Published On: 18 Qershor, 2016

Sali Berisha tradhtohet nga miqtë amerikanë: Demokratët të votojnë

Nga Isuf Kurtaj

Presioni ndaj deputetëve demokratë për të miratuar reformën nga ndërkombëtarët sa vjen dhe rritet. “Furisë” së deklaratave, ku i bëhet thirrje PD-së për të votuar reformën në drejtësi, i është shtuar dhe ajo e ish-ambasadorit të  SHBA-ve në Tiranë William Ryerson, mik i ish-presidentit Sali Berishës në fillim të viteve ’90, i cili ka dërguar një letër të hapur deputetëve të djathtë, ku i kërkon që ta votojnë reformën.


Mesazhi

“Indiferenca” që demokratët po tregojnë ndaj reformës ka shkuar deri në SHBA. Ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, William Ryerson, një nga diplomatët që mbështeti fort Partinë Demokratike të sapokrijuar në fillim të viteve ‘90, duket se nuk është larguar tërësisht aktualiteti politik i Shqipërisë. Përmes një letre, ai fton deputetët e Partisë Demokratike që të votojnë reformën në drejtësi nëse ajo vjen në Parlament dhe votimin ta bëjnë pavarësisht se çfarë u dikton kryesia e tyre. “Është shumë zhgënjyese të lexosh që partia e opozitës në Parlamentin Shqiptar po tregohet kaq pak elastike. Shpresoj të paktën se disa nga anëtarët e PD-së në këtë institucion do të gjejnë guximin për të votuar në favor të kësaj reforme, të votojnë në favor të përparimit të vendit dhe të mos mbeten thjesht kukulla të udhëheqjes së tyre. Nëse do ta bëjnë këtë do u dhuroja përgëzimet e mia më të përzemërta!”, thotë Ryerson në letrën e tij. Mesazhi i ambasadorit shkon në një linjë me mesazhet që më herët janë dhënë në Tiranë nga përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, si Federica Mogherini, si dhe përfaqësuesit e Gjermanisë dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë angazhuar totalisht në votimin e draft – reformës në drejtësi, miratuar tashmë nga komisioni i posaçëm parlamentar.

Kërcënimi

Në sinkron me deklaratat e ambasadorëve të SHBA-ve dhe BE-së ka qenë dhe Joseph DioGuardi, ish- anëtar i Kongresit amerikan, i njohur si mik i afërt i ish- kryeministrit Sali Berisha, i cili tanimë duket se e këshillon atë, të votojë reformën në drejtësi. “Tani kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ëndërron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, është pllakosur nga korrupsioni i madh politik, i cili po e parandalon atë që të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe një vend i zhvilluar ekonomikisht që ofron punë për rininë e saj të papunë. Korrupsioni politik është përkeqësuar aq shumë saqë Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Departamentit amerikan të Shtetit dhe ambasadorin amerikan në Shqipëri, janë duke e kërcënuar Shqipërinë me pasoja të rënda nëse qeveria shqiptare nuk miraton reformat e rekomanduara nga një Komision Special Evropian, përkatësisht për të reformuar drejtësinë e cila është e qartë se është e korruptuar dhe e kontrolluar nga elitat politike qeverisëse të të dyja partive politike, që konkurrojnë për pushtet e para në Shqipëri, ndërkohë që shumica e popullit vuan”, ka thënë Joseph DioGuardi.

Thirrja

Thirrjet e ndërkombëtarëve ndaj deputetëve demokratë se votimi i refomrës është përgjegjësi individuale është bërë aq shqetësuese sa në dy mbledhjet e fundit të grupit parlamentar, kreu i opozitës dhe ish-kryetari kanë bërë moral para ligjvënësve vetëm e vetëm për të evituar rrjedhjen e votave. Madje Basha u ka dhënë një paralajmërim të qartë, deri në përjashtim. “Unë jam i sigurt që asnjë deputet i PD-së nuk trafikon votën, por po ndodhi kjo atëherë është fundi i parlamentarizmit. Ne jemi opozitë që kërkon konsensus, por në qoftë se edhe një deputet i PD-së voton, ne kalojmë në përballje totale deri në djegie mandatesh deri sa të zgjidhen institucionet e reja me zgjedhje të lira e të ndershme”, ka thënë Basha. Ndërsa Berisha ka shkuar edhe më tej, në fillim “kërcënon” deputetët me përjashtim nga partia duke i takuar tek e tek, ndërsa dy ditë më parë kërcënoi shefin e qeverisë dhe ndërkombëtarët me destabilitet të vendit në rast të një skenari të mundshëm të rrjedhjes së votave. PD-ja është në një pozicion jo të favorshëm pasi ambasadori i SHBA-së dhe BE-së ka ngrirë çdo lloj komunikimi me kreun e partisë. Nga ana tjetër Basha po bën çdo lloj përpjekje që të japë përshtypjen se është pro vazhdimit të negociatave, duke takuar ambasadorët e vendeve të tjera të BE-së.

Reagimi

Ndërkohë i vetmi që ka sulmuar ashpër ndërhyrjen e ish-ambasadorit amerikan, ka qenë numri dy i LSI-së Petrit Vasili. I pyetur nga gazetarët për deklaratën e ish-ambasadorit në konferencën për shtyp, Vasili deklaroi se edhe sot Shqipëria vuan pasojat e republikës totalitare që Ryerson ngriti bashkë me Sali Berishën. “Ne vetëm nga Ryerson nuk presim këshilla për reformën në drejtësi. Ishte pikërisht ai dhe Berisha që bënë reformën “historike” në drejtësi, e njohur si reforma e plepave, pasojat shumë të rënda të së cilës kanë sjellë në këtë nivel kaq kritik drejtësinë. Për këtë arsye, ai duhet të ishte i pari që nuk duhet të lodhej së kërkuari ndjesë për këtë dëm që u solli shqiptarëve vite më parë në emër të antikomunizmit. Ai stimuloi, mbështeti dhe nxiti ngritjen e një republike totalitare, pasojat e të cilës kulmuan në vitin 1997 dhe sigurisht nuk mundet kurrën e kurrës që në emër të antikorrupsionit të rikrijojmë një republikë të re totalitare”, ka thënë Vasili.

LSI: Vijat e kuqe bëhen nga Venecia jo nga SHBA e BE-ja

Numri dy i LSI-së, Petrit Vasili, në një komunikim me mediat, i ka rekomanduar Partisë Demokratike që t’i drejtohet BE-së lidhur me pretendimet e saj për reformën në drejtësi. Në vijim të fjalës së tij, ai tha se BE duhet të japë garanci për hapjen e negociatave të anëtarësimit në rast se reforma votohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca. “Komisioni i Venecias, sikurse e kemi pranuar të gjithë, spektri politik vendas dhe faktori ndërkombëtar, është i vetmi institucion që mund të përcaktojë standardet ndërkombëtarisht të pranuara të reformës, apo siç thuhet ndryshe të përcaktojë vijat e kuqe të reformës.

Por, meqenëse siç është thënë dhe vijon të thuhet nga BE në Tiranë, se Brukseli ka vendosur vija të kuqe mbi vijat e kuqe të Venecias, vlerësoj se i duhet dhënë fund përsëritjes së vazhdueshme të konferencave të shtypit dhe opozita t’i kërkojë BE-së në nivelet më të larta në Bruksel të shprehet për mendimet e opozitës dhe të gjejë një zgjidhje të pranueshme me opozitën për këtë çështje të vetme që e pengon konsensusin”, deklaroi Vasili. Më tej, ai ka paralajmëruar se, nëse opozita edhe pas zgjidhjes së këtij pretendimi do vazhdonte të ishte refraktare, LSI është edhe në favor të mbajtjes së një referendumi për ndryshimet e Kushtetutës.

Duke u ndalur te rekomandimi 88, ai tha se ky nen nuk mund të mbajë peng Drejtësinë, ndërsa e quajti legjitime kërkesën e opozitës. Po ashtu, Vasili preku dhe çështjen e referendumit, duke thënë se LSI është pro referendumit dhe mbajtjes së tij për reformën. “Ku ka hyrë reforma në drejtësinë dhe ecurinë e saj? Vlerësoj se kriza absurde e rekomandimit 88 nuk mund të vazhdojë të mbajë peng reformën në drejtësi. Megjithëse siç duhet procesi i reformës në drejtësi ka nisur në një kohë të gjatë. LSI shpreh pakënaqësi të saj për mosrealizimin e reformës 2 muaj më parë”, tha Vasili. Nga ana tjetër lidhur me përcaktimin e vijave të kuqe, Vasili tha se bëhen nga komisioni i Venecias jo nga SHBA e BE-ja.

Në fjalën e tij ai theksoi se është një sukses i madh fakti që opozita deklaron se do ta votojë këtë reformë, ndërsa tha se kërkesa e vazhdueshme e PD-së për moskapjen e institucioneve është parim i saj. “Pasi opinioni final ishte në tryezë. Kjo zvarritje është e papranueshme, dhe jo vetëm mund të dështojë të mirat e reformës, por në rast se këto të mira do arriheshin pa opozitën rrezikonin legjitimitetin e reformës.

Është një fakt evident. Kërkojmë partneritet ndërkombëtar dhe të ardhmen e Shqipërisë Evropiane. Opozita është përbetuar politikisht se do ta votojë reformën dhe unë besoj se ky është një sukses, pasi ka pranuar ndryshimin e thellë dhe rrënjësor të sistemit aktual të dështuar të drejtësisë. Opozita kërkon moskapjen e institucioneve dhe është parim i drejtë i saj të kërkojë. Dua t’ju rikujtoj se Komisioni i Venecias është i vetmi institucion që mund të përcaktojë standardet ndërkombëtarisht të reformës, apo siç thuhet: vijat e kuqe të reformës”, tha Vasili.

Reforma në drejtësi, Vlahutin: Dialogu është gjëja më e vështirë në Shqipëri

Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin deklaroi se dialogu në Shqipëri është gjëja më e vështirë mes palëve. Duke folur një ditë më parë në takimin “Integrimi fuqizon Shqipërinë”, ajo tha se prej një viti e gjysmë po diskutohet reforma në drejtësi dhe sipas saj, për arsye të çuditshme dëshira për dialog me deputetët solli reagime. “Në një takim, ata më thanë se vendi ka nevojë për kontratë të re sociale. Deputetët duhet ta kishin bërë kontratën e re sociale për vendin, është puna e tyre, ata janë të zgjedhur”, u shpreh Vlahutin, duke thënë se si ambasadore e BE-së duhet të informojë për pasojat nga mosbërja e reformës. Sipas saj, që të ketë dialog duhen dy elementë kyç, aftësia për të menduar thellë, për të kuptuar çfarë dëshirohet, gabimet e bëra si dhe respekti ndaj njeri tjetrit.

Dule: Opozita kërkesë legjitime për nenin 88, mban peng konsensusin

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, u shpreh gjatë një deklarate për mediat se reforma në drejtësi duhet të miratohet sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Dule tha se, kërkesa e opozitës për rekomandimin 88 të Venecias, është legjitime dhe realizimi i saj do të shënonte arritjen e konsensusit për drejtësinë. “Inkurajojmë vazhdimin pa humbur kohë, të dialogut të sinqertë dhe negocimit shterues me sigurinë se do të çojnë shumë shpejt në plotësimin e kërkesës së fundit legjitime të opozitës konform rekomandimit nr. 88 të Komisionit të Venecias dhe arritjen e konsensusit të shumëpritur nga qytetarët dhe shoqëria.

Krahas rëndësisë madhore për vetë fatet e drejtësisë, një zhvillim i tillë do të përbënte precedentin më të çmuar në rrugën e gjatë dhe të vështirë të reformave europianizuese të jetës së vendit”, u shpreh Dule. Ai vlerësoi se ecuria e deritanishme e dialogut përbën një arritje, që dëshmon, sipas tij, pjekurinë e klasës politike dhe aftësinë e saj për të kapërcyer barriera tradicionale, paragjykime, por edhe interesa politike të ditës.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...