Published On: 2 Gusht, 2017

Shkërmoqja e shtetit shqiptar

Gani Mehmetaj (Kujtime 26)

Shteti shqiptar në demokraci nuk pati jetë të gjatë. Konfrontimet në mes të pozitës e opozitës qenë të ashpra, armiqësore si të bëhej fjalë për dy armiq të kombeve të ndryshme në Ballkan. Të dyja palët e konfrontuara i takonin të njëjtit komb me mosdurim që kalonte në armiqësi të egër. Xixat e para të pakënaqësive nisën qysh kur demokratët e morën pushtetin, duke e rrëzuar diktaturën komuniste më të egrën në Evropë. Zgjedhjet e dyta presidenciale e acaruan edhe më këtë konfrontim, sepse u fol për vjedhje votash dhe për mungesë transparence. Babëzia për më shumë vota sikur i bëri që të fusin duart në kutitë e votimit dhe të bënin si t’ua merrte mendja, shto kësaj euforinë e ardhjes së militantëve të PD-së në Tiranë nga rrethe të ndryshme, që i ngjasonin atmosferës së luftës në stilin: po vijnë lushnjarët, ja ku janë korçarët, apo: Tropoja do ta dridhë Tiranën etj.

Euforia e rretheve militante që po e pushtonin kryeqytetin  ngjallte frikë e pasiguri, nxiste mekanizmat e vetëmbrojtjes. Fitimtarët herë-herë dukeshin hakmarrës, që po ua kthejnë reston atyre që e mbajtën pushtetin 45 vjet me hekur e me zjarr.

I shikoja fitimtarët e entuziazmuar derisa parakalonin nëpër rrugën kryesore. Ndërkaq,  buzë rrugës, në sheshin kryesor të kryeqytetit shqiptar, megjithëse të heshtur e në pritje, ish-pushtetarët me simpatizuesit e tyre përbënin afër gjysmën e kombit. Heshtja e tyre ishte ogurzezë. Ata prisnin dhe e kërkonin ditën e tyre. Demokracia qe tepër e brishtë, ndërsa institucionet lëngonin nga një varg dobësish, meqë ishin në themelim e sipër.

Rrinim në cep të rrugës para kafeneve – baraka të renditura njëra pas tjetrës në Parkun e Rinisë.

Këtë eufori të fitores nuk do t’ua falin, sekush e tha nga ata që i kisha afër, nuk e them dot, por ai më sqaroi se kundërshtarët e tyre vetëm i ndjekin të heshtur. “Ata janë shumë me të organizuar, një pjesë të fuqishme të SHIK-ut e kanë prapa. Ish-oficerët e ushtrisë janë me ta , më tha një tjetër. E dija se strukturat e vjetra të sigurimit nuk e pranuan shtetin demokratik, oficerët e ushtrisë që demokratët i nxorën nga puna pa kërkim falje, me një pension të mjerë të parakohshëm, i bënë armiq. Policët me përvojë po ashtu nuk qenë me shtetin.

Pastaj shtetarët e papërvojë të dehur nga fuqia e pushtetit nisën të mos i përfillin aleatët e tyre historikë, nuk ua pranonin asnjë këshillë.

E ndiqnim këtë maskenball euforie, e ndoqëm edhe fjalimin e fitores, ndenja me disa miq demokratë, të cilët morën poste deputetësh. Asnjëri prej tyre nuk mendonte si unë, nuk shihnin rreziqe askund, as në fillimin e piramidave, kur jepje një lek dhe merrje dy për një kohë të shkurtër. Fitimi qe më i madh sesa paratë me fajde a nga reketi.

Nëpër kafene se si mbizotëronte euforia e kënaqësive të kotësisë, një jetë koti, ku njerëzit hanin e pinin, ndërsa lavdëronin piramidat, të vetmen mrekulli që ua solli demokracia, sepse pushtetin e shanin të gjithë. Rrinin nëpër kafene gjithë ditën e lume kasta e caktuar, se nga i merrnin lekët nuk e kisha të qartë, porosisnin pije të shtrenjta italiane a amerikane: “Kianti”, “Uiski” apo “Xhoni uoker”. Nuk i kuptoja, meqë ankoheshin me rrogat e vogla, me kushtet e këqija, kurse rrëkëllenin gotat njërën pas tjetrës.

Pastaj nisnin e flisnin për mrekullinë e parave që japin me fajde dhe që i bënë të lumtur për interesin që merrnin. Ndonjëri e shiti shtëpinë, e fuste në piramida dhe jetonte nga interesi si në filma, më tregonin miqtë e mi kineastë.

Rrija me dy aktorë të njohur shqiptarë, bisedonim për “mrekullinë” e parave që po u shumëzuakan si ari i alkimistëve. Përpiqesha me një aktor nga Prishtina t’ua sqaroja se s’kishte asnjë logjikë ekonomike ky investim me kamatat marramendëse, se mund të qëndronte prapa saj ndonjë hile, por asnjëri nga miqtë e mi s’donte ta pranonte logjikën time të ekonomisë së tregut.  Ku investohen këto para me aq shumë fitime, sa edhe ju të përfitoni kamata të tilla, përpiqesha t’i sillja në tokë. Mbase nga shitja e drogës, ma ktheu njëri prej tyre, ku ta di unë, përderisa këmbëngulja se s’ka mundësi fitimi tjetër. Por edhe sikur të jetë nga droga, si mund të fusësh para në drogë, është e pamoralshme, sepse me paratë tuaja do të vdesin qindra të rinj nga doza e tepruar, apo do të helmohen. Ndërkaq ata ma kthenin me një indiferencë të frikshme: ç’më duhet mua se çfarë pësojnë ata, unë kam fitimet e mia!

Avujt e alkoolit ua kishin mpirë trurin. Avujt e fitimeve piramidale ua mpinin trurin popullatës së kryeqytetit e të qyteteve të tjera. Shtresa urbane këtë logjikë ndiqte, rreshtoheshin para barakave të pista të fajdeve dhe merrnin një copë letër për lekët e investuar, ndërkaq “bankierët” mobilë nuk mbanin kasafortë, nuk jepnin asnjë garanci financiare. Duhej të ishe tepër idiot a në delir që të hidhje paratë në këto gropa septike.

Pas disa muajsh filloi të kërciste ngrehina e piramidave. Emrat e disave nga këta njerëz që i bënë këto ngrehina, nën rrënojat e të cilave do të binte shteti, u bënë më të popullarizuar sesa kreu i shtetit, fytyra më të njohura sesa artistët e shkrimtarët në zë.

Piramidat do t’ia hanë kokën shtetit e pushtetarëve. Nga pasojat e këtij mashtrimi, që e toleroi në mënyrë të frikshme shteti, u vranë mijëra njerëz.

Disa kohë më vonë jehona e shtetit që po shkërmoqej na vinte në redaksi me lajmet për demonstrata, për djegien e depove, për nismën e një pakënaqësie në shkallë të gjerë, për fillimin e një rebelimi që do të rritej si orteku i borës në Alpet shqiptare, duke e zënë përfundi ngrehinën shtetërore me ushtri, polici, shërbim të fshehtë e institucione. Egërsia e rebelimit nisi në Vlorë, sipas modelit të grusht shtetit, apo terrorit të Avni Rrustemit. Kulmoi në përmasat e frikshme. Vlora e flamurit u bë simbol i rebelimit e rrënimit të shtetit. Komunistët e Enver Hoxhës ua përkëdhelnin këtë ndjenjë vlonjateve, ndërsa gazetat që morën lekët për të ndihmuar shkërmoqjen e pushtetit së bashku me shtetin, bënin kushtrimin në stilin: nipërit e Avni Rrustemit, bini armikut! Ndërkaq, armiku ishin shqiptarët! Avni Rrustemi, njëra ndër figurat më të errëta të historisë shqiptare, u bë simbol i rebelëve. Të tjerët përmes Avni Rrustemit, ia këndonin fundin shtetit shqiptar. Kështu e nxorën Avni Rrustemin kundër Skënderbeut, jugun kundër veriut, terrorin kundër ngrehinës së brishtë demokratike!

Lajmet në redaksi vinin të zymta, dikur nisën të ndjellin kob. Nuk bëhej fjalë për pakënaqësinë me paratë e investuara në piramida, të cilat u rrënuan njëra pas tjetrës, kurse fajdexhinjtë ia mbathën para hundëve të pushtetit, por për një pakënaqësi të stisur, e cila sa vinte e rritej. Shuhej në një qytet, ndërsa niste në qytetin tjetër. Pak nga të mashtruarit e piramidave dolën në protesta, por dolën në sheshe demonstruesit profesionistë, të cilët thërrisnin të tjerët t’u bashkoheshin ose kur u mungonte mbështetja e duhur nisnin krismat me kallash e armë të tjera. Terrori ndaj popullatës civile nisi në të gjitha qytetet e katundet shqiptare. Policia qe e pafuqishme të pengonte rrënimin, institucionet binin njëra pas tjetrës. Shqipëria ziente nga shërbimet sekrete.

Miqtë e mi nga Tirana, S. N. e L. S., erdhën në redaksinë e Rilindjes në Cyrih  të stresuar. Një herë më thirrën nga Shkupi, herën e dytë nga Vjena, ndërsa herën e tretë ishin në stacionin e Bregencit.  Do të vinin me tren deri në Sent-Gallen, ku e dërgova shoferin e gazetës t’i merrte.

Dy miqtë e mi ishin militantë të PD-së, Lazri qe deputet i zgjedhur. Samiu punoi në gazetën “Rilindja” të Tiranës. Një listë likuidimesh e përpiluar nga Komiteti i Jugut, shpërndahej në Tiranë. Ajo i frikësoi shumë intelektualë. Të jepte përshtypjen si të qe koha e hyrjes së partizanëve më 1944-45. Historia po u përsëritej shqiptarëve. Sërish dikush ua plaste bombën, kurse shqiptarët bëheshin figurantë të huaj, që s’e dinin as për llogari të kujt dilnin e brohorisnin, digjnin e rrënonin, as kush do ta paguante faturën e rrënimeve.

Më herët shpesh talleshim me enveristët e shërbimin e vjetër, por ajo strukturë e shkërmoqi shtetin për hakmarrje dhe për t’ia hapur rrugën strukturës së vjetër.

Dridhjet tektonike në luftën e shqiptarëve kundër vetes vazhdonin me shumë të vrarë e të plagosur, me djegie e rrëmbime të nëndetëses, aeroplanëve ushtarakë. Pamjet vinin tragjikomike: një fshatar tërhiqte aeroplanin ushtarak MIG me traktor deri në oborr.

Mediat botërore nuk pushonin së raportuari për situatat më rrëqethëse, ushtarë që i braktisnin kazermat, depo të shpërthyera të armëve e të municionit, magazina ushqimore që digjeshin, rrëmujë e kaos.

Lypej forcë ndërkombëtare për të ndërmjetësuar në mes të Veriut e Jugut, ashtu krijohej përshtypja, sepse Jugu u rebelua. Askush nuk i kuptoi arsyet pse duhej të qe Jugu më i mllefosur sesa Veriu. Në piramida humbën të dyja palët.  Kush e nxite jugun kundër veriut?

Një fotoreporter i Rojtersit na dërgonte foto në redaksi. Tekstet po ashtu na vinin nga kjo agjenci prestigjioze. I paguanim shërbimet e tyre. Kur mungonin ngjarjet e duhura mediale, fotoreporteri i Rojtersit, bullgari Popov, kurdiste situata dhe i kapte me aparatin e tij.  Në një situatë, punëtori shqiptar me kapele Lenini dilte para kamerës së bullgarit, kurse në prapavijë shihej turma, po ashtu e kurdisur që mësynte diku. Të nesërmen i njëjti punëtor me lule në dorë,  kinse i vinte në një vend,  ku një ditë më parë u vra dikush. Prapë ai fatkeq nuk dinte të shtihej, e tradhtonte urdhërdhënësin, kështu që shihej fare qartë se pamja qe e kurdisur. Sikur të dilte ai farë fotoreporteri në provim me kurdisje të tilla, do të binte nga provimi, sepse pamja nuk qe dokumentare, qe e stisur. Por ato ditë askujt nuk i bënin përshtypje këto gjëra, pamjet stiseshin nga shërbimet e huaja informative, stiseshin nga forcat e  brendshme, stiseshin edhe nga televizionet e mëdha, që ta bëjnë gjendjen më dramatike për të ushqyer opinionin.

Me javë të tëra Shqipëria e ushqeu botën e mediave me pamje të dramatike. U bë arenë gladiatorësh, ku shqiptari e çapëlente shqiptarin  S’kishte asnjë armik brenda territorit shqiptar, ndërsa luftonte me egërsi kundër armikut imagjinar. Shqipëria, fatkeqësisht, luftonte kundër vetes, duke vrarë njerëzit e vet. Kur grupet rrënimtare, mësynin ndonjërin kufi shtetëror, me një shkrepje të pushkës të policëve sllavë, ktheheshin me bisht ndër shalë në vendin e tyre, duke djegur shtëpitë e mbetura.

Filli i trazirave. Çdo gjë filloi në mënyrë thuajse të padjallëzuar. Paratë me fajde a piramidat, një fenomen ky i shteteve postkomuniste, kur dilnin në shesh mashtruesit, duke i joshur varfanjakët të bëheshin të pasur, e maskarenjtë të përfitonin. Piramidat mbinë në të gjitha shtetet komuniste, por shtetin shqiptar e zunë përfundi. Institucionet e mëdha financiare e paralajmëronin shtetin shqiptar për këtë rrezik, por zyrtarët shqiptarë i futën veshët në lesh, apo donin ta mashtronin veten se me këtë mënyrë do ta zbusin varfërinë.

Para se të nisnin trazirat, u tha në ambiente të mbyllura se pati përpjekje që të bisedohej me presidentin shqiptar. se propozimet nuk i pëlqyen. Pati ndërhyrje nga jashtë, përpjekje për të qetësuar gjakrat.

Amerikanët e dërguan edhe presidentin Rugova. Ai qe ndërmjetësi i fundit në mes të SHBA-së e shtetit shqiptar. Ai u kthye i dëshpëruar. Dikush pëshpëriti të ketë thënë, ditë të zeza po e presin shtetin shqiptar…

Demonstruesit e nisën kinse për paratë e tyre që i futën në piramida. Por në vend se t’i kërkonin aty ku duhej, ata nisën ta rrënonin shtetin, nuk morën paratë e tyre, e morën faqen e zezë, mijëra u vranë, shumë u traumatizuan deri në fund të jetës, ndërsa shteti u zhbë.

Ato ditë pati pak shqiptarë me mend në kokë, që përpiqej të qetësonte gjendjen. Atyre që u qante zemra për shtetin nisën t’u thërrisnin bashkëkombësve që të bëheshin të arsyeshëm, këndoheshin këngë atdhedashurie në televizion: “Bini toskë e bini gegë, si rrufe që shkon përpjetë….”, por toskët e gegët i binin njëri-tjetrit. Ato ditë u kishte hyrë zekthi shqiptarëve e silleshin nëpër rrugë si të çartur. U desh ndërhyrjet e jashtme me trupa tokësorë e helikopterë që të qetësoheshin gjakrat e të merreshin vesh socialistë e demokratë, kurse kushti qe ta merrnin pushtetin socialistët.

Vijon

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...