Published On: 7 Nëntor, 2016

Provokimi në romanin e Blushit: Kanabisi, ISIS-i dhe vrasja e Kryeministrit

Këtë herë Ben Blushi ka vendosur ta çojë kryeministrin në vetëvrasje… Pasi ka çuar një kandidat për kryetar bashkie në atë botë, i ka ardhur radha kryeministrit, por ndryshe nga kandidati i vdekur që sillet si fantazmë mes të gjallëve, kryeministri e ka kërkuar vetë një vdekje të rreme për të shpëtuar pushtetin dhe veten nga revolta popullore, shkruan “Panorama”.
Pasi trazoi jo pak ujëra me “Kandidatin”, Ben Blushi sapo ka hedhur në qarkullim romanin e tij më të fundit, “Kryeministri” (KM), botuar nga “MAPO Edition”. Sapo hap faqen e parë të librit, menjëherë të krijohet atmosfera e librave të Blushit. Një stil i pangatërrueshëm, tashmë solid, një figuracion që migron nga njëra vepër në tjetrën.

Paralelizmi, aliteracioni, antiteza, krijimi i një kohe letrare rikthehen në romanin “Kryeministri”. Karakteristikë e veprave të Blushit është provokimi. Dhe nuk ka provokim më të ndjeshëm se ai përmes letërsisë. Deklaratat politike nuk kanë asnjëherë atë efekt që ka letërsia, sepse kjo e fundit godet më thellë dhe atje ku është edhe synimi i tij.

Letërsia është më reflektive dhe më gërryese se një fjalim, sado pasionant dhe fjalëgjetur të jetë ai. Dhe në librin më të fundit të Blushit ka shumë syresh. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për autoatentatin politik të kryeministrit, të cilin autori e vendos në vitin 2021, kur kreu i qeverisë është kthyer në një figurë të urryer për popullin, por ai guxon të flasë edhe për tema që ndonjëherë duken si të paprekshme.

I tillë është opinioni për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që vënë në gojën e personazheve të tij nuk është ajo paqeruajtësja që shumë mendojnë, por superfuqia që ka në dorë gjithë botën dhe e sjell ashtu siç do ajo. Në gojën e një prej personazheve të tij rebelë, Uinston Harasani, që do të bëhet edhe themeluesi i Organizatës Transbotërore të Zemërimit Inteligjent (Islamik) ai do të vendosë gjithë “filozofinë” antiamerikane.

“Amerika nuk na lë të imagjinojmë asgjë tjetër, sepse për gjithçka që kemi nevojë ajo na nxjerr përpara një shpikje që e ka bërë përpara se ne ta imagjinonim, duke marrë kështu përsipër të furnizojë çdo ëndërr të njeriut. Amerika është një gomë për ëndrrat e të tjerëve dhe një parafabrikat për ëndrrat e veta. Çështja është se kjo mënyrë organizimi shtetëror është bërë e padurueshme”, shprehet Harasani­OTZI.

Në mënyrë më të thjeshtuar ai e kalon atë te një katundar Tirane, që i shpjegon personazhit kryesor të librit, një snajperi të stërvitur në Afganistan e që në fund të vrasë kryeministrin, gjithë rendin e botës, të drejtuar nga vetë Amerika, ku Shqipëria ka detyrën e kultivimit të kanabisit. Ndonëse Blushi trillon një histori, ajo është e mbushur me elementë të së tashmes. Autori rimerr çështjen e kultivimit të kanabisit, ndërsa qesëndis kryeministrin aktual për projektin e tij të Rilindjes Urbane. Pavarësisht se ishte radha e shkrimtarit, politikani nuk mund të mos ngrejë krye në shkrimtarin e Blushit, e cila godet sërish.

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...

Kush duhet ti fitojë zgjedhjet në Kosovë?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...