Published On: 1 Gusht, 2017

Qymyri është krejt i zi, si numrat për qeveri!

  • Me lajmin se në Theth ka pozuar nudo modelja shqiptare, përballë numrave, “I kemi e s’i kemi”, e nisë ditën e sotme pas një nate me bashkëatdhetarët tanë ku në shtizë të flamurit kombëtarë e bëjnë ritin e dasmës me epikën shqiptare e me modernen të pozuar bukur trupin e njomë.
  • Image result for Engjëll I. Berisha

Shkruan: Engjëll I. Berisha

Vetëm edhe një ditë kemi qymyr, e kushedi a do ta shohim mirë njëri tjetrin pa drita. Vetëm edhe dy ditë i kemi “ta shërojmë plagën” , ngase Qeveria do të formohet mu në mesin e plagës. Ky nuk është lajm, është si ai lloji i fatkeqësisë, kur anija fillon të përmbytet, e udhëtarët krijojnë marrëdhënie në mes veti për të shpëtuar duke shpresuar secili në tjetrin.

Lajmi se pas një jave, mbase, nuk do të ketë rrymë në mungesë të qymyrit bashkë me lajmin se në Theth ka pozuar nudo modelja shqiptare, përballë numrave, “I kemi e s’i kemi”, e nisë ditën e sotme pas një nate me bashkëatdhetarët tanë ku në shtizë të flamurit kombëtarë e bëjnë ritin e dasmës me epikën shqiptare e me modernen të pozuar bukur trupin e njomë. Numrat e Qeverisë, e numri i modeleve të veshura e të ç’veshura është në proporcion me disfavor të Qeverisë. Mbse, klikimin e kanë të njejtë.

Qymyri është krejt i zi, derisa prodhimi i rrymës ua shkatërron mushkëritë me kancer banorëve të Obiliqit e përreth. I vetmi komunitet banues që e pranojnë vullnetarë sëmundjen e kancerit vetëm që të kemi drita ne. Përderisa në Thethin e bukur sirenat na hamendin se nuk është krejt jeta e zezë, ka diçka të bukur përtej qymyrit, të fshehur jashtë mendjes sonë. Mendja pushon së prodhuari atëherë kur sytë tanë ngatërrohen me vezullimet e çastit.

Të mbyturit në ujin e freskisë sonë nëpër detin e Shqipërisë dhe vdekjet në komunikacion,  shënohen në këndin e veçantë, se fajtorë është emocioni. Emocionin nuk e kontrollon çdo çast. Çastin tonë e kontrollon frika e politika.

Në mes asaj çka shohim, sado e lodhur na duket dita, lajmet e kuloareve nuk prodhohen më në kafene, tashmë i bëjnë portalet ku për  pesë minuta e regjistron linkun dhe ia dredhë kah të duash shtizen e informatave, bile kujt të duash ia bën numrat sipas qejfit tënd. Portalet janë bërë karrem, që nuk e di kush nuk ra në grepin e kurdisur si në sloganin e subjekteve politike  “Vetëm edhe dy ditë e do të shërohen plagët”. Qeveria mund të bëhet, por nuk e di si shërohen plagët , kur shëndetësia është para kolapsit dhe politika pas kolaps. Bile nuk shërojnë dot as plagët e ditës, e lëre më ato të qelburat kah moti.

Në mëngjes, prej lexuesve të parë, një psikiatër në bibliotekë më kërkoi një libër studim psikiatrie. Thashë, o Zot, cili duhet ta shërojmë njëri tjetrin, ky që bërtet kaq herët ngase i dukem pacientë, apo unë ta shërojë këtë ngase e shohë frikën në sytë e tij. Kjo është vetëm një druajtje kronike përballë sigurisë sime në modelin e sjelljes pozitive e emocionale në mes besimit e dyshimit. Sa faj ka psikiatri në sëmundjen kolektive.

“Mbahu nëno mos ke frikë, se ke djemt deri në Afrikë”, motërzim i një poeme, e çon peshë të përzgjedhurin e popullit krushk i një dasme, ku i vallëzon kësaj kënge, pa e lexuar njëherë poemthin, tani më të rishkruar se “mjerimi nuk ka krahë, ka vulën e vetë që të godet në shpirt”. Mjerimi është buka që u mungon kalamajve, është mendja që prodhon negativitet, është historia që falsifikohet, është gjuha që bastardhohet, është shëndeti publik që kërcënohet, është vetvetja që krenohet me vulën e mbrapshtë. Derisa arritjet shkencore e kanë mundur natyrën, ne po e mundim vetveten tani me mjerimin që e fabrikojmë.

E morëm për obligim kombëtarë, mbase është dhe njerëzore, fëmijëve të mërgatës, nipa e mbesa tanë, tua bëjmë ritet sa më të kapshme që ata të mos shkulin rrënjë nga këtu, ku po boshatiset ky vend. Rite nga më të ndryshmet, në kulturë ushqimore, në dashuri e respekt ndaj njëri tjetrit, në martesa në mes veti, në kulte fetare e në diçka që s’mund tua zbërthejmë dot, ngase thjeshtë jemi të ngatërruar në modifikimin e parimeve të sjelljes. Ky është ujë i turbullt, përderisa, ata, nipat e mbesat janë shpirtë i pastër.

Kushedi nesër, pasi të mbaroj qymyri, dhe pasnesër pasi të votohet qeveria, a do ta mposhtim druajtjen, apo, dita nisë me këngën “Mbahu nëno mos ke frikë…….”.

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...