Published On: 25 Nëntor, 2016

Pse po i bashkohen ekspansionizmit serb!?

 


Shkruan: Idriz Morina

Nuk është vetëm Serbia ajo që me projektet ekspansioniste dhe fashizoide po e lufton identitetin e shqiptarëve të Kosovës.
Janë bërë grupe jo të pakta që gjithnjë e më shumë mundohen ta paraqesin emërtimin e dikurshëm krahinor dhe tani shtetëror, si identitet nacional. Për arsye thjeshtësie apo për shkak se edhe shtetet perëndimore duan ta shmangin, nga retorika ekzistencën e një shteti të dytë shqiptarë apo, çfarëdo shenje që e krijon këtë relacion, janë kategorik në mbiemërimin tonë kosovar.
Ndërsa, të gjitha këto po i konvenojnë më shumë se kujtdo tjetër, Serbisë, që të realizojë projekte panserbe dhe pan ortodokse në Kosovë.
Ndërkohë Qeveria e Kosovës e ndodhur nën një lloj trysnie të kohës dhe rrethanave, dhe pa një strategji dhe dokumente të mjaftueshme që parashikojnë arritje të caktuara, ajo jo që nuk është në gjendje të investojë në identitetin e shqiptarëve si shumicë absolute, dërmuese, në mbi 92 % të popullsisë, por krijon premisa të rrëgjimit dhe humbjes së identitetit tonë. Çfarë bëri qeveria për të mos lejuar ikjen e më shumë se 5 % të popullsisë në më pak se gjashtë muaj, 2014/2015? Kë arrestoi, akuzoi, hetoi, ndëshkoi në hierarkinë e atij krimi të organizuar pan ballkanik e pan europian?!
Po ashtu Qeveria nuk ka krijuar një relacion të qartë me Shqipërinë, duke lënë shumicën e marrëdhënieve kontraktuale të parealizuara dhe shumicën e ideve dhe projekteve të pazhvilluara dhe të paartikuluara qartë, sikurse po bën edhe qeveria e Shqipërisë, shpeshherë duke i nxjerrë më shumë probleme shqiptarëve të Kosovës se sa Maqedonisë apo ndonjë vendi me marrëdhënie specifike.
Pra, më shumë duket se ka krijuar pika largimi se sa bashkimi me Shqipërinë, dhe kështu duke shmangur butësisht çdo reagim të ashpër apo zemërues të opinionit të brendshëm në të dyja vendet.
Politika zyrtare e Kosovës po krijon gjithnjë e më shumë divergjenca se sa afrime me Shqipërinë në emër të eurocentrizmit, përkundrejt bashkimit të cilin shqiptarët e Kosovës e kanë aspiruar, dhe për të cilin janë flijuar që nga viti 1912, e më parë, për të pasur një tërësi tokësore, një shtet të vetëm, dhe një identitet të vetëm nacional, ashtu siç e kishte krijuar Skënderbeu brenda mbretërisë shqiptare, por edhe përtej saj, për shkak të suksesit dhe arritjeve të jashtëzakonshme, gjë që kishte bërë që për shekuj shqiptarët kudo ndodheshin në Europë të respektoheshin dhe të shquheshin me arritjet e tyre.
Në këtë hulli shqiptarët kanë vepruar dhe punuar, por edhe luftuar në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, por edhe së fundi në vitin 1998-’99.
Në këtë ngjizje të identitetit shqiptar ishte presidenti Ibrahim Rugova, duke e shpallur dhe krijuar shtetin e Kosovës, jo si një identitet të dytë shqiptar, por si një periudhë kapërcimi, drejt unifikimit dhe bashkimit në një shtet të vetëm.
Edhe presidenti Rugova nuk kishte se si ta shmangte nga të menduarit e tij bashkimin në një shtet, sepse lidhjet ishin shumë më të fuqishme, përveç gjuhës si një nga parakushtet kryesore. Ai numëronte gjithë ato fakte që ‘argumentuesit’ e ‘kosovarizmit’ në Kosovë i përjashtojnë, antikitetin e jashtëzakonshëm, periudhë prej mijëra vjetësh, tradita etj. “Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë…”, thoshte Ibrahim Rugova.
Por, sot ndodh e kundërta të gjitha këto premisa po luftohen duke krijuar vetëm një perspektivë nga viti 1999, duke shlyer gjithë të kaluarën e identitetit tonë. Kjo është një sprovë e rëndë tjetërsimi, dhe një barrierë tronditëse dhe shkatërruese për shpirtin shqiptar!

 

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...