Published On: 1 Gusht, 2017

Shoqata Humanitare “Sali Çekaj” homazhe dhe vizita nderimi për dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës

Në Deçan, Koshare dhe Prekaz

 Skënder MULLIQI

Ishte ditë e diel e fundkorrikut, me një vapë përcëlluese në mbarë vendin , kështu edhe në Dukagjin. Vullneti i madh, dashuria për atdheun dhe dashuria për shokët e luftës, të cilët ranë në altarin e lirisë, ishte motivi kryesor pse anëtarët e Shoqatës Humanitare “Sali Çekaj” nga Gjermania dhe Zvicra bën homazhe, vizita nderimi për dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës në Deçan, dhe në Kosharen legjendare. Pikëtakimi si zakonisht i të gjithë anëtarëve dhe veprimtarëve të tjerë ishte hoteli “Swiss” në Deçan. Ata fillimisht vizituan shtatoren në qendër të qytetit të heroit, Sali Çekaj, ku  edhe  vunë  kurora lulesh. Pranë shtatores së heroit të kombit u shkrepën edhe foto të përbashkëta.

Si zakonisht në krye të organizimit të këtyre vizitave është bashkëpunëtori i ngushtë i Salihut, Saim Tahiraj kryetar i shoqatës. Të pranishëm ishin edhe nënkryetari Xhemajl Haxhiu, Metë Shala sekretar, Osman Ferizi kryetar I shoqatës për Gjermani, Idriz Zeqiraj, anëtar i kryesisë së shoqatës për Gjermani, kryesia e shoqatës me shumë anëtarë të saj dhe veprimtarët e çështjes kombëtare Fetah Berisha, Homëz Morina, Zymer Çupeva, Hazir Krasniqi, Ismet Tahiraj, Musa Çekaj, Demë Tolaj, Hasan Preteni, bashkëluftëtarët e Salihut, Xajë Çela, Bekë Osmanaj etj. Të gjithë këta veprimtarë, të cilët nuk u ndalën për të ndihmuar atdheun në kohërat më të vështira, dukeshin atë ditë të lumtur si kurrë më parë, që po i nderonin ata të cilët dhanë jetën për liri në Kosharen e lavdishme. Për dallim nga viti i kaluar ku rruga ishte e pa asfaltuar dhe e pluhurosur, këtë vit pamë këtë rrugë të asfaltuar dhe  një kompleks memorial të rregulluar mirë.

Në Koshare u bë lufta çlirimtare, aty  armiku serb kishte pësuar humbje të madhe në njerëz dhe material lufte, nga ushtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga komandantët e shquar të FARK-ut, Ahmet Krasniqi, Sali Çekaj, Agim Ramadani, e komandantë të tjerë të gjallë me bashkëluftëtarët e tyre. Aty ku për herë të parë u thye kufiri shqiptaro –shqiptarë. Kosharja ishte  dhe ka mbetur krenaria dhe madhështia e luftës tonë çlirimtare.

Të gjithë ishin ulur të pushonin pak në hotelin e ngritur aty afër, pasi që kishin vu kurora lulesh pranë varreve të dëshmorëve dhe heronjve të kombit. Evokuan kujtime për bashkëveprimtarët e vet, për luftëtarët e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Shoqata Humanitare “Sali Çekaj” me seli në Zvicër ka bërë shumë për nevojtarët e ndryshëm, për luftëtarët e UÇK-së dhe për veprimtarët e tjerë të çështjes kombëtare duke iu dalë në ndihma skamnorëve  dhe nevojtarëve kudo në trojet etnike, në ndërtimin dhe meremetimin e shtëpive, me përparësi invalidëve të luftës,  ndihma për invalidët, bursa të ndryshme studentore, ndihma shëndetësore, e shumë ndihma të tjera.

Shoqata ka realizuar projektin e kushtueshëm për ngritjen e shtatores së Nënës Terezës… Pas  vizitës në Koshare, anëtarët e shoqatës u nisën për në Prekazin legjendar, aty ku prehen eshtrat e rremmadhit Adem Jashari dhe familjes së tij heroike, aty ku u shkrua liria, dhembja jonë e madhe, por dhe krenaria kombëtare…

Një ditë pas homazheve te varrezat e dëshmorëve kryetari  i shoqatës dhe anëtari i kryesisë, Dinë Gashi në shtëpinë e tij ndanë karroca të kushtueshme për invalidët e ndryshëm, ku disa prej tyre iu dhuruan Hendikosit në Pejë…

Karroca të ndryshme, të dhuruara nga Shoqata “Sali Çekaj”

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...