Published On: 8 Janar, 2017

Rasti Haradinaj: Urgjencë kombëtare


Frank Shkreli

Ndalimi i ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet e Francës, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe, është një urgjencë kombëtare.  Ndërsa Zoti Haradinaj mbahet në paraburgim në pritje të shqyrtimit të urdhër arrestit nga Franca, autoritetet shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë po bëjnë deklarata duke kritikuar/dënuar këtë akt të shëmtuar të autoriteteve franceze në bazë të një urdhër-arresti të kohës së kriminelit Millosheviç, nga autoritetet serbe.  Në rregull, dënimet kritikat dhe denoncimet e këtij akti nga udhëheqsit shqiptarë dhe nga media janë të nevojshme, jo vetëm për rastin e Ramush Haradinajt, por për cilindo shqiptar kudo qoftë, kur trajtohet në këtë mënyrë të pa drejtë.  Ramush Haradinaj kishte vizituar Francën edhe më parë dhe nuk i kishte ndodhur asgjë. Atëherë autoritetet franceze nuk e kishin parë të nevojshme arrestimin e tij.  Ramush Haradinaj është përballur, si burrat, dy herë me tribunalin ndërkombëtar dhe është gjetur i pafajshëm.   Po pse tashti arrestimi i tij? Mund të jetë një koklavitje e tmershme nga qarqe armiqësore, me pasoja të rënda për shqiptarët.

 

Prandaj, duhet bërë diçka më tepër dhe përtej deklaratave zyrtare denoncuese nga faktori zyrtar shqiptar sidomos në nivelin ndërkombëtar, ndaj këtij rasti të shëmtuar.  Kjo situatë e papritur mund të këthehet me të vërtetë në një urgjencë kombëtare.   Duke marrë parasysh se nëqoftse nga ky urdhër arrest, Ramush Haradinaj — Zot ruajna — përfundon në Beograd, kjo situatë do të përbënte një urgjencë serioze kombëtare,  përfundimet e të cilës nuk mund të parashikohen dhe për të cilën autoritetet shqiptare duhet të bëjnë përgatitje paraprake.  Nëse arrihet në një urgjencë të tillë mbetet për tu parë, por është e sigurt se, nëqoftse ndodhë një gjë e tillë, pasojat nuk do të jenë të mira, as për Kosovën as për Shqipërinë dhe as për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.  Deklaratat publike dhe shprehjet nepërmjet rrjetëve sociale të zyrtarëve shqiptarë, në të dy anët e kufirit, nuk mjaftojnë në këtë rast, as në raste të tjera serioze si kjo.  Sepse nëqoftse, Ramush Haradinaj ekstradohet nga Franca në Serbi, reagimet ndaj kësaj padrejtësie kombëtare dhe mundësitë për trazira politike dhe publike janë shumë reale, sidomos në Kosovë, por edhe më gjërë.  Trazirat nuk i shërbejnë sot interesave shqiptare në Kosovë në këtë moment të historisë dhe as interesave kombëtare afat gjata dhe afat shkurtëra të shqiptarëve në përgjithësi.  Si rrjedhim, shqiptarët, pa marrë parasyshë interesat e përkohshme politike duhet të veprojnë së bashku me një mendim dhe me një qëllim, duke bashkrenduar qëndrimet dhe veprimte diplomatike midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe me faktorët miqë ndërkombëtarë.

 

Paraburgimi i Ramush Haradinajt në Francë duhet të shqetësojë jo vetëm Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, por edhe shqiptarët dhe miqtë e tyre kudo, pasi rrjedha e ngjarjeve mund të jetë e paparashikueshme dhe me pasoja të rënda.  Këtu mund të kemi të bëjmë me manipulime djallëzore të serbëve dhe miqve të tyre rusë e të tjerë, të cilat historikisht nuk duhet të jenë të panjohura për shqiptarët, megjithë pretendimet e udhëheqësve të sotëm shqiptarë, në të dy anët e kufirit, se rusët nuk na qenkan armiq të shqiptarëve dhe të Kosovës.   Deklaratave miqësore të përfaqësuesve shqiptarë, Beogradi iu përgjigj me arrestimin e Ramush Haradinajt.  Shqiptarët gjithmonë kanë kërkuar dhe kërkojnë bashkjetesë dhe paqë me fqinjtë e tyre. Ata asnjëherë nuk kanë pushtuar tokat e të tjerëve dhe as nuk ka kryer krime kundër njerzimit ndaj fqinjve të tyre.  Por, sado e dëshirueshme dhe e nevojshme që është paqa dhe harmonia ndërkombëtare midis popujve, unë nuk di se si mund të kërkosh miqësi, bashkjetesë dhe harmoni me shtete siç janë Serbia dhe Rusia, ndërkohë që ato nuk të njohin si shtet dhe as nuk kanë njohur historikisht të drejtat e shqiptarëve për të ekzistuar në trojet e vtea, ndërkohë që  gjatë krejt historisë janë përpjekur — shpesh me sukses — që të shtrijnë influencën e tyre dhe të zaptojnë tokat arbërore, ku siç thotë populli,  në ato troje ku të parët e tyre as nuk mbollën as nuk korrën.

 

Prandaj duken pak të çudtishme flirtimet e fundit, të udhëheqësve të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës në adresë të Beogradit dhe Moskës, si dhe shprehja e gatishmërisë së tyre për të vizituar kryeqendrat e ekspansionizmit sllav në Ballkan. Ata e kanë arsyetuar si të nevojshëm afrimin me ta sepse, ndër të tjera, shqiptarët “ishin fitues” të luftës.  Më vjen keq tu them udhëheqësve të nderuar shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, se shqiptarët nuk janë fitues, për derisa përfaqsues të shqiptarëve si Ramush Haradinaj arrestohen në mes të Europës së “qytetëruar”, me urdhër-arrest nga Serbia millosheviçiane dhe ndoshta me miratimin e heshtur të interesave ruse në Ballkan.  Dje u arrestua Ramush Haradinaj, nesër do të jetë dikush tjetër.  Fatkeqsisht, me arrestimin e Ramush Haradinajt kanë humbur të gjithë shqiptarët.  Të gjithë ne kudo, jemi të mundur e të humbur, prandaj për derisa shqiptarët, si Ramush Haradinaj arrestohen nën akuza fals, në aeroportet e Evropës, të urdhëruara nga Beogradi,  mos kini ëndërra fitoresh.

 

Në një shkrim me titull “Arrestimi i Ramush Haradinajt: Për Kë Bien Këmbanat?”,  Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paraljamëron se “Bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë të Kosovës duhet të zgjohen, përpara se sa Kosova të ndjehet e tradhëtuar prej tyre!”  Natyrisht se ndërkombëtarët kanë rolin e tyre për të luajtur në Kosovë.  Por, këmbënat po bien edhe për shqiptarët se, në të vërtetë, janë shqiptarët ata që duhet të zgjohen nga kllapia, mbas sundimeve të mbrapshta prej pothuaj 50-vjetë komunizëm dhe 25 vjetë post komunizëm.  Shqiptari vazhdon të kërkoj të drejtat e veta, identitetin e tij kombëtar dhe hisen që i takon në trojet stërgjyshore.

 

Natyrrisht se shqiptarve u nevojitet miqësia e të huajve, sidomos e miqëve tradicionalë dhe historikë të kombit shqiptar, jo vetëm në përpjekjet për lirimin e Ramush Haradinajt, por gjithmonë.  Por askush, as miqtë as armiqtë, nuk do t’i marrë seriozisht shqiptarët dhe kërkesat e tyre për nëqoftse ata vazhdojnë të veprojnë si deri tani — të ndarë e të përçarë politikisht — duke mbrojtur interesat e përkohëshme personale dhe partiake, në kurriz të interesave kombëtare afat gjata të shqiptarëve.  Nga ana tjetër, si gjithmonë, serbi e rusi vazhdojnë të punojnë së bashku për interesat e veta në dëm të interesave të shqiptarëve.  I njëjti bashkim vëllazëror nevojitet midis faktorëve të ndryshëm politikë shqiptarë për të kundërshtuar planet e tyre djallëzore kundër interesave të shqiptarëve. Ky është alarmi. Kjo është këmbana që bie për shqiptarët.  Arrestimi, me urdhër të Serbisë në Francë i ish-Kryeminsitrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt mund të jetë një shënjë ogurzezë e planeve të tyre të errëta për të ardhmen e shqiptarëve dhe të Ballkanit dhe si e tillë duhet të trajtohet si një urgjencë me përmasa kombëtare.  Nëqoftse pabesia historike e Serbisë dhe e Rusisë ndaj kombit shqiptar nuk na e ka zhvilluar deri tani sado pak ndërgjegjen tonë historiko-kombëtare, atëherë ne vazhdojmë të jetojmë në një realitet romantik mashtrues, se është e mundur që qëngji të jetojë me ujkun.  Zgjohuni shqiptarë, sepse këmbana bie edhe për ju!   Ngjarjet e papritura që mund të ndodhin, nevojitin bashkimin e të gjithë shqiptarëve dhe angazhimin e plotë diplomatik dhe politik të Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare për të mbrojtur të drejtat dhe lirinë e çdo shqiptari kudo, përfshirë edhe të drejtën dhe lirinë e ish-Kryeminsitrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...