Published On: 28 Prill, 2017

Ranë ngjarjet në Shkup dhe e pamë që……- Nuk i besohet buzëqeshjes së ujkut

“Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne jetojmë, nuk është aq i panjohur për evropianët e perëndimit për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës, sa shqiptarët
(Johan Tunman, 1774, Leipzig )
Po pse ishim aq të panjohur?
Çfarë pluhuri historik u desh të bjerë mbi ne në mënyrë që rrota e historisë të rrotullohet përmbi ne e afër nesh, herë duke na anashkaluar e herë duke na ndrydhur deri në ngulfatje?!
 
E tmerrshme!
“…Varri i myslimanit, sa më shpejt të zhduket është aq më sevap… është harram të rregullohet varri i myslimanit, sepse të pafetë i rregullojnë varret!”. Këtë sa për shembull të një tangente  në mesin e mijëra tangeteve që e prekte dhe ende prek rrethin tonë të rrotullimit rreth vazhdimësisë së denjë historike. Pse të humbasim gjurmët tona?
E pranojmë ne këtë?
Gati të gjithë pleqtë e plakat, por edhe vetë jam dëshmitar i asaj kohe kur donin të na bindnin me zor për vërtetësinë e asaj që tregonin, na thoshin: “Pasha Turqninë!, Mos kofsha turk i biri turkut, nëse nuk asht asli!”. Të tilla quheshin betime të bazuara në “besnikërinë” e së kaluarës. E dinin apo nuk e dinin paraardhësit tanë se për çka përbetoheshin? Sigurisht që jo. Edhe sikur të donin të binin ndesh me këto fjalë fosile, nuk guxonin sepse rrethi nuk i pranonte. Por kush ishin ata që kaq shumë e mbanin shqiptarin nën ndrydhjen e vetëdijes së tij ?
Marrëveshjet turko-serbe shkonin aq larg sa që : “… Serbin ortodoks e kemi më të afërt se shqiptarin katolik”; “… E dini sa afër e kemi serbin ortodoks, sa trashësia e mazës së qepës, kurse katolikun shqiptar sa trashësia e zhgunit”; “… Katoliku shqiptar, për t’u konvertu në fenë islame, së pari duhet të shkoj të konvertohet në kishën ortodokse serbe, për ta zbutur fenë katolike dhe ta praktikojë atë së pakut tre vjet, e tek pastaj të vij të konvertohet në fenë islame”.
Po kush i hapte e i përhapte këto marrëzira? Në atë kohë dihet se kush, po sot? Sërish dihet se kush. Në Kosovë, në vitet e `30-ta, Serbia kishte hapur disa shkolla (në gjuhën serbe) për fëmijët shqiptarë. Dëgjoheshin ngado: “… Mos e dërgo djalin në shkollë se bëhet shkja (serb); …Mos e dërgo vajzën në shkollë se bëhet shkinë (serbe)”    Nga kush vinin këto “këshilla” që me çdo kusht donin të na “ruanin” kombin? Qëllimi ishte i qartë: ikje nga vetvetja, largim nga rrënjët, përçudnim i vetvetes.
Largpamësia e dashamirëve të errësirës shqiptare shkonte edhe më larg me këshillat e tyre që sillnin urrejtje, shthurje dhe zhbërje: “… Në qoftë se je i shoqëruar me gruan e papritur takohesh me një serb dhe një shqiptar të krishterë, gruaja e besimtarit islam duhet të fshihet pas serbit që mos ta shohë katoliku”.
E dini ku ishte qëllimi?  
Por thoshte Bejkoni: “Perandoritë e mëdha gjatë qëndrimit të tyre plogështojnë dhe shkatërrojnë fuqinë e vendësve që ata e kanë pushtuar, dhe kur ata dështojnë gjithçka shkon në shkatërrim dhe vendësit kthehen në pre të vetvetes” (Bakon).
A jemi ende aq të plogësht sa që të kthehemi në pre të vetvetes?
Boll ma! Kaluan 100 vjet.
Për çfarë na mbanin pushtuesit shekullorë? Edhe pse iu pengonte qenia shqiptare, ata gjithsesi na kishin si makinë prodhimi të qenies njerëzore. Ne iu duheshim, iu duheshim për popullim të shkretëtirave, iu duheshim si mercenarë, iu duheshim si vrasës, iu duheshim… Dikur ishim vetëm furnitorë të qenies njerëzore por që nevojat e tyre nuk përkonin aspak me interesin tonë kombëtar.
Deri sa Sulltanët në pallatet e tyre i mbanin eunukët për qëllime të ditura, ne si komb edhe turku edhe serbi donin të na shndërronim në “eunukët” e tij   “Populli shqiptar nuk guxon të arsimohet, ai është popull i zgjuar dhe si i tillë paraqet rrezik për Perandorinë”, -vazhdonin edhe xhonturqit atë që osmanët thoshiin gjithmonë. “… Mos e dërgo djalin në shkollë se bëhet shkja!”
Por a vazhdohet edhe sot në mënyra të tilla ? A duhet të lejojmë që të jemi ende “eunukë” nga mendja dhe që farën e mendësisë të na japin të tjerët?
 “Kosova është një vend i banuar nga shumicë shqiptare. Dihet se në planetin tonë, vendet, trojet, qytetet nuk përcaktohen as nga drurët, as nga kaprojtë, as nga ndonjë shenjë tjetër që ndodhet sipër tyre por nga njerëzit. Shkurt, toka dhe njerëzit mbi të shkojnë bashkë. Kosova banohet nga shumicë shqiptare, rrjedhimisht, në të gjitha kuptimet ajo konsiderohet në radhë të parë shqiptare”. (I. Kadare)
Kërkesa për tjetërsimin e identitetit tonë është vetëm një grackë dhe pranimi i saj si e tillë është vetëm një mashtrim që fshihet pas buzëqeshjes së ujkut. Duke mos e pranuar një popull tjetër afër vetes, ata mundohen me metoda të cilat i kanë ushtruar që moti për “t`i dëbuar” shqiptarët në mënyrë sa më dhelparake.
Ku?
Atje ku bën dreqi ve!
Të gjithë ne duhet ta dimë që ishim populli që përballoi shumë invazione gjatë historisë, saktësisht 365 invazione mbi tokën tonë. Pushtuesit ishin barbarë që na kallën, na  mbytën, na asimiluan në vazhdimësi duke na vjedhur kulturën tonë dhe trashëgiminë tonë. Të fshehur, të ndrojtur dhe të vjedhur siç ishim, prapë  mbetëm dhe jemi Iliro- Shqiptarë. Edhe pse nuk kishim një imperatori tonën, ne i dhamë imperatorët; edhe pse nuk kishim shtet, ne i dhamë vezirët dhe sadriazemët. Shpesh kemi pasur rastin që të bijmë në kurthet e mashtrimit e të buzëqeshjes “joshëse” të ujkut. Akti më i shëmtuar i mashtrimit ka qenë djegia e kishave ortodokse në vitin 2004. Ishte një goditje e rëndë që iu bë Kosovës së lirë. “Ata” me çdo kusht donin ftohjen e Perëndimit dhe aleatëve të Kosovës prej nesh; me atë akt i bëhej jehonë “dashamirësve” tanë duke propaganduar që lufta e Kosovës ishte një luftë fetare e me këtë të shkaktonte pendim tek Europianët dhe Bota e civilizuar në lidhje me ndërhyrjen e tyre në rastin e Kosovës.
Akti ndodhi; ai u dënua prej nesh dhe shpresoj të ishte mashtrimi i fundit në vazhdën e buzëqeshjeve të ujqërve.    Kohërat e tilla kanë kaluar por ne ende jemi robër të një ngecjeje e cila po na imponohet. Ngecja e tillë nuk po na lejon të ecim krenarë rrugës sonë të civilizuar ngase mëlmesat e së kaluarës ende po i japin shijen e dikurshme gjellës sonë të sotme. Dhe kurrsesi të ndahemi nga ai “lezet” i imponuar i gatojcave tona. Deri sa bota e civilizuar me përparimet e saj shkencore po shkon shumë e shumë larg, ne në mënyrë të padukshme po na ngadalësohet hapi dhe s`ka asnjë “fuqi” që na mundëson lëvizjen normale të planetit” tonë mendor rreth Diellit për 365 ditë. Për ditë e më tepër i ngjasojmë planetit të Neptunit që vitin e ka të gjatë sa 248 vite të tokës dhe të cilit që nga zbulimi i tij nga ana e njeriut në vitin 1930, i duhen edhe 166 vjet që të bëjë një rrotullim rreth Diellit. Pra edhe 166 vite që shkenca të festojë ditëlindjen e parë të zbulimit të tij. Po për ne, viti i këndelljes së mendjes dhe shpirtit tonë, a thua sa është i gjatë?
Të mos lejojmë të mashtrohemi pas buzëqeshjes së ujkut!

28.04.2017  Gjakovë
A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...