Debate Lajmi Levizes

SHËTITJE E VONË ME GJOKË BECIN DHE “PLIS NË LUVËR”

Rexhep Shahu

Ndjehem keq se nuk kam mundë me i thënë sa ishte gjallë aq fjalë të mira sa meritonte Gjokë Beci, me ia përcjellë në sy nderimin që kisha e kam për të. Ndjehem mirë që mu krijua mundësia të flas sot në 75 vjetorin e tij kur promovohet libri i tij “Plis në Luvër”, por s’më hiqet asnjë çast nga mendja kënga e moçme që e harrojmë më shumë se çdo këngë tjetër, “knoma kangën sa jam gjallë / se kur të vdes mos t’qofsha falë”. Kur iu dha lamtumira e fundit në mjediset e Radio Televizionit Shqiptar pashë shumë burra dhe gra. Si rrallëherë pashë dhimbje e heshtje të vërtetë mortarësh dhe nuk dëgjova pëshpërima sharjesh, mallkimesh e linçimesh që ndodhin rëndom nën zë në mortet tona ku marrim pjesë me trup e rrallë me shpirt. Mu konsolidua bindja se pse ka qenë poet e njeri i mirë njerëzit e kanë dashtë, e kanë nderuar, dhe ndjenë dhimbje për të. Ai ka vënë gurë në themelet e kulturës kombëtare dhe ne zemrat e njerëzve. Gjokë Beci vazhdon udhëtimin e tij sot e nesër në ne, e do të udhëtojë gjithmonë, siç u ndodh poetëve, krijuesve të vërtetë. Ai me poezitë dhe këngët e tij poezi vazhdon ta mbrojë qiellin tonë të zogjve e njerëzve nga mjaullimat neveritëse e trishtuese të çjerrësve këngëtarë, të tekstshkruesve, që rrënojnë e shëmtojnë shijet tona përditë e përnatë me lehje e mjaullima me shëmtue kulturën tonë kombëtare. Sikur njerëzit nuk duan më të mendojnë, nuk kanë kohë të mendojnë, nuk duan emocion të bukur, duan zhurma dhe vetëm zhurma që të harrojnë veten, të harrojnë se ku janë. Këngët pa poezi treten e shuhen edhe pse duartrokiten për momentin në planetin e kotësisë, ndërsa këngët me poezi do të jetojnë e do të frymëzojnë gjatë. Gjokë Beci ka fatin e mos-harrimit. E pashë me plis të bardhë mbi krye poetin, të hijshëm, krenar, kur shëtita këto ditë në librin e tij të ri “Plis në Luvër”. Ka marrë metrin dhe mat ditënetët e gjata të vetmisë, të harrimit e lënies mënjanë, mat netët e gjata të fëmijës që ka mbetë untë apo me bukën thatë. E pashë tek lutet për bukën e përrallës dhe trishtohet prej fjalës me baltë që lëshojmë kudo pa dert, trishtohet prej fjalëve të llomta. Ai e di kodin e lashtë se fjala vret. Ai ndjen dhimbje se i është vra magjia fjalës së njeriut dhe fjala e ka humbë kuptimin apo funksionin që ka pasë: me u marrë vesh njerëzit. Poeti trishtohet se fjalosjet e njerëzve janë bërë si lehjet e qenve pa zot të udhës që lehin e s’të hanë. Poeti është marrë me ajrin e vet, me heshtjen e vet që lexon libra të zverdhur e të harruar nga koha moderne e kaosit. Lexon me arritë me mësue me lexue heshtjen vrasëse që e bën me folë me veten e vetmuar në ditën me diell të vdekur, veten e tij që mbijeton në shtëpinë ku mbret është pensioni që nuk i mjafton me ble as shtatë libra të zverdhur që dergjen të përbuzur në trotuaret e pista të qytetit ku nuk gjen një çezme me pi një grusht ujë pa lekë, e as me pague pa dert nga një kafe përditë me ndonjë shok a mik. Poeti shet venë e blen ujë, falë ankesa në zyra shurdhe, blen mllef në sy të pakënaqur ku lexon me idhnim “kur nuk ke gjë në krye, këput qafën se je vonë”, blen veten e tij se nuk shitet askund, blen hekura të pathyeme që t’i përdorë ai që ka aq pak mend sa me prangosë ndryshkun në bunarin e fjalëve të kota. Poeti Gjokë Beci si mjeshtër i të folmes së Mirditës, si gdhendës i kësaj të folme, si adhurues i gjuhës së të parëve e tokës së tij, sjell pa bujë dhe le trashëgimi një pasuri të madhe të kësaj gjuhe që meriton vëmendje të shtuar, ua le trashëgim të vyer gjithë bartësve të mos e harrojnë kurrë. Ky është një kontribut që do t’u hyjë shumë në punë të gjallëve të nesërm dhe dijetarëve kur të ketë të tillë, kontribut prej mendimtari, që pothuaj mungon tek të tjerët. Ai i sjell poezitë e tij edhe në gjuhën standarde brenda këtij libri, duke e vlerësuar gjuhën standarde, ndonëse e ndjen se nuk e nxë apo nuk i bie tamam kjo gjuhë poezisë së tij, i bie si një kostum i ngushtë për shtatin e tij të madh të mendimit. Poeti shtegton mbi karroceri ku e rreh era e ftohtë prej Gjinokastre në Shkodër. Lutet me i hapë shteg udhe bubuzhelës apo buburrecit, se edhe bubuzhela ka hisen e vet nën këtë diell, lutet për njeriun që edhe në qoftë bubuzhel, me u mendue para se me e ndezë atë farë naganti e me qëllue me të me vra jetën. Ata që shkelin bubuzhelin a buburrecin, thotë poeti, vrasin luanët e rrallë që janë në shfarosje për me ua shitë miliarderëve dhëmbët e fildishtë duke blerë për veten e tyre me këtë mënyrë bukën e mjerimit të tyre. Se për ku është nisë poeti e dinë gjurmët. Ai ec mes njerëzve e hijeve, të njohur e të panjohur dhe dëgjon fjalë dheu, fjalë gjethesh të njoma lisash të moçëm. Poeti jeton me ankthin e këtushëm, me ankthin e të gjallëve dhe ai ndjen dhimbje si të gjithë e për të gjithë për zbrazjen e atdheut, për ikjet e shqiptarëve, për shpërnguljet e dëbimet e shqiptarëve në shekuj. Ai pisket kur thotë se dikur njeriut të këtushëm iu dha me qenë atje, ku edhe ia ndërrojshin emnin, ku ia shajshin trimnitë. Shqipet ndërruan gjurmët edhe çerdhen e re, por djepin e mbajtën mend për veti dhe fëmijët. Shqiptarët paskan fatin erë, thotë poeti Gjokë Beci. Ikin para duke ça terrin, me kryet pas ku kanë harrue dallëndyshet në gjumë në parvazin e çatisë së vjetër. Ky është poeti Gjokë Beci “vogëlushi” i maleve të Mirditës që e di se maja e plepit do të ngulet një ditë në qiell. Ai udhëton duke çelë udhë për ne, me kryet mbrapa me na pa ne ku na ka lanë si zogj ende në gjumë, ende pa rritë në fole, në parvazin e shtëpisë tonë të vjetër, ku shpesh qajmë mbi kornizën e varrit.

30 korrik 2014

 

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *