Published On: 25 Prill, 2017

Problemi shqiptar

Nga Frank Shkreli

Duket se kombi shqiptar po përshkohet sot nepër njërën prej periudhave më të rrezikshme të historisë së tij.  Njoftohet se këtë javë, si edhe herë të tjera më parë gjatë këtyre 25-viteve tranzicion, në Tiranë do të zbresin zyrtarë të lartë evropianë nga Brukseli, në një përpjekje ndërmjetësimi për të zgjidhur atë që të gjithë po i referohen si “ngërçi politik” midis partive të pozitës dhe opozitës dhe klasës politike shqiptare, në përgjithësi.  Situata aktuale politike e krijuar në Tiranë nuk mund të quhet më si një ”ngërç politik”, por është një krizë përmasash kombëtare, me pasoja të paparishkueshme për të gjithë shqiptarët në Ballkanin Përendimor, përfshirë Kosovën, nëqoftse nuk zgjidhet shpejt dhe me mend.  Duket se me kokëfortësinë e saj, klasa politike e Shqipërisë ka krijuar një situatë krize në vend, të cilën është e papërgatitur ta përballojë me mjete të rregullta dhe demokratike të lojës politike.
Në përpjekjet e tyre për, për pavarësi, për liri dhe demokraci, shqiptarët, gjatë historisë, janë përballur me kriza serioze për mbijetesë, u ndeshën shpesh me pengesa të forta dhe hasën në shumë prita të rrezikshme nga të huajt – në tavolinat diplomatike dhe në fronte lufte — të vendosura nga armiqtë e tij.  Kombi shqiptar e pësoi rëndë me shpalljen e pavarësisë, ndërsa armiqtë e tij ia cunguan disa prej gjymtyrëve të tij jetike, duke ua dhënë fqinjëve sllavë e grekë gjysmën e trojeve shqiptare.  Me humbje të mëdha njerëzore, kombi disi mbijetoi komunizmin ndërkombëtar, por as pas Luftës së Parë Botërore dhe as pas Luftës së Dytë Botërore, fatkeqësisht shqiptarët nuk mundën të hidhnin themelet e një shteti  të shëndosh, të lirë e vërtetë demokratik, bazuar në një bashkëjetesë kombëtare.  Nga Lufta e Dytë Botërore, shqiptarët dolën të përçarë, të përgjakur, të ndarë dhe të robëruar nën zgjedhën e një ideologjie të huaj sllavo-aziatike, e cila për pothuaj një shekull i mohoi kombit shqiptar radhitjen e tij, krah për krah, popujve të botës perëndimore.  E vërtetë se flamuri i Gjergj Kastriotit -Skënderbe, i njollosur me simbolin e komunizmit ndërkombëtar – valëviste mbi një pjesë të trojeve shqiptare, por nuk ishte më simbol i vëllazërimit kombëtar dhe nuk përfaqësonte më krenarinë e vlerave, të trashëgimisë dhe të traditave historike të shqiptarit.  Përkundrazi, u bë simbol i përçarjeve, vëllavrasjeve dhe të mohimit të vlerave, me të cilat krenohej dikur shqiptari — vlera si nderi, besa e burrëria.

Po sot ku qëndron problemi i krizës politike, për të ashtuquajturin “ngërç politik”, në Shqipëri?  Për krijimin e kësaj situate nuk mund të fajësohen drejtë për drejtë ndërhyrjet nga jashtë, megjithëse të tilla ndërhyrje për të përçarë shqiptarët ka pasur dhe do të ketë gjithmonë.  Problemi i sotëm politik, është kryekput një problem shqiptar, i shkaktuar nga vetë shqiptarët, ose më mirë të themi, nga vet klasa politike.  Ngërçi i tanishëm politik,  në të vërtetë, shënon edhe kulmin e dështimeve të njëpasnjëshme politike të çerek shekullit të kaluar, për të çuar përpara zhvillimet dhe  për të ngritur frymën e vërtetë universale demokratike në vend.  Ky ngërç politik përfaqëson një dështim të zgjedhjeve të lira, të ndershme e demokratike dhe një mungesë përgjegjësie politike e morale, që udhëheqsit e zgjedhur të kësaj klase politike të japin llogari për veprimtarinë e enteve qeveritare dhe politike, të cilat në një demokraci të mirëfilltë, duhet t’i shërbejnë të mirës së përbashkët dhe jo interesave personale të politikanëve dhe partive politike që ata përfaqësojnë.

Përveç përgjegjësisë që kanë partitë politike dhe përfaqsuesit e tyre në krijimin e krizës së tanishme politike në Shqipëri, është edhe votuesi shqiptar ai që bartë një përgjegjësi, pasi duhet të jetë më i angazhuar në proceset demokratike, ashtu që nepërmjet përfasuesve të zgjedhur me votë të lirë– të kontrollojë fatin e vet dhe që ëndrrat t’i kthejë në realitet për realizimin e një të ardhme më të mirë për veten, për familjen dhe për të gjithë shoqërinë ku jeton.

Ndonëse vëmëndja sot me të drejtë i kushtohet “ngërçit politik” në Shqipëri, gjëndja nuk është aspak më e mirë as në Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi – ku fatkeqsisht, përçarjet dhe grindjet vazhdojnë të mbizotërojnë politikën shqiptare gjithandej.  Oligarkët, siç i kishte quajtur ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri kanë uzurpuar jo vetëm ekonominë, por edhe qeverinë dhe shtetin dhe i kanë zënë frymën zhvillimeve demokratike, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë një emër të keq demokracisë dhe duke hedhur dyshime qëllimkëqia, alla putiniste dhe erdoganiste, mbi përfitimet që vinë nga demokracia.

Në fillim të shekullit 21, në një periudhë kur shqiptarët në përgjithësi, nuk kishin gëzuar kurrë në historinë e tyre më shumë liri, ndihej një entuziazëm si brenda ashtu edhe jashtë trojeve shqiptare, se ky do të ishte, më në fund, shekulli i shqiptarëve.  Se ky do të ishte momenti historik, momenti në historinë e shqiptarëve, kur vet shqiptarët si kurrë më parë e kanë në dorë fatin e vet.  Por doli që udhëheqsit aktualë shqiptarë, në të vërtetë, janë problemi kryesor, partitë politike të të cilëve, me “komeditë e tyre politike”, pikërisht në këtë moment, po pengojnë proceset natyrore të historisë, histori e cila kishim menduar më heret — se me ndihmën dhe mbështetjen e disa miqëve — kishte filluar që, më në fund, t’i korrigjonte gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi shqiptar gjatë shekujsh.

Fatkeqsisht, “ndërçi i sotëm politik” tregon sikur asgjë nuk ka ndryshuar në historinë e shqiptarëve, se në në të vërtetë, partitë politike dhe politikanët shqiptarë ishin problemi më i madh dhe shkaktarët kryesorë të ngërçeve politike dhe krizave të panevojshme gjatë 100-viteve të fundit.   Fan Noli në një artikull me titull, “Komedia e partive dhe rreziku që qëllon në derë të theatrës”, botuar në një numër të gazetës Dielli nëntorin e vitit 1924, kritikonte partitë dhe politikanët e asaj kohe në Shqipëri, për gjendjen e krijuar atje mbi 90 vjet më parë, duke thënë se, “Në qoftë se anarkia që mbretëron në Shqipëri, vazhdon edhe ca kohë, ahere optimizma s’ka vend dhe trembëm se diç do ngjasë.   “Noli shprehte shpresën se, të “Vetqojturve ‘udhëheqës’ do tu vijnë mënttë dhe punët do shtrohen”.

Mos Zot që si rrjedhim i ngërçeve politike, inateve personale, bojkoteve të llojlloshme të partive politike, si dhe mungesës së demokracisë së vërtetë, korrupsionit dhe drogës që ka kaplluar shoqëritë shqiptare kudo, Shqipëria dhe Shqiptarët, që pas rënies së komunizmit dhe pas fitores historike të Pavarësisë së Kosovës — sipas Fan S. Nolit, mund të thuhet se, “U ngjallën nga idealistët dhe u ruajtën nga rastet”, por tashti të, “mos vriten nga politikanët.”

Unë besoj se politikanët shqiptare kudo në Ballkanin Perëndimor– të cilët megjithëse siç thoshte Noli e përdorin politikën, jo si një udhë, por si një qëllim dhe që përdorin çdo mjet, të ndershëm e të pa ndershëm, për t’ia arritur qëllimit – do të ndërpresin komeditë e tyre aktuale politike dhe do të mënjanojnë rrezikun, që siç shprehej Noli, të mos i vihet “kazma Shqipërisë”, dhe shqiptarëve.

Këtë, të nderuar politikanë, ia kini borxh të siguroni  se nuk do ndohdë një gjë e tillë, jo vetëm brezit të sotëm dhe të ardhëm të shqiptarëve, por edhe brezave të mëparshëm të kombit shqiptar të cilët ëndërruan, luftuan dhe në shumë raste dhanë jetën për lirinë që gëzon sot kombi shqiptar.   Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos u mbani peng nga e kaluara, sidmos nga e kaluara komuniste, kur është fjala për të ardhmen e shqiptarëve në çerekun e parë të shekullit 21.   Për një komb, të cilit i mungon dialogu politik, por që është aq dinamik i bashkuar në liri, demokraci dhe pavarësi, një komb i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të realizuar ëndrrën e rilindasve të shekullit të kaluar të kombit shqiptar.

 

Kjo është e mundur vetëm e vetëm kur të gjitha pjesët e trupit të kombit dhe të gjitha partitë dhe grupet pa dallim – me respekt për të drejtën e secilit për të shfaqur mendimet dhe pikëpamjet e veta në mënyrë demokratike për të ardhmen e përbashkët — të ndërpresin monologun e tanishëm dhe të fillojnë dialogun me njëri tjetrin, si vëllai me vëlla. Ky është një problem shqiptar!  Problemet e shkaktuara nga shqiptarët duhet të zgjidhen nga vetë shqiptarët — pa ndërhyrje nga jashtë – me qëllim për ta bërë më në fund Shqipërinë.   Shqipërinë e një bashkjetese kombëtare, me të drejta dhe liri të barabarta për secilin shqiptar.  Ky është momenti kur burrat e vërtetë i vinë në ndihmë Atdheut të vet. Tashti dallohen burrat e vërtetë nga burracakët!

 

 

 

 

A 5
Loading...
 

Leave a comment

XHTML: You can use these html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Loading...