeherë: o tani o kurrë më!

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...