Debate Lajmi Levizes

Pse Ramush Haradinaj duhet të jetë kryeministër i Kosovës..?!

Nga Rexhep ELEZAJ

Për ata të cilët i njohin mirë rrethanat aktuale politike në Kosovë, në rajon dhe Evropë, për gjithë ata të cilët e duan Kosovën e lirë, sovrane dhe shtet të pavarur, demokratike, të zhvilluar, pa korrupsion, pa hajni, shtet ligjor me gjykata dhe drejtësi të pavarura, etj., ekzistojnë mbi 101 një arsye, shkaqe politike dhe kombëtare, që z. Ramush Haradinaj ta mbështesin që për katër vitet e ardhshme të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës..!!

Meqenëse për kontributin e tij në luftën çlirimtare është shkruar mjaft, këtu do cekim vetëm disa aspekte dhe fakte politike të cilat e bëjnë të nevojshme dhe të domosdoshme ardhjen e tij në krye të qeverisë, madje si kundër përgjigje, sidomos ndaj atyre të cilët pas zgjedhjeve të 11 qershorit, nuk po lënë gurë dhe dru pa lëvizur që Ramushi mos të vije në postin e kryeminsitrit!

Së pari, Ramush Haradinaj duhet të shpërblehet nga populli i vetë me një post të lartë shtetëror, siç është tash rasti me atë të kryeministrit të vendit, për të gjitha sakrificat dhe luftën e tij heroike dyvjeçare që e ka bërë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe kjo si shpërblim dhe mirënjohje shtetërore ndaj tij dhe familjes Haradinaj. Mbase, nuk ka fare dyshim, se për këto merita vetë presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, në vitin 2004 e shpërbleu Ramushin më postin e kryeministrit, por të cilin nuk e çoi deri në fund për shkak të shkuarjes së tij në gjykatën ndërkombëtare të Hagës..!!

Një popull i cili nuk i nderon heronjët e tij të gjallë, as lirinë nuk dinë ta çmon, madje atë as nuk e meriton!

Së dyti, Ramush Haradinaj, është njëri ndër bijtë dhe heronjtë e gjallë më të mëdhenj të Kosovës që ka lindur në fund shekullin e 20-të, ai është patriot i madh, atdhedashës, trim, talent, luftëtar, komandant si dhe lider i përkushtuar tej mase ndaj lirisë dhe shtet ndërtimit të Kosovës së pavarur, që ka njohur populli shqiptar në 20 vitet e fundit!

Së treti, Ramushi fuqishëm ka dëshmuar në vepër, se atdheun, pra Kosovën, e ka mbi çdo interes personal për të cilën me asnjë çmim nuk pranon asnjë lloj kompromisi, sidomos jo me regjimin e Serbisë fashiste, kundër të cilës ka luftuar dy vite me armë në dorë në vijën e parë të frontit të luftës çlirimtare, nga e cila luftë (tash politike) nuk ka hequr dorë as 19 vite më pas, siç e dëshmoi qartë gjatë ndalimit të tij në Francë me urdhër të Beogradit, kur në çdo seancë gjyqësore në qytetin Colmar, në gjuhën frënge do e ripërsëris qëndrimin e tij “se në rast të ndonjë sulmi kundër Kosovës, Serbia do ta marrë  përgjigjen e njëjtë të cilën e mori në vitin 1998/99”!? Që, faktikisht edhe si peng që u mbajt në Francë për katër muaj, ai i lënë i vetmuar dhe pa kurrfarë ndihme nga qeveria “Thaçi-Mustafa” dhe pa iu trembur fare syri, vazhdoi luftën e tij politike të pa kompromis kundër regjimit kriminal të Serbisë, gjë që paraqet rast unikal në  rezistencën politike bashkëkohore si dhe në drejtësinë selektive në Evropë!?

Ndonëse këtu mund të numërojmë më dhjetëra shkaqe dhe arsye tjera, pse Ramush Haradinaj duhet të vije në postin e kryeministrit të Kosovës, për shkak të kohës dhe vendit, këtë shkrim do e përmbyllim më vlerësimin më të sakët që e ka dhënë për qeverinë e ardhshme në krye me Ramush Haradinajn, njohësi më i mirë i drejtësisë, kushtetutës dhe shtet ndërtimit të Kosovës, profesori ynë i nderuar, Riza Smaka, po citojmë; “Qeverisja nga z. Ramush Haradinaj do të karakterizohet me profesionalizëm, devocion, dinjitet, vendosmëri civile e funksionale dhe me vizion të projektuar në harmoninë e plotë me interesat dhe aspiratat e shtetit tonë, popullit tonë dhe qytetarit tonë, mjerisht deri tani të përvuajtur, të nëpërkëmbur dhe të pa shpresë…Në tërë këtë do të predominojë konstitucionalizmi dhe legaliteti….Synim imediat, Republika e Kosovës, shteti i së drejtës, i demokratisë sociale dhe i mirëqenies socio-ekonomike…”, përfundon citati..!!

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *