Published On: 18 Gusht, 2017

Pushteti në duart e gruas

Nga Silvi Bakiri

Pushteti është një instrument tejet delikat dhe gjithashtu impaktues për t’ia besuar kujtdo apo për t’u krijuar nga kushdo…

Për këtë arsye, lidershipi i gruas në një shoqëri burrash – ku madje, në këtë sens, thuajse adhurohet pushteti fallusian, është po aq delikat dhe i vështirë për vetë qëndresën kryeneçe që mund të bëjë shoqëria (dhe kuptohet pse). Kjo është ama, njëra anë e medaljes !

Ana tjetër e medaljes është fakti se shumë gra në politikë tentojnë ta trajtojnë pushtetin edhe si mënyrë për të përftuar rëndësi, territor apo ndikim personal, jo sepse janë gra dhe nuk e njohin mirë këtë instrument, por sepse pushteti tradicionalisht ka qenë çështje e burrave, ose grave që imitojnë naivisht disa burra, duke e trajtuar kështu pushtetin si send dobisjellës për çdo dëshirë egoiste të tyre.

Por, nuk duhet të funksionojë kështu!

Pushteti duhet të jetë një instrument të cilin nuk duhet dhe nuk mund ta gëzojë dot çdokush. Tradicionalisht, pushteti në duar të gabuara ka shkaktuar probleme. Pse? Sepse lidershipi është sërish një cilësi që nuk e gëzojnë të gjithë liderët dhe lideret. Ai mësohet por nuk krijohet dot, nëse nuk e ke!

Nga 45 presidentët e SHBA-ve, cilët mbahen mend më shumë?!

George Washington, edhe sepse ishte i pari, J.F.Kennedy edhe për shkak të fundit tragjik, Barack Obama edhe sepse ishte presidenti i parë me ngjyrë, Donald Trump, deri më tash si presidenti origjinal dhe kontrovers që ka ardhur me premtimin për të transformuar ekonominë amerikane. Ende mungon në listën e presidentëve, presidentja e parë grua.

Znj. Hillary Clinton ishte një figurë model që mendohet, edhe se u sabotua, pikërisht prej xhonglimit të gabuar të pushteteve brenda Shtëpisë së Bardhë.

Ajo që është megjithatë më e rëndësishme në gjithë këta emra, është se sa kontribuan ata në përmirësimin e jetës së njerëzve.

Sa frymë mirësie dhe devotshmërie sollën me punën e tyre?

Si ia ndryshuan njerëzve të tjerë jetën?

Sa njerëz do ishin gati t’i falënderonin çdo ditë pa u lodhur për vepra konkrete?

Sa njerëzve iu shtua dashuria për vendin e tyre vetëm prej këtyre veprave?

E njëjta gjë vlen në qeverisjen e çdo vendi. Në këtë rast, për të dy gjinitë.

Askush nuk do e mbajë mend një politikane grua vetëm sepse është grua, edhe sikur në petkun e profesionistes. Por sepse është frymëzuese në fjalë dhe vepra – kjo, përtej pengesave artificiale të shoqërisë.

Askush nuk do e mbajë mend një njeri për mirë vetëm sepse i vuri shkopinj në rrota dikujt tjetër.

Askush nuk do e mbajë mend për mirë as një politikan (burrë) nëse ky shfaqet manipulues a i manipulueshëm.

Ajo që vlen është sërish forca e të mirës në të gjitha këto raste, ku pyetja që parashtrohet është: Ç’të mirë ke bërë për të tjerët? Dhe kjo, pa asnjë “pse” nga pas. /GentleWomen.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...