Published On: 28 Tetor, 2016

Reperi shqiptar i dëbuar nga Zvicra, bëhet temë e nxehtë e mediave zvicrane

“Zvicra do të përfitonte nëse një i ri si Besko, që ka ndikim të madh te të rinjtë me prejardhje të huaj, do të kthente nga rruga e krimit 500 të rinj”, thotë Reimann. Ndërsa Besiani duke folur për albinfo.ch shprehet mirënjohës ndaj politikanit të përmendur të SVP-së

Dëbimi i reperit Besko (Besian Kaçorraj) në Kosovë dhe dalja në mbrojtje të tij e Lukas Reimann-it, politikanit të njohur për linjën e fortë në partinë SVP, është bërë dje dhe sot njëra ndër temat qendrore të mediave të Zvicrës gjermane.

Raportimet e para të publikuara të mërkurën në shumë media të përflitnin deklaratën e Reimann-it, e cila si e plotë do të jepej në magazinën politike të SRF-së “Rundschau”. Ky emision që u emetua mbrëmë ishte përpjekje për të hedhur dritë në gjithë këtë.

Deputeti i përmendur i SVP-së, siç ishte paralajmëruar, edhe në emision e ka mbrojtur angazhimin e tij në favor të Besianit. Të kujtojmë: ai ka deklaruar se “dëbimi i Beskos është shans i shkuar dëm. Po të mbetej këtu, ai do të ishte më i dobishëm për Zvicrën”. Sipas tij, Besiani duhet të kthehet në Zvicër pasi që më shumë peshon dobia që do ta sillte qëndrimi i tij në Zvicër se sa dëmi për të cilin ai ka vuajtur dënimin.

Reimann, në bisedë me moderatorin thotë se Besko, pasi ka vuajtur dënimin, ka bërë shumëçka mirë. Dhe roli i tij pozitiv do të përforcohej edhe më shumë pasi që ai, duke mbetur në Zvicër, do të ndikonte te të rinjtë tjerë me prejardhje të huaj që të heqin dorë nga kriminaliteti.

Zvicra do të përfitonte me mos dëbimin e Beskos

Megjithatë, deputeti i njohur për qëndrimin e tij strikt ndaj të huajve, disa herë gjatë bisedës e përsërit se nuk është avokat e as mik i Beskos, por ai mbron vetëm shtetin juridik. Këtë e shpjegon me argumentin se ai është në favor të zgjidhjeve unike në gjithë vendin. Sipas tij në disa kantone, si në Aargau për shembull, njerëz me mëkate edhe më të rënda se Besko, nuk po dëbohen ndërkohë që ai është dëbuar.

Ndërsa lidhur me letrën që Reimann ia ka dërguar shefit të Sekretariatit Shtetëror për Migracion (SEM) ku ai kërkon që rasti i Beskos duhet trajtuar si “rast i rëndë”, politikani thotë se “puna e Beskos ka një vlerë tepër të madhe për rininë tonë. Zvicra do të përfitonte nëse një i ri si Besiani, që ka ndikim të madh te të rinjtë me prejardhje të huaj, do të kthente nga rruga e krimit për shembull 500 të rinj”.

Besiani: “Nuk jam kriminel, e kam larë borxhin që kam pasur”

Vetë protagonisti i këtij rrëfimi, Besian Kaçorraj, i kontaktuar nga albinfo.ch nuk e fsheh kënaqësinë me publicitetin që i është dhënë rastit të tij në mediat zvicerane. “Gjithçka ishte mirë dhe korrekte, përveç faktit se në emision më referoheshin si kriminel”, thotë Besko lidhur me emisionin, duke folur me telefon nga Prishtina, ku është duke qëndruar aktualisht. “Unë jam një Secondo, i rritur në Zvicër, që kam një të kaluar me dosje kriminale, këtë nuk e mohoj. Por për deliktet që kam kryer, unë e kam vuajtur dënimin, plot 5 vjet e 11 muaj dhe me këtë, konsideroj se e kam larë borxhin që e kam pasur. Po ashtu unë nuk pranoj të quhem ende kriminel pasi që të gjithë e kanë konfirmuar se risocializimi im ka qenë shumë i suksesshëm, madje shembullor. Këtë nuk po e them unë, por e ka thënë edhe psikiatri, i angazhuar nga shteti. Pastaj të gjithë e dinë se unë qysh në kohën sa kam qenë në burg kam punuar për integrimin e të rinjve me prejardhje të huaj. Më kanë angazhuar për të mbajtur punëtori (Workshops) për këta të rinj lidhur me këtë temë. Ka mbi dy vjet që jam liruar. Gjatë kësaj kohe, një vit kam punuar në një restorant (e kam të kryer zanatin e kuzhinierit në burg) dhe vitin tjetër, pasi ma kanë marrë lejen e punës, kam punuar vetëm punë vullnetare”, vazhdon Kaçorraj bisedën me albinfo.ch.

Besiani shprehet shumë mirënjohës ndaj politikanit të SVP-së, Lukas Reimann, duke iu referuar angazhimit të këtij të fundit në mbështetje të tij. “Reimann-in nuk e kam shok. Me të jam takuar vetëm njëherë përmes një miku dhe ia kam treguar rastin tim. Ai ka dëgjuar me vëmendje dhe i ka bërë shumë përshtypje rasti im, sidomos angazhimi im për të rinjtë”, shprehet Besiani. “Edhe politikanët tjerë, të partive të ndryshme, e njohin kontributin tim për rininë. Mirëpo, Reimann është i vetmi politikan që u tregua se ka zemër dhe ka guxim për t`u shprehur ashtu siç u shpreh. Normalisht duhet të më dilte në mbrojtje dikush nga partitë e majta. Ato duhet ta shpjegojnë përse lejojnë të jepen miliona franga për integrim dhe risocializim për ata persona që nesër edhe ashtu i dëbojnë nga Zvicra, sikur ka ndodhur me mua”, shton Besiani.

Reimann nuk përkrahet nga partia e tij

Pasi që deklarata e politikanit të SVP-së Reimann ishte diçka që më së paku pritej nga një eksponent i kësaj partie, mediat kanë marrë prononcime edhe nga faktorë të tjerë të SVP-së. Kryetari i grupit parlamentar të partisë, Adrian Amstutz e ka quajtur si krejtësisht të gabuar deklaratën e bashkëpartiakut të tij të ri. Sipas tij Besko është dashur të dëbohet. Ndërsa Reimann, i kritikuar për qëndrimin e tij, thotë se nisur nga ky rast, nuk duhet ta identifikojnë me socialdemokratët… Nga ana tjetër edhe përfaqësuesi i Partisë Socialdemokrate, parti që tradicionalisht është rivale e SVP-së, Mario Fehr, e ka quajtur krejtësisht të papërgjegjshme deklaratën e Reimannit., shkruan albinfo.ch. Sipas Feh-rit, ashtu sikurse edhe sipas Amstutz-it, lista e delikteve të reperit është e gjatë, prandaj ai duhet të trajtohet si kriminel dhe gjithsesi është dashur të dëbohet. Mario Fehr është përgjegjës për siguri dhe polici në Kantonin e Cyrihut, që i bie se institucionet që janë nën përgjegjësinë e tij e kanë bërë edhe dëbimin e Kaçorrajt.

Ndërsa Besko gëzohet për jehonën e madhe që ka bërë rasti i tij por nuk beson shumë për mundësinë që të kthehet në Zvicër. “Por unë do të ankohem në SEM kundër masës që më kanë shqiptuar për ndalim 5 vjeçar të hyrjes në Zvicër dhe në Zonën Shengen. Në këtë pikë shpresoj të kem sukses pasi që mendoj se më është bërë e padrejtë. Përse dikujt që është dënuar për delikte më të rënda, i ndalohet vetëm 3 vjet e mua 5 vjet” thotë ai.

Në Kosovë po përpiqet të gjejë veten por e ka të vështirë, thekson Besiani. Mbi të gjitha e mundon mungesa e të birit njëvjeçar.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...