Published On: 14 Qershor, 2017

Prof.Dr.Beqiri: LDK-ja ka dështuar rrastë nga logjika e përjashtimit. Kryesia duhet të japë dorëheqje menjëherë

LDK-ja ka përjetuar një nga humbjet më të pashembullta në historinë e saj, madje në një moment kur rivali kryesor i saj i deridjeshëm, ka pësuar po ashtu rënie drastike, normale për PDK-në, pasi figura qendrore të saj vazhdojnë të jenë të dyshuarit kryesor, për porositjen e vrasjeve politike, për krim të organizuar, zhvatje, uzurpime, haraç etj. Pra, në momentin që pritej një ringritje e LDK-së, edhe siç prtendohej në fushatë ndodhi e kundërta.

Në zgjedhjet e të dielës, LDK-ja u eklipsua edhe nga Vetëvendosja, që renditej si partia e tretë dukshëm më e vogël.

Për të analizuar shkaqet e humbjes së LDK-së, Gazeta SHQIPTARI.eu, bëri një intervistë me profesorin universitar Dr.Xhavit Beqirin, figurë e njohur për opinionin publik, po ashtu shkrimtar dhe studiues.

  • Cilat janë shkaqet që sollën humbjen e LDK-së?

Mbase është paksa stereotipe të thuash se kur thyhet qerrja, gjenden shumë udhë! Për çudi, kjo maksimë e urtë nuk ka pasur asnjëherë jehonën e pritur në LDK, aq më pak në strukturat e saj prijëse.

Ndonëse, për fat të keq, po hyn në dekadën e dytë të humbjeve të përsëritura të zgjedhjeve, LDK-ja nuk pati kurrë një reagim të plotë, të urtë dhe gjithëpërfshirës ndaj kësaj dukurie, me të cilën tashmë ajo – partia jonë – sikur është përshtatur.

Ju e shtruat shumë mirë pyetjen, kur thatë “shkaqet”, pra në shumës, sepse shkaqet vërtetë janë të shumta! Cilatdoqofshin ato, një është më se e sigurt: LDK-ja është humbësja më e madhe e zgjedhjeve.

Rënia, ashtu si edhe ngritja e një subjekti politik është rezultat i një procesi, kështu që nuk mund të bësh një prerje të saktë për ta gjetur shkakun a shkaqet e humbjes. Në kontekstin e viteve të fundit, besoj, gabimi i parë i LDK-së (më saktë i Kryesisë së saj, se ajo vendos) është “loja” e pamatur me VLAN-in, apo lidhja e bujshme e koalicionit anti-PDK me Vetëvendosjen, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën, përkatësisht dalja e palavidishme prej atij koalicioni (në zgjedhjet e shkuara). Pa dyshim, pasojat e asaj aventure të pastudiuar LDK-ja i vuajti edhe në zgjedhjet e 11 qershorit 2017.

Asokohe, prishja e atij koalicioni në opinion “u shit” si pabesi e LDK-së ndaj atyre subjekteve. Për më tepër, LDK-së iu atribua legjitimimi i prishjes së marrëveshjeve politike për interesa të ngushta vetjake politike.

Mirëpo, përveç akrobacisë me VLAN-in, arsye tjetër e dështimit të LDK-së në zgjedhjet e sivjetshme është vota e saj e habitshme për ta zgjedhur President të vendit kryetarin e rivalit më të madh politik, PDK-së. Me gjasë, anëtarësia e gjerë e LDK-së këtë nuk e përpiu dot. Shto këtu edhe çështjet e tjera të ndjeshme, si ajo e demarkacionit, e asociacionit të komunave me shumicë serbe etj., atëherë në sipërfaqe dalin një varg faktorësh/shkaqesh, që domosdo ndikuan në rënien e LDK-së, duke qenë se ajo jo vetëm që ishte pjesë e Qeverisë, por e pati edhe postin e Kryeministrit, në kohën kur këto çështje të nxehta u bënë “çështje dite”.

  • A u ndëshkua LDK-ja edhe për shkak të logjikës përjashtuese?

Patjetër! Nuk ka asnjë dyshim! LDK-ja, çuditërisht, e ka bërë filozofi të qenies së saj vetëmjaftueshmërinë, vetëkënaqësinë e njerëzve të “rrethit të ngushtë” të Kryesisë, të cilët më shumë brengosen për huqet e partnerit qeveritar, sesa për kërkesat dhe interesat e vërteta të subjektit të cilit i takojnë. Logjika përjashtuese në LDK s’është diçka e re, fatkeqësisht! Dhe, pasojat po i shohim të gjithë…

Përfaqësuesit e LDK-së në institucionet ekzekutive të vendit, qoftë në nivel nacional, qoftë lokal e kanë vështirë t’u shërbejnë zgjedhësve të vet, njerëzve të devotshëm të LDK-së. Ndaj, jo pa shkas, në LDK, në të gjitha strukturat jo “të larta” të saj, ekziston bindja se “për të kryer një punë, duhet t’u drejtohesh atyre të PDK-së”! Absurde, por vërtetë kështu është.

“Funksionarët” e LDK-së, duke e projektuar vetveten “të mëdhenj”, kanë harruar se në ato poste (të përkohshme) janë vënë vetëm falë votës së LDK-së, e cila siç i ka vënë aty, edhe i zbret. Sepse, e tillë është ligjësia e demokracisë!

Logjika e përjashtimit ka qenë së brendshmi rrënuese për LDK-në. Ju e patë rastin e fundit me zonjën Vjosa Osmani, e cila nga “shefat” u hodh në fund të listës së LDK-së për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Por, sigurisht, e pamë edhe mrekullinë e votës së lirë, e cila sërish e vendosi aty ku ajo vërtetë është për elektoratin e LDK-së – në krye të listës!

  • A është humbja rezultat i injorimit të vazhdueshëm të elektoratit dhe e logjikës se elita e partisë duhet të vendosë për gjithçka, duke konsumuar apo imponuar strukturat e partisë me zgjidhjet e saj?

Sindromi i injorimit të eloktoratit pati efektet e veta negative edhe në këto zgjedhje. Shumë aktivistë shumëvjeçarë të LDK-së, votues tradicionalë të partisë së Presidentit historik Ibrahim Rugova, më se një herë ma kanë pohuar se në zgjedhje do të dalin vetëm për ta prishur fletën e votimit, ngase nuk duan që vota e tyre të keqpërdoret e të shkojë në “konton” e ndonjë partie tjetër. Ata zgjodhën këtë formë rebelimi, me qëllim që t’i dërgojnë një sinjal të qartë Kryesisë se kur ta merrni besimin e votuesve për ta udhëhequr partinë, kjo assesi nuk do të thotë se ai besim u është dhënë për ta nëpërkëmbur e për ta fyer vullnetin, bindjet, besimin dhe përcaktimin e tyre. Për fat të keq, në pjesën dërmuese, unë besoj se ky ka qenë njëri prej shkaktarëve përcaktues të degdisjes së LDK-së në zgjedhjet e porsambajtura. Dhe, jo vetëm në këto!

  • Cila është zgjidhja për të dalë nga kjo situatë, a janë zgjedhjet partiake zgjidhja e duhur?

Në çdo vend demokratik të botës, në çdo vend të qytetëruar, nëse një parti i humb zgjedhjet, përgjegjësit e dështimit të saj japin llogari para strukturave dhe anëtarësisë; në secilën parti me demokraci të mirëfilltë partiake, kryetari, kryesia apo bartësi i procesit zgjedhor të humbur, del dhe kërkon falje për dështimin. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur ende në LDK, ndaj dështimet janë përsëritur e janë thelluar nga procesi në proces. Është një situatë tashmë e njohur.

Zgjidhja për të dalë nga kjo situatë e turpshme është e thjeshtë: Kryesia e LDK-së, pasi që është fajtorja kryesore për këtë humbje të rëndë, duhet të japë dorëheqje menjëherë! LDK-ja duhet të mbajë zgjedhje të brendshme, duhet të dalë nga lëvozhga e shëmtuar e vetëmbylljes dhe përfundimisht të hapet ndaj mendimit kritik, ndaj mendimit ndryshe në parti, sepse pikërisht kjo është esenca e zhvillimit demokratik.

Pra, LDK-ja duhet të bëjë paqe me vetveten, të pajtohet se ka dështuar rrastë, si dhe të nxjerrë mësimet e nevojshme nga kësto dështime. E, mësimi i parë që duhet ta përvetësojë LDK-ja është fakti se nuk mund të ketë demokraci të brendshme, nëse vritet mendimi/zëri kritik i kujtdoqoftë. Fundja, kjo është mrekullia e zhvillimit demokratik: ikja nga uniformiteti dhe utopia e njëmendësisë (pajtimit a priori me liderin/liderët) dhe bashkëjetesa në harmoninë kundërshtuese, kurrsesi rrënuese. Mbi të gjitha, ritheksoj se LDK-ja duhet të heqë dorë nga marrëzia e të konsideruarit kundërshtarë të atyre që nuk pajtohen me politikat e liderit apo të Kryesisë! Sepse, LDK-ja është e para që e ka thyer tabunë e liderit në këto hapësira, ndaj nuk i shkon aspak të përkulet para liderit si para ndonjë kulti.

  • Me kë e sheh koalicionin e ardhshëm qeverisës dhe pse LDK-ja duhet të jetë ose jo pjesë e tij?

 Po të mund të vendosja unë, natyrisht që nuk do të bëja asnjë koalicion qeverisës. Së pari, me këtë do të nderohej vota e zgjedhësve; së dyti, duke qenë në opozitë, LDK-ja do të kishte kohë dhe mundësi të mbante një proces të mirëfilltë të brendshëm zgjedhor, pa presion, por me urtësi, me besim dhe mendje të hapur.

Nëse LDK-ja i përgjigjet yshtjes së ndokujt për poste qeveritare dhe pranon të futet në koalicion me PAN-in, kjo do të ishte një vetëvrasje politike, pas poshtërimit të hapur që i bëri PDK-ja duke e prishur koalicionin paraprak qeveritar.

Nëse hyn në koalicion me Vetëvendosjen, fituesen reale të zgjedhjeve të 11 qershorit (po të shihet veçanërisht ngritja e saj në krahasim me zgjedhjet e kaluara), LDK-ja sërish rrezikohet të stërkeqet nga fenomoni i vetëkënaqjes së atyre që do të përfshiheshin në atë koalicion eventual.

Pra, po qe se respektohet zëri i votuesve të LDK-së, e mira e së mirës do të ishte që LDK-ja të mos përfshihej në asnjë koalicion qeverisës, por t’i rikthehej organizimit dhe konsolidimit të brendshëm. Deputetët e legjislativit të ri, do të ishin zë i mjaftueshëm i LDK-së në Kuvendin e Republikës. Mjaft janë edhe si numër.

Druaj se Kryesia e sotme e LDK-së, sidomos ata që ëndërrojnë poste ministrash, zëvendësministrash e kështu me radhë, nuk do t’i bëjnë ballë tundimit për të qenë pjesë e qeverisë që do të formohet në javët a muajt e ardhshëm. Nëse rezistojnë dhe nuk bien në kurthin e lavdisë ditore, do t’i bënin një shërbim të jashtëzakonshëm të ardhmes së LDK-së dhe të vendit. SHQIPTARI.eu

 

 

Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...