Published On: 22 Prill, 2017

Qeveria e konfirmon: Javën e ardhshme nuk procedohet demarkacioni

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abudullahu ka thënë se Qeveria e Kosovës javën e ardhshme nuk do ta procedojë demarkacionin për në Parlament.

Kjo për arsye se Kryeministri Mustafa deri të enjten do të qëndrojë në Bruksel. Ndërkohë, Kryetari i PDK’së ka paralajmëruar se javën e ardhshme demarkacioni votohet në Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deri në ditën e enjte të javës së ardhshme do të jetë në Bruksel.

Sipas tij, kryeministri Mustafa, do të përpiqet t’i bindë zyrtarët e Brukselit që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës liberalizimin e vizave.

Kërkesa e kryeministrit Mustafa, sipas Abdullahut, do të jetë që Bashkimi Evropian ta suspendojë me kusht, për dy vjet, kriterin e ratifikimit të demarkacionit, dhe nëse Kosova brenda këtij afati nuk e përmbush këtë kriter, asaj t’i merret sërish liberalizimi dhe t’i kthehet regjimi i vizave.

Abdullahu thotë se vetëm pas kthimit të kryeministrit nga Brukseli, mund të sqarohet se a do të procedohet Marrëveshja për demarkacionin me malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

“Janë çështje procedurale, ligjore, të përcaktuara qartë. Duhet që ne si Qeveri, kryeministri Mustafa, si udhëheqës i Qeverisë, ta riprocedojë tutje, ta vazhdojë procedurën e dërgimit të projektligjit nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës dhe vetëm atëherë Kuvendi mund ta marrë në shqyrtim çështjen në fjalë”.

“Pra, duhet të presim që të kthehet dhe të shohim se si ka kaluar kryeministri Mustafa në Bruksel lidhur me çështjen në fjalë, do të thotë, për sa i përket çështjes tjetër, pra, të kësaj që po mundohet ta shtyjë tutje, që të kemi hapësirë më të madhe për ta proceduar në të ardhmen çështjen e demarkacionit”, thotë Abdullahu për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Express, ka raportuar sot, se Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli dhe Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, për herë parë janë përplasur publikisht me afatin se kur duhet të votohet shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi.

Veseli në dy paraqitje publike ka ‘siguruar qytetarët’ se këtë muaj do të votohet demarkacioni. Madje, Kryetari i Parlamentit ka folur edhe në emër të Qeverisë, duke thënë se javën e ardhshme do të procedohet kjo çështje në Parlament, shkruan GazetaExpress.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...