Published On: 11 Janar, 2017

Rrëfim nga Prishtina e vjetër

PAMPURI

Mithat Lepaja

Trenin e kam parë për herë të parë në Stacionin hekurudhor të Prishtinës. Në atë kohë ky stacion na dukej shumë i humbur, bukur larg, diku rrëzë Kodrës së Dragodanit, ku moti në të kaluarën mbaheshin edhe garat e motokrosit. Mjeti i vetëm i transportit për të shkuar deri atje ishte pajtoni.
Dhe Prishtina i kishte dikur rreth 30 pajtona, të cilët stacion të nisjes e kishin vendqëndrimin e tyre te Xhamia e Madhe, në Rrugën ”Ilaz Agushi”. Shenjë se aty ishte Stacioni i pajtonave nuk kishte, por e gjithë Prishtina e dinte ku duhet drejtuar, nëse dikuj i duhet ky mjet i transporti, që ishte atëherë edhe i vetmi.
Pajtonxhinjtë kujdeseshin shumë për kuajt e tyre. I krihnin, rreth qafe u vendosnin strajcat e posaçme të mbushura me taxhi, u jepnin ujë në çesmen që gjendej përskaj murit të Xhamisë dhe i mbulonin me batanije. Qimet dhe jelet e kuajve shkëlqenin nga pastërtia e siç flitej të zotët i lanin këta me shampon të kuajve… Edhe disa zonja të shehrit filluan t’i lanin flokët me këtë lloj shamponi, ashtu që këto të shkëlqenin se shamijat me ojna nuk ua mbulonin kokën tërësisht… E zonjat lakmonin të duken sa më bukur në ditën e grave (që ishte e hëna) e këto ditë ishin mjaft të shpeshta se dasmat nuk kishin të sosur, sidomos në stinën e vjeshtës…
Nëse të duhej pajtoni në kohën e nisjes së trenit nga Prishtina për në Podujevë nuk mund të gjendej asnjë për be, se të gjithë pajtonat e shehrit tonë, të stërmbushur me udhëtarë, ia kishin mësyrë Stacionit hekurudhor.
Udhëtimi për në Podujevë ishte bërë sebep që unë të vozitëm për herë të parë me pajtonin e Ukës nga Kolovica. Kur mbërrijtem në stacion, zbritëm nga pajtoni dhe u nisëm drejt vagonave.
Pranë trenit qëndronte një njeri me kapuç të kuq, me unifromë blu të mbyllur me pulla ngjyrari dhe me një shkop me një rreth karakteristik që i kishte disa shenja. Uniforma e kapuçkuqit ishte shumë e bukur dhe nuk ua lëshonte udhën uniformave solemne që i mbanin ushtarët – roje nderi para Mauzoleut të Leninit në Moskë, apo para Mauzoleut të Georgi Dimitrovit në Sofie…
Shumë shpejt u mbushën vagonat që ishin një tërësi e pandarë dhe kishin vetëm ulëse druri. Ata të cilët nxitonin të hipnin sa më shpejt në tren ishin vendosur afër dritareve se e kishin bërë shprehi që gjatë udhëtimit të shikonin nëpër dritare. Pasi udhëtarët u vendosën në ulëse: gratë i kishin rehatuar bohçet e tyre, ndërsa burrat zimilat dhe duqtë, se atëherë askush nuk kishte valixhe…
Papritmas u dëgjua një filikaçë, të cilës i kishte fryrë kapuçkuqi, me çka kishte dhënë sinjal se treni mund të nisej… Dhe pastaj lokomotiva dhjetratonëshe filloi me gëzim ”fiu-fiu-fiu” dhe ”quf-quf-quf” pa ndonjë kompleks se lejën për nisje e mori nga një filikaçë 10-gramëshe…
Treni kështu u nis drejt destinacionit – për neve – drejt Podujevës dhe Llapit. Zakonisht trenat e udhëtarëve kanë më shumë stacione që ndalojnë se trenat e shpejtë. Kështu, dhe treni i ynë u ndal më gjatë në njërin prej stacioneve…
Një mezoburrë, që gjithë kohën fliste me zë të lartë dhe shpaloste telashet e dertet e veta, thua se të tjerët ishin pa telashe dhe veç këto të tijat po u mungonin, thirri me zë të lartë:
– O burra, çka u ba, pse nuk po niset pampuri?
– Po pinë ujë! – u ndëgjua një zë nga skaji tjetër i vagonit.
Për ne, fëmijët kureshtarë, ishte punë interesante: Pse dhe si pinte treni ujë?! Fëmijët atëherë nuk kishin ndëgjuar as për makinën me avull as për Xhejms Vatin, prandaj u vërsulën kah dritaret për të parë këtë ndodhi…
Edhe unë e pashë një gyp të zi dhe bukur të gjerë që zbraste ujë në ”fytin” e lokomotivës, e cila dukej se ishte shumë e etur.
Duke vështruar këtë çudi prapë u dëgjua filikaça e kapuçkuqit dhe treni me ”fiu-fiut-ë” dhe ”quf-qufat” e tij nxitonte i gëzuar kah destinacioni. Dhe ky gëzim ishte si ai i pulës, e cila pasi ta bënë vezën me ”ko-ko-të” e saj e çonte poterë mahallën. Pra, udhëtimi im i parë me tren ishte kënaqësi e veçantë për mua, që nuk do ta harroj kurrë…
* * *
Për trenin dhe hekurudhën ka rrëfime të ndryshme… Një nga këto rrëfime mendoj se ia vlen që të tregohet:
Një rom i varfër i Lagjës së Hekurudhës, rrëzë Dragodanit, kishte shkuar në Komunë të Prishtinës për të kërkuar ndihmë materiale… Romët ishin të hareshëm, por jetonin në varfëri, se të ardhurat i kishin të vogla si punëtor mëditës: hamaj, sharraxhinj, lustraxhinj, pastrues etj. Romin e varfër e pranoi dhe e priti një zyrtar komunal, i cili ende pa e hapur gojën dertliu e dinte pse kishte ardhur…
Komunari mendjemadh, ardhacak në Prishtinë, filloi t’i mbante ”ligjeratë” sheherlisë qindravjeçar të Mahallës së Hekurudhës për planifikimin e familjes, që e konsideronte si zgjidhje të vetme për fukarallëkun e asaj kohe. Bile filloi edhe t’i kritikojë romët që nuk po i merrnin parasysh fjalët e udhëheqësve të lartë të shtetit, Ali Shukrisë dhe Kolë Shirokës, të cilët në atë kohë ishin shumë aktivë dhe këmbëngulës në kërkesën për planifikimin e familjes, sidomos sa i perket popullatës së Kosovës…
– Kallxoju atyre të dyve, komunistave të mëdhenj – tha romi i Mahallës së Hekurudhës, – në të na falin, se na nuk mundemi me bo ”planiranje porodice”, se nuk i kemi kushtet… Fajet i ka pampuri… Pampuri po kalon herët në sabah pranë shtëpijave tona e, si për inat, mu aty fillon me ”fiu-fiu” dhe ”quf-qufa” të shpeshtuara,.. e kështu po na çon heret prej gjumit… E ne, si fukara qe jemi, s’ po kemi çka me ba, veç po gaxhumitemi me magjupet tona të shëndosha… E hajt, thuaj Ali Shukrisë, a mund të bahet ”planiranja porodices” në ato kushte!? … Ne ta bajë ai për veti, nese mundet!..
* * *
Po e shfrytëzoj rastin qe të tregoj edhe diçka tjetër…
Një ngjarje interesante kishte ndodhur në kupenë e Trenit të shpejtë në relacionin Fushë Kosovë – Beograd. Në mesin e shumë udhëtarëve në atë tren udhëtonin së bashku një rom me shëndet të mirë dhe një serb. Në bisedë e sipër ata aq keq i shtinë fjalët sa aty vetëm grushtat munguan… Serbi me mendjemadhësi i tha romit:
– Unë jam ”gazdë”… Hajde zbrit me mua në stacionin e ardhshëm, Llapovo, dhe shkojmë te unë e do ta shohësh çfarë pasurie kam unë! …
Romi ja ktheu:
– Për ty edhe unë jam zotëri… Nuk jam aq mendjelehtë që të vij me ty… Ti, si po shihet, mund të ma fusish një sopatë pas qafe… E pastaj, pastaj, të më coptosh e të më hedhësh si ushqim për derrat e tu… Jo, bre, ”gazdë”, jo… Ne jemi fukarënj, por jo edhe budallënj… – i përgjigjej romi, duke i përsëritur fjalët e fundit…

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>