Published On: 10 Gusht, 2017

Rambuje-folklor i shqiptarëve a fillimi i mbarë?

 Gani Mehmetaj: Kujtime ( 34)

Para fillimit të Konferencës së Rambujesë u mobilizuam të gjithë në redaksi, sepse e konsideronim ngjarjen më të rëndësishme. Bisedova me telefon me korrespondentin tonë të përhershëm në Bon, Jusuf Buxhovi, analist me përvojë të gjatë në Gjermani, e njohës i shkëlqyeshëm jo vetëm i raporteve gjermane, por edhe i diplomacisë evropiane që nga koha e Bizmarkut. E thirra në telefon edhe Sylejman Gashin, korrespondentin e “Rilindjes”, i cili na raportonte nga Nju-Jorku e Uashingtoni. Ai i njihte raportet brenda Stejt Departamentit, i njihte edhe diplomatët amerikanë. Me dy korrespondentët tanë dhe me lidhjet që mbaja brenda delegacionit të LDK-së, shpresoja se do t’i informoja lexuesit, meqë interesimi i opinionit ishte i jashtëzakonshëm.

Tensioni i pritjes me ethet e padurimit të stresonin. Këto ethe na mbërthyen të gjithëve në redaksi. Qëndronim në pritje si në fushën e futbollit, kur tifozët presin hapat taktikë e strategjikë të lojtarëve të tyre të preferuar. Prisnim të niste zgjidhja e problemit të Kosovës, e mbetur jashtë Marrëveshjes së Dejtonit, ku u kristalizua çështja e Bosnjë e Hercegovinës.

Korrespodentët Buxhovi e Gashi ishin dinamikë, gjithëpërfshirës, i analizonin veprimet e situatat me shkathtësi, kapnin ato që ndiheshin në ajër, regjistronin deklaratat e personaliteteve, duke i sintetizuar në raporte të çdoditshme që i botonim në faqen e parë dhe në disa faqe në vazhdim. Asnjëherë një ngjarje politike, takim ndërkombëtar i rëndësishëm për shqiptarët, nuk është ndjekur me kaq përkushtim, me tension e me analiza të thukëta.  Në raportet e çdoditshme pastaj merrnim edhe informacionet nga grupet e delegacioneve, apo lajme të tjera pikante që na i bënin me dije personat e afërt me delegacionet.  Me Edita Tahirin e afërt me Rugovën bisedonim shpesh me telefon.

Në Rambuje u mblodh delegacioni shqiptar dhe ai serb, me ndërmjetësimin e diplomatëve perëndimorë. Ngjarja si e tillë qe e dorës së parë, madje më e rëndësishmja për Kosovën në shekullin XX. Me këmbënguljen e SHBA-së, e shteteve të Evropës Perëndimore, ku u imponua fatkeqësisht si palë Rusia, në qytetin francez Rambuje paralajmëroheshin bisedime të gjata e të rënda, duke i vënë në sprovë të dyja palët.

Në sprovë u vunë edhe faktorët ndërkombëtarë. Në këtë përpjekje për të krijuar mozaikun e subjektit politik shqiptar pa asnjë atribut shteti, kishte folklor, shumë zhurmë dhe imponime nga më të çoroditurat. Kuptohej pse u ftua presidenti Ibrahim Rugova (përfaqësonte subjektin më të madh të shqiptarëve në Kosovë, ishte president i zgjedhur nga shtetasit e Kosovës ), kuptohej kë përfaqësonin grupi i UÇK-së (i mbështetur nga shteti shqiptar i socialistëve të  Fatos Nanos ), që donin t’i rivalizonin Ibrahim Rugovës e ta sfidonin. Por nuk e kuptoja kë përfaqësonte Rexhep Qosja, Veton Surroi, Blerim Shala etj., të cilët nuk e dija pse i futen në delegacion, ndërsa zor se mund të imponoheshin me individualitetin e munguar. Shtetësinë e Kosovës nuk e pranonte askush, mirëpo të përfaqësoheshin në këtë mënyrë folklorike ishte vështirë të arsyetohej.

Përderisa delegacioni serb pati qëndrim të njëzëshëm, me koncepte të qarta, me strategji të përpunuar, të përgatitur mirë profesionalisht, me përvojë diplomatike e politike, delegacioni ynë së pari nuk pajtohej në mes vete, mbante qëndrim dëbues ndaj njëri-tjetrit në shkallë armiqësie, që nuk e fshihnin as para miqve dhe as para armiqve.

Me përjashtim të presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, të tjerëve u mungonte përvoja politike e diplomatike, u mungonte koncepti politik, nuk sajuan kurrë më parë strategji, s’mund ta bënin një gjë të tillë, kur nuk e kuptonin as nocionin “strategji”. Raportet të cilat për shkaqe të arsyeshme në atë kohë euforie nuk i botuam, na bënin me dije se njerëzit tanë ishin të hutuar e të humbur në kohë e në hapësirë, pjesa dërmuese e përfaqësuesve të shqiptarëve për herë të parë shihnin salla të tilla madhështore me llambadarë. Ata vinin nga ambientet ku pija kryesore qe çaji i rusit, ndërsa duhej të silleshin nëpër tryeza, ku rridhte lumë vera e njohur franceze. Brenda mureve të kështjellës franceze më shumë rrinin të shisnin poza e të nxirrnin jashtë mureve ndonjë fjalë për bëmat e tyre, në stilin e diplomacisë baritore të Isa Boletinit, sesa që mobilizoheshin për t’iu përgjigjur armikut në tryezën e bisedimeve.

Në kështjellën e Rambujesë vendosej fati i mëtutjeshëm i shqiptarëve të Kosovës, me supozimin se ata arritën fazën e pjekurisë. Shpresohej se në këtë konferencë të rëndësishme do të dërgonin përfaqësues të denjë. Po athua ishte kështu? Asgjë nuk e ndryshonte pamjen e konferencës nga folklori i njëqind vjetëve më parë të bajraktarëve që për diplomaci nuk ia thoshin, ndërsa luftën në terren e humbën. Atëbotë bajraktarët i njihte dikush, ndërkaq, bajraktarët e tashëm nuk i njihte askush, sikur pikën nga qielli.

Ky ishte fati ynë historik, në takime të këtilla të rëndësishme për fatin e kombit, dilnin në sipërfaqe njerëz që nuk dihej pse ishin aty, kush i caktoi e pse i caktoi. Të imponoheshin gati në mënyrë folklorike me xhamadan e me kobure në brez, por koburja nuk u shkrepte në fushëbetejë.

Megjithatë, në Konferencën e Rambujesë nisi shthurja e golgotës shqiptare, por Rambuje u bë pjesë e dhimbshme e sëmurjes sonë të vjetër-përçarjes, përfaqësimit folklorik, thurja e  intrigat e brendshme, me përpjekje për imponim pa asnjë mbulesë. Përfaqësimi i shqiptarëve në këtë konferencë, më të rëndësishmen në shekullin XX për Kosovën, ishte përfaqësim i përzier me demokraci të improvizuar. Morën pjesë grupime politike ende të paverifikuara për forcën e tyre politike, ashtu sikurse u përfaqësuan subjekte politike e individë që s’mund ta mblidhnin një autobus ithtarësh.

Secili shtet me peshë vendimmarrjeje e pati përfaqësuesin e vet në delegacionin shqiptar, ashtu sikurse shteti shqiptar krahas rolit të zhurmuesit, bëri anim të pafalshëm, duke favorizuar njërin grup politik të sajuar aty për aty, e duke shpërfillur palën tjetër, që gëzonte legjitimitetin e shumicës shqiptare, në vend që të mbështeste një delegacion homogjen, që do të përfaqësonte interesat e kombit e jo interesat e grupimeve politike. Animi i pafalshëm do t’u hakmerret keq shqiptarëve në Kosovë, sepse mbi këtë mbështetje u bë një lloj grusht shteti që nisi në Rambuje.

Ndërkaq, ishte pikërisht ajo pjesë e delegacionit që pati mbështetjen e besimin e pjesës më të madhe të popullatës në Kosovë, që u margjinalizua, ose iu vu kleçka në çdo hap. Delegacioni u zgjodh shpejt e shpejt, duke i pëshpëritur faktorit ndërkombëtar në vesh.

Në anën tjetër kur i analizoja ato ditë, derisa e përgatisja gazetën me raportet e çdoditshme nga kështjella mesjetare e Rambujesë, më dukej se një pjesë jo e paktë e delegacionit harronin armikun tepër finok, shumë të përgatitur me përvojë të gjatë në diplomaci, marrëveshje e dredhi. Harronin po ashtu se Serbinë ende e mbështesin miq, megjithëse mizoria e policisë e ushtrisë serbe të Milosheviqit, i largoi nga bota demokratike.

Fatbardhësia e shqiptarëve ishte sepse prapa delegacionit qëndronin diplomatët e rryer amerikanë dhe dy shtete dashamirëse të shqiptarëve: Britania e Madhe e Franca. Jo rrallë këta diplomatë apo edhe sekretarja e Shtetit, Medlin Olbrajt, duhej t’u bënin presione që të lëviznin nga pika zero, ose ngurrimet e vazhdueshme të shqiptarëve, pasojë e frikës së vazhdueshme se mos ua bënë me hile Serbia apo faktori ndërkombëtar.

Me Konferencën e Rambujesë iu kufizuan ecejaket diplomacisë. Vajtje-ardhjet nuk e penguan mizorinë e policisë serbe, ata vazhdonin masakrat ndaj civilëve, e  dëbonin popullatën nga rajone të tëra dhe ua digjnin shtëpitë. Kërcënimet e flashkëta të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Milosheviqit binin në vesh të shurdhër. Ai vazhdonte me të vjetrën.

Diplomatët e shkathët Gelbart, Hill e Holbruk përpiqeshin të sensibilizonin Evropën Perëndimore, por njëkohësisht ta bindnin kriminelin nga Beogradi të lëshonte pe. SHBA-ja ecte përpara të tjerëve, madje shumë përpara diplomacisë shqiptare.

Në raportet e zymta e të tensionuara të Konferencës së Rambujesë, jepte shpresë prania e ndërmjetësve ndërkombëtarë. Korrespodentët lajmëronin për frikë e stres të vazhdueshëm të përfaqësuesve të subjekteve shqiptare.

Qysh në tezat fillestare Konferenca e Rambujesë nuk ofronte pavarësi, nuk ofronte as garanci për referendum pas tre vjetësh, sikurse doli një herë teza e parë, e propozuar nga amerikanët. Konferenca e Rambujesë më shumë synonte të ndërpriste masakrat serbe në Kosovë, të detyronte Serbinë të ulej në tryezën e bisedimeve, duke u tërhequr nga fushëbeteja ku ishte shumë më e fortë sesa shqiptarët e paarmatosur e të paorganizuar. Përparësia e madhe e Rambujesë ishte mundësia e dialogut të barabartë me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar. Këtë ndërmjetësim Rugova e kërkonte me këmbëngulje që nga fillimi i daljes së tij në skenën politike shqiptare.

Të gjitha këto i botonim në gazeta, duke i plotësuar edhe me raporte nga terreni, me takimet e diplomatëve perëndimorë, me deklarata e intervista të personaliteteve më të rëndësishme shqiptare e ndërkombëtare. Ndonjëherë kur i shfletoja këto gazeta pas disa ditësh më dukej sikur i kisha përsëritur ngjarjet, takimet, sepse veprimet e deklaratat sikur përsëriteshin. Dikur m’u duk si të silleshin në rreth. Këtë përshtypje sigurisht e patën edhe diplomatët, pavarësisht që ata e dinin pse po i përsërisin lëvizjet: dikush fitonte kohë, ndërsa nuk ishim ne, të tjerët përpiqeshin t’i shpenzonin të gjitha mjetet diplomatike e të nisnin fazën tjetër të veprimeve, kurse të tretët u shkonin prapa herë njërës palë, herë tjetrës.

Nga ajo që ndiqej nga redaksia, krijova përshtypjen që derisa përfaqësuesit e shtetit  serb vepronin si tërësi me bosin e tyre që i komandonte nga Beogradi, shqiptarët më shumë vepronin e funksiononin si tribu a përfaqësues të fiseve sesa si delegacion modern ku kishte hierarki e marrëveshje për një problem sublim, shumë më të rëndësishëm se sa kapricet e sedrës së sëmurë.

Brenda kështjellës së Rambujesë dy korrespodentët e “Rilindjes” raportonin çdo ditë me raporte të vlefshme e shumë të rëndësishme, me detaje e pikanteri bisedimesh. Me biseda telefonike nga brenda merrja çdo ditë njërin nga bashkëpunëtorët e Rugovës, sepse Rugova kurrë  nuk mbajti telefon pranë vetes dhe kurrë nuk ndenji pranë telefonit fiks. Ngjarjet ishin dinamike, në stilin ngre e mos këput, sa i përafronte  qëndrimet njëra palë, tërhiqej tjetra, por kryesisht ishin serbët ata të cilët përpiqeshin të mos ofronin asgjë, duke i amortizuar gjërat.

Kur u shfrytëzuan të gjitha mundësitë, kur nuk arritën ta bindin delegacionin serb, i cili ishte i varur fund e krye nga Beogradi, kur edhe me Miloshevqin nuk arritën të merreshin vesh, atëherë se edhe bashkësia ndërkombëtare u bind se pos me shkop, ndryshe s’kishin si merreshin vesh.

Por para kësaj doli një pengesë tjetër. Ngurrimi i përfaqësuesit politik të UÇK-së, që ta nënshkruante marrëveshjen, i dëshpëroi jo vetëm amerikanët, të cilët u qëndronin aq afër shqiptarëve, por i dëshpëroi edhe shqiptarët e diasporës që ishin më afër ngjarjeve. Ndërkaq, pasojat i hoqën shqiptarët e Kosovës, sepse mbi ta qëndronte thika e kasapit. Javët e pritjes për rikthim e këndellën Serbinë që të mobilizonte forca të dyfishuara në Kosovë.

Negociuesit lanë një kohë për t’iu rikthyer nënshkrimit, përderisa Beogradi thuhet se dislokoi forcën ushtarake prej mbi 100 mijë ushtarësh e policësh në Kosovë. Kështu, u krijua tension i madh, ndërsa bëhej një lloj folklori e dukjesh që nuk ishin në të mirë të shqiptarëve.

Herën e dytë kur iu kthyen sërish tryezës gjërat ecën shumë më lehtë. Ndërkaq, se u mbyll rrethi i ecejakeve, u shfrytëzuan të gjitha mjetet e diplomacisë ndërkombëtare, nisën mobilizimet brenda Shtabit të NATO-s në Bruksel. Uashingtoni e Londra, në bashkëpunim me Bonin e Parisin, jepnin e merrnin për veprime të fundit.

Kështu po mbyllej një kapitull i takimeve diplomatike, i konferencave ndërkombëtare e ecejakeve të diplomatëve të rryer me thirrjet e lutjet e faktorit politik të shqiptarëve për ndërhyrje ushtarake.

Dhe pastaj dalëngadalë sikur binte perdja pas një shfaqjeje të përgjakshme, m’u duk sikur ra perdja mbi Kosovë, ose niste kulmi, ose fillonte shthurja.

Athua cili do të ishte çmimi, sepse që do të kishte një çmim, kjo s’kishte fije dyshimi. Të gjithë druanin për ndonjë masakër, për të dëbuar e pengje, sepse pritej që Serbia do të mbante peng popullatën shqiptare gjatë bombardimeve. Por askush nuk e dinte se si do të zhvilloheshin ngjarjet.

Një shurdhëri e kaploi jo vetëm Kosovën, ku flitej se do të tërhiqeshin qysh të nesërmen vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët megjithëse të paktë në numër krijonin një lloj sigurie. Shkuarja  e tyre nxiste frikë deri në tmerr, të gjithë e ditën çdo të thoshte në psikologjinë e serbëve kur të fikeshin dritat. E kishim provuar nga e kaluara, gjërat qenë tejet të freskëta.

A thua do të përfundonte lufta me këtë brez?

Vijon

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...