Published On: 8 Gusht, 2017

PS drejt një koalicioni me PD-në? Ky është ministri që Edi Rama mund ta mbajë në qeverinë “Rama 2”

Shumkënd e ka habitur heshtja e opozitës gjatë këtyre ditëve, veçanërisht pas fakteve të rënda për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të policisë dhe të ndonjë politikani në trafikun tronditës të drogës. Duket sikur PD zyrtare është e interesuar të mos e politizojë një betejë kundër narkotrafikut me përmasa shtetërore, betejë që tashmë nuk ka dyshim se e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët.

Burime të lapsi.al mësuan se partnerët e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar kanë në duar informata, prova dhe fakte, të një implikimi të gjerë të strukturave shtetërore në atë që për shkak të shifrave marramendëse mori emrin e Republikës së Canabisit. Agjensi të specializuara në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar (pjesë të raporteve të tyre kanë dalë pjesërisht në media) janë vënë në lëvizje seriozisht për çmontimin e këtij rrejti kriminal dhe duket se tek ministri i Brendshëm teknik, i propozuar nga PD, Dritan Demiraj, kanë gjetur një mundësi të mirë bashkëpunimi. Disa goditje të fundit janë rezultat i këtij bashkëpunimi.

Gjithnjë brenda këtij aksioni që sapo ka nisur, një burim i tha lapsi.al se pritet që mbi 100 urdhëra për lëvizje të zyrtarëve të lartë të policisë, oficerë me grada nga nënkomisar e lartë, do të vihen në zbatim këto ditë. Bëhet fjalë për shkarkime, transferime si dhe emërime të reja, të cilat do të mbajnë firmën e ministrit Demiraj.

I njëjti burim tha për lapsi.al se me shumë gjasë, disa prej vendeve partnere, veçanërisht SHBA, i kanë kërkuar kryeministrit Rama mbajtjen në detyrë të Dritan Demirajt, pavarësisht se ai i përket opozitës. Në disa deklarata publike, zyrtarë të ndryshëm amerikanë, kanë nënvizuar nevojën që mazhoranca e re të shohë mundësinë e një qeverisje me bazë më të gjerë dhe një bashkëpunim konstruktiv me opozitën. Kjo ndoshta shihet si garanci që qeveria Rama 2, tani që i ka dhe numrat të pakushtëzuar në Kuvend, të mos rrëshkasë në degradim siç thuajse ndodhi në mandatin e parë në raport me krimin dhe trafikun e drogës. Dhe me shumë mundësi Rama do të jetë i detyruar të pranojë një kondicionim të tillë.

Sinjalet për këtë strategji të re duhet t’i kenë shkuar edhe opozitës, e cila po bën kujdes mos t’i përdorë politikisht informacionet dhe faktet që po zbardhen dita- ditës e që tregojnë implikimin e qeverisë së shkuar në trafikun e drogës. Nuk është çudi që Basha të ketë dhënë konsensus që PD të bëhet në një farë mënyre pjesë e qeverisë së pas 9 shtatorit. Me argumentin e kushtëzimit dhe kontrollit ndaj shumicës së re, PD mund të pranojë disa portofole ministrash, duke ruajtur në dukje “teknicitetin” e marrëveshjes së 18 majit të kaluar. Dhe mes tyre, emri i Demirajt është më i sigurti. /lapsi.al/

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...