Published On: 4 Gusht, 2017

Proserbizmi servil i Maqedonisë dhe antishqiptarizmi

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Maqedonia si njëra prej ish republikave të Jugosllavisë titiste e ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 1991. Këtë akt ajo e bëri në momentin kur nuk kishte nga t’ia mbajë, sepse republikat tjera, si Sllovenia e Kroacia, ishin pavarësuar dhe ishin pranuar nga bota si shtete më vete. E bëri edhe për shkak se këtë ia lejoi politika Serbe, në krye me Sllobodan Millosheviqin e preokupuar fillimisht me qërime hesapesh me disa ish republika të tjera, me të cilat ishte bërë gati të bëjë luftë për territore. Gllabërimi i Maqedonisë, ndërkaq, për Serbinë nuk paraqiste kurfarë problemi. Përfaqësuesit e saj në parlamentin dhe qeverinë jugosllave e kishin dëshmuar kahmot veten si proserbë të përbetuar dhe përkrahës së politikës shoveniste të Millosheviqit, që krimet e para i bëri në Kosovën e nëpërkëmbur gjithanshëm.

Shenjat e proserbizmit servil të Maqedonisë shqiptarët i kanë vërejtur më herët se etnitë tjera ishjugosllave, duke qenë se republika jugore e kësaj sajese, që nga viti 1945, u shndërrua në poligonin më të besueshëm të hegjemonisë serbe, ku matej pulsi i shqiptarëve (popullit të tretë për nga numri në Jugosllavi, pas serbëve dhe kroatëve) dhe ku testohej durimi i tyre. Dëshmi për këtë janë krimet e partizanëve maqedonas mbi shqiptarët e akuzuar pa të drejtë si bashkëpunëtorë të fashizmit, likuidimi i shqiptarëve gjatë dhe pas luftës “çlirimtare”…, dëbimi i tyre masiv për në shkretëtirat anadollake, dhuna e shfrenuar rankoviqiane, shtypja barbare gjatë demonstratave të 1968-ës  dhe, veçmas, persekutimi me shenja të qarta inkuizicioni, që pati për pretekst demonstratat studentore të Kosovës të vitit 1981. Të gjitha këto Maqedonia i bëri në pajtim të plotë me direktivat e vëllait të madh serb.

Pra, hiq etninë e vetme josllave të mbetur me kubi nën shputat e tjetrit, të tjerët (sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe malaziasit) proserbizmin e politikës maqedonase e diktuan mirëfilli vetëm në grahmat e para të shthurrjes së federatës jugosllave, vetëm në mbledhjen e Komitetit qendror të LKJ (Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë), të mbajtur në vitin 1988, kur njëri prej politikanëve më titist jugosllav që “përfaqësonte” Maqedoninë në organet federative – Vasil Tupurkovski (i njohur më vonë edhe si ideatori i kombit antik maqedonas…), akuzoi haptazi republikat që nuk e votuan zgjedhjen e Sllobodan Millosheviqit për anëtar të kryesisë së LKJ. Akuza e famshme e V. Tupurkovskit mbi “koalicionin joprincipiel” të republikave që nuk pajtoheshin me politikën aventuriste millosheviqiane u bë pak para shpërthimit të “revolucionit të dhallit” (jogurt revolucija) në Vojvodinë dhe përpjekjes për rrëzimin e krerëve të LK (Lidhjes Komuniste) të Malit të Zi…

Po, përse e sjell sot në kujtesën e lexuesve të mi këtë copëz të trishtë historie?

Sepse e tëra ndërlidhet vetvetishëm me një mbledhje të vitit 1991 në parlamentin e ish Republikës jugosllave të Maqedonisë, ku Petar Goshevi – një politikan tjetër i shquar maqedonas me diplomë Kumroveci, i moderuar post festum, pasi e kuptuan edhe zogjtë e malit se Jugosllavia e hëngri kokën e vet, në pëpjekje për të zbutur zërat e kuvendarëve që hezitonin ta shpallin pavarësinë e Maqedonisë, tha se e kupton frikën e shokëve, por kishte ardhur momenti që maqedonasit ta shpallin pavarësinë e shtetit të tyre, sepse ndryshe mund të zhbëheshin. E, nëse, ndodh që të rrezikohet qenia jonë, shtoi Goshevi, atëherë e kemi të hapur derën e bashkimit me kombet me të cilat na lidhin tipare të pëbashkëta si gjaku dhe feja…

Kështu deklaroi P. Goshevi në vitin e shpalljes së Maqedonisë shtet i pavarur pa vullnetin e shqiptareve, të shprehur nëpërmjet deputetëve të tyre, të cilët, në seancën e miratimit të Kushtetutës që na barazoi me pakicën rome, turke e serbe, në një ambient tipik burlesku, nuk e votuan atë, por, disa pej tyre, as nuk mundën t’i rezistonin tundimit për të uruar me përqafime të ngrohta lojaliteti presidentin e vendit Kiro Gligorov – politikanin që na i futi për marre të dy këmbët në një çizme të vetme.

Dhe, ju të dashur lexues, mund të pyesni sërish, përse po e sjell në kujtesën tuaj edhe deklaratën e P. Goshevit?

Dhe unë po ju them se e bëj këtë për të pasur kujdes nga danajt e Laokoontit. E bëj se nuk e kam njerëzisht të qartë punën e fuzionimit të heronjëve dhe festave të maqedonasve me bullgarët.

E ata që nuk mendojnë kësisoj, i lus të mos nxehen pa nevojë, se unë veç shkronjat e shqipes kam për armë dhe: veç thash…

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...