Published On: 18 Shtator, 2016

Rrethi vicioz i destruktivitetit të politikbërjes në Kosovë!


Shkruan: Nehat Hyseni
Synimin shekullor të shqiptarve kudo që janë dhe saktificat e flijimet e pafund për të qenë të “mosmvarëm”, siç thoshte kryetari i parë i Shqipërisë londineze, Ismail Qemali, si dhe “Kosovën e lirë dhe të Pavarur sot, paradoksalisht, po e sfidojnë pothuajse të gjitha subjektet politike të Kosovës!
Kuptohet, dikush më shumë e dikush më pak.
 Por, asnjëri subjekt politik i Kosovës nuk përjashtohet nga energjia negative dhe destruktiviteti shteshkatërrues i tyre, duke sfiduar, penguar e rrezikuar realisht, në mënyrë të pandërprerë e në kontinuitet shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, duke krijuar kështu rrethin vicioz të vetëdëmtimit, vetëkomprometimit dhe të vetëshkatërrimit të themeleve të këtij shteti më të ri dhe më të brishtë në botë.
Kjo tendencë dhe ky synim vetëshkatërrues, mjerisht, është duke na përcjellur pothuajse në çdo hap e në çdo veprim të historisë tonë kombëtare, që nga Rilindja jonë (e vonuar) Kombëtare e gjysmës së dytë të shekullit XIX, e deri më sot.
Derisa dikur mendonim se mungesa e shkollimit dhe edukimit në gjuhën tonë, ishte “fajtore” e krijimit të rethanave dhe veprimeve antishqiptare e antikombëtare të tradhëtarëve si puna e Esat Pashë Toptanit, dikur, si dhe të komunostëve “shpirtshitur” gjatë periudhës së Jugosllavisë së Titos, si puna e Sejdo Bajramoviqit, Rrahman Morinës, Hysamedin Azemit dhe të tjerëve, sot ky veprim makabër antishtetëror e antikombëtar është realitet i trishtueshëm shoqëror e politik në “Kosovën e lirë dhe të Pavarur”.
Ky realitet i trishtueshëm na krijohet e riprodhohet nga të gjitha partitë politike të Kosovës sot, madje pothuajse pa asnjë përjashtim!
Pse është duke ndodhur kështu?
Sepse, ashtu si vepronin forcat reaksionare dikur në krye me Haxhi Qamilin, si dhe tradhëtia ordinere e Esat Pashë Toptanit me shokë, në Shqipëri, si dhe e komunistëve shqiptarë këndej e andej kufirit shqiptaro-shqiptar, ashtu janë duke ndodhur tradhëtitë dhe veprimet antikombëtare, gjatë dhe pas luftës së vitit 1999, e deri në ditët e sotme.
Edhepse jemi të vetëdijshëm të gjithë, që nga foshnjat në djep e deri te më pleqtë e Kosovës, se ky Vend i Bekuar nuk mund të çlirohej kurrën e kurrës pa aleatët tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA-të, synimet dhe veprimet e padenja dhe makabee për t’i marrë meritat për “çlirimin” e Kosovës, nuk kanë pushuar asnjëherë deri më sot.
Kjo garë e përgjakëshme për monopolizimin e “meritave të luftës”, jo vetëm që nuk ka pushuar asnjëherë gjatë kësaj periudhe të shtetndërtimit apo të shtetshkatërrimit të Republikës së Kosovës, por është shtuar edhe më tepër, madje duke na e “përkujtuar” këtë “fakt” edhe nga mikrofonat e Parlamentit të Kosovës, sa herë që i nevoitet për t’i treguar “meritat” për të kaluarën dhe “muskujt” politikë e shtetëshkatërrues të Kosovës, duke bërë garë se kush e kush më tepër ka fuqi destruktive për t’ia vënë flakën këtij vendi dhe institucioneve shtetërore e shoqërore të tij.
Pra, qëllimi i garës politike midis koalicionit qeveritar dhe opozitës është demonstrimi i destruktivitetit që pozita dhe opozita aktuale janë të afta që ta bëjnë, si rrugë dhe si mënyrë e vendosjes apo madje edhe të imponimit të vullnetit, agjendës dhe interesave e (kuazi) ideologjive të tyre politike, ekonomike e shoqërore ndaj spektrit politik kundërshtar.
Koalicioni qeverisës aktual, LDK-PDK, që është duke e qeverisur Kosovën, me disa përjashtime të vogla, që nga ’99-ta, në këtë rrugëtim politik, ka arritur që ta institucianilizoj krimin e organizuar, korrupsionin, hajninë dhe banditizmin poshtrues në të gjitha nivelet e shoqërisë, me qëllim të pasurimit individual e grupor, “sipas meritave”, duke e shndërruar Republikën e Kosovës në shtetin më të komprometuar, më të padinjitet, më të korruptuar e më të kriminalizuar në Europë, si dhe duke e shndërruar këtë vend në shtetin më të izoluar në Europë, kurse kosovarët në geto të mbyllur hermetikisht, siç ishin dikur getot hebreje në Gjermaninë hitleriane, pa të drejtë lëvizjeje pa viza në Europë.
Kurse, tani e dy vite më parë, problemi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, na ka dalë si “armë” politike të të dy taborreve apo palëve: të pozitës dhe opozitës.
Qeveria aktuale, e drejtuar formalisht nga Isa Mustafa, kurse e udhëhequr realisht nga Presidenti Hashim Thaçi dhe nga Kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, derdhin “lotë krokodili” për miratimin e Marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa, më 25 gusht 2015 në Bruksel, pa njoftuar dhe pa konsultuar asnjë subjekt politik të Kosovës, sikur të ishte padishah mesjetar i Turqisë osmane, e jo kryeministër modern i Republikës së Kosovës.
Kjo Marrëveshje e 25 gushtit 2015, e nënshkruar nga Isa Mustafa, mbështetet plotësisht dhe kryekëput në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm dhe Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçit, që paraqet kulmin e tradhëtisë ordinere kombëtare:
– sepse mundëson krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që paraqet rrezik real dhe bazë për formim të një entiteti autonom shtetëror serb, brenda shtetit të Republikës së Kosovës, dhe
– përjashtimit të plotë dhe mospërfshirjes së çështjes së shqiptarve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, apo Kosovës Lindore (Luginës së Preshevës) në këto Marrëveshje, duke e shkelur rënd parimin e reciprocitetit midis tyre me serbët e Kosovës dhe duke i  tradhëtuae dhe duke i lënë ata të papërfillur e të pambrojtur, nën regjimin antishqiptar të Serbisë.
Prandaj, është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës të merr vendim mbi anulimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013, të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Marrëveshjes së 25 gushtit 2015, të nënshkruar nga Isa Mustafa.
 Kurse, z. Thaçi dhe z. Mustafa urgjentisht ta tërheqin nënshkrimin e tyre nga këto marrëveshje, të kërkojnë falje para popullit të Kosovës dhe para të gjithë shqiptarve dhe t’i nënshtrohen vullnetarisht përgjegjësisë historike e kombëtare para popullit e para Zotit.
Ndërkaq, opozita aktuale e Republikës së Kosovës paraqet problem në vete, meqë përbëhet nga dy parti politike: AAK dhe Nisma, të cilat i rëndon bindja e votuesve kosovarë se janë hiç më pak se pozita aktuale të diskredituar, të korruptuar dhe “deri në fyt” të përfshirë në krim, hajni, reket, korrupsion dhe keqqeverisje dhe perceptohen se nuk paraqesin alternativë shpresëdhënëse për të tashmen dhe për të ardhmen e Kosovës.
Demagogjia “patriotike” e  opozitës nuk akceptohet nga populli si zgjidhje. Përkundrazi!
LDD e akademik Nexhat Dacit, u shua si parti politike, e me te edhe shpresat se mund të bëj diçka të mirë për Kosovën.
Kurse, Lëvizja Vetëvendosje paraqet tregim në vete, meqë paraqet një mishmash rrebeluesish që përfshinë pjesëtarë të të gjitha ideologjive e bindjeve politike: prej socialistëve, komunistëve e enveristëve të bindur, e deri tek anarkistët radikalë, që janë të gatshëm dhe të disponuar kurdoherë për
të hedhur gurë, koktejë mollotovi, gaz lotësjellës, helm e spreje helmues dhe për ta shkatërruar pronën dhe pasurinë e institucionet publike, private e shtetërore, por jo edhe për shtetndërtim,mirëqenie e prosperitet të Republikës së Kosovës. Realisht, besohet e dyshohet se VV është më meritore për skenën aktuale politike, meqë:
– sfidojnë dhe synojnë ta minimizojnë, reduktojnë, madje edhe përjashtojnë impaktin politik dhe partneritetin strategjik me SHBA-të dhe BE-në, duke këmbëngulur kundër formimit të Gjykatës Speciale, etj., si dhe duke i bërë shërbime dhe favore, në mënyrë implicite  krimit të organizuar dhe mbajtjes në pushtet kriminelëve dhe të korruptuarve nga radhët e koalicionit aktual LDK dhe PDK-së, si dhe qeverisë antishqiptare të Serbisë, me veprimet e pamatura të tyre kundër serbë e të Kosovës.
Pra, politikbërja aktuale kosovare, realisht gjendet në një reth vicioz keqqeverisjeje e destruktiviteti politik e praktik, me krim të organizuar e me kriminelë në pushtet, që pa ndihmën e partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë, vështirë se do të paramendohej mirëqenia dhe prosperiteti dhe ndërtimi i demokracisë së mirëfilltë dhe progresit.
 Ashtu si nuk mundëm ta fitojmë lirinë, sa duket, nuk do të mund ta ndërtojmë as ardhmërinë të vetëm e të izoluar nga miqtë tanë ndërkombëtarë dhe nga bota që na rethon.
Prandaj, nuk na mbetet tjetër rrugë dhe alternativë, por të mobilizohemi me vendosmëri e atdhedashuri të dalim nga ky reth vicioz makabër i destruktivitetit, krimit politik dhe keqëqeverisjes dhe ta largojmë të keqen në mesin tonë, si dhe ta ndërtojmë ardhmërinë tonë të lumtur, në mesin e familjes së kombeve me demokraci të mirëfilltë dhe mirëqenie në Europë.
Loading...
 
Displaying 1 Comments
Have Your Say
  1. fery thotë:

    Shkrimit tuaj i nderuar Nehat , vetem i mungon nji mendim i shkrimtarit te madh shqiptar Dritero Agolli i cili ne nji poezi te tije thote :
    ” SE C’ NA ERDHI NJI KOHE, KURE MINISTRA U BENE GOMERET “

    Përgjigjiuni
    Pelqej(2) Nuk Pelqej(0)

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...