Published On: 24 Prill, 2017

Protagonizmi skandaloz i Jonuz Musliut

Shkruan: Nehat Hyseni

Nevoja e papërmbajtur dhe e stërpërsëritur për protagonizëm, që na u paraqit në portale e media të shumta serbe dhe më pak në ato shqiptare, nga deklaratat skandaloze e “bombastike” të Jonuz Musliut, se: “Unë jetoj në Bujanocin e Kosovës. Kryeministri im është Rama. Shqiptarët etnik nga Lugina e Preshevës duhet të bashkohen me Kosovën. Ne nuk do të jemi “Shqipëria e Madhe” me Nishin. Ne nuk do të heqim dorë prej saj, është e drejta jonë”!

Nuk janë të parat, por sigurisht se nuk do të jenë as të fundit!

Sepse, ato shprehin nevojën “për t’u ndier i gjallë” në politikbërjen e shqiptarve të Luginës së Preshevës, me partinë e tij minore, që ia ka mundësuar atij të imponohet në poste politike me rrogë të majme, madje gjatë kohë, pa fije turpi, i merrte nga dy.

“Stili” i tillë i imponimit me skandale në politikë, për shkak të paaftësisë dhe analfabetizmit politik, i ka shkaktuar në vazhdimësi dëme të mëdha dhe të jashtëzakonshme, politikbërjes shqiptare të Luginës së Preshevës, duke e zhvendosur vëmendjen nga problemet reale e imediate të shqiptarve, në skandale dhe në stigmatizim dhe deformim të tyre para opinionit dhe qendrave relevante nderkombëtare të vendosjes.

Ashtu ishte edhe me Lapidarin e UÇPMB-së në vitin 2013, kur pati dhënë premtime se me ushtarët e tij “do ta mbroj” nga xhandarmeria serbe.

Por, doli tragjikomik dhe joserioz skajshmërisht, meqë as një kujdestari minimale nuk e organizuan dhe e “harruan” këtë çështje, duke na shkaktuar pasoja të rënda dhe ndalimin e menjëhersh të Memorialit impozant, të UÇPMB-s në fshatin Rahovicë.

Pastaj, për t’i  harruar këto dëme skandaloze dhe për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit dhe përgjegjësinë e llogaridhënien, së paku morale, para popullit shqiptar, doli me “propozimin” bombastik për “bashkimin e Luginës së Preshevës me Shqipërinë”?!

Pra, z. Musliu nuk e kishte ditur, mbase edhe mund ta ket “harruar”, se Lugina e Preshevës gjeografikisht nuk kufizohet askund me Shqipërinë!

Sepse, Lugina e Preshevës e ka në mes Maqedoninë dhe Kosovën.

Kështu që, një çështje kaq serioze kombëtare, ai e shndërroi në joseriozitet, hajgare e batuta dhe anegdota humoristike të pafund asokohe.

Dhe skandale e tragjikomedi të tjera të panumërta gjatë vizitave e bisedave të ndryshme të përfaqësuesve të Luginës, ku z.Musliu imponohet pa kurrëfarë rendi, me paditurinë ekstreme dhe me kapadaillëkun e tij bajat e kompromitues.

Paaftësia e tij si kryetar i KKSH-së, që e ka kompetencë dhe obligim zyrtar për të siguruar tekste mësimore për nxënësit shqiptarë, ku ai nuk ka bërë as “lavrën e minit”, përpos rritjes ekstreme të rrogës së vet dhe dyfishimit të shpenzimeve, në disfavor dhe në dëm imediat ndaj arsimit dhe kulturës shqiptare në Luginë të Preshevës.

Sjelljet e këtilla, pra, nuk i sjellin dobi dhe benefite dhe avancim kauzës kombëtare të shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Përkundrazi, veprimet e tilla e dëmtuan në vazhdimësi dhe, mbase edhe e pamundësuan imponimin e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës në Dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel.

Sepse, çdo nismë serioze, e mirëfilltë dhe e argumentuar, në koordinim me Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, kompromitohej qysh në start.

Ashtu është duke ndodhur edhe tani, kur deklarata e z. Musliu se “do të shkojmë deri në Nish”, ua ka hapur gojën ministrave serbë Daçiqit, Vulinit,  kryeministrit në detyrë dhe presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ta lozur e improvizuar rolin e “viktimës” para opinionit e diplomacicë rajonale, europiane e botërore, për “rrezikun nga shqiptarët” dhe për atë se si “shqiptarët po nxisin luftë dhe po e rrezikojnë paqen dhe mirëqenien në rajon”.

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...